“Siç e shikoni, në këtë seancë deputetët e dalë nga krimi, droga dhe vjedhja, përpiqen me çdo kusht t’i imponojnë për opozitë atë që duan ata, të zgjedhin edhe opozitën tuaj dhe të popullit opozitar. Nuk ka seancë më të shëmtuar, nuk ka skenë më të shëmtuar se kjo.
Ky është një akt i papërgjegjshëm, por unë u them qytetarëve edhe njëherë se ky është një akt armiqësor ndaj jush para së gjithash. Këta duan me çdo kusht që atë vullnet ndryshe që keni shprehur, t’ua tjetërsojnë, t’ua shkelmojnë këtu në parlament.
Këta nuk lënë asnjë alternativë tjetër përveç një parlamenti që funksionon si parlament njëpartiak dhe duhet fshirë nga faqja e dheut sa më shpejt të jetë e mundur.
Si mund të ndodhë, ti nuk lexon shkresën e grupit kryesor parlamentar të opozitës. Si mund të ndodhë kjo? Çfarë parlamenti është ky? A keni cipë a keni turp? A keni ndërgjegje politike, a keni ndërgjegje shoqërore? Mbi ç’bazë funksionon një parlament pluralist?
Po tejkaloni çdo ditë çdo limit, po rikthemi standardet më të shëmtuara, po i shkelmoni opozitës të drejtat kushtetuese më elementare.
Ju po kryeni krim në parlament, po silleni si bandë, si njerëz që nuk keni minimumin e kulturës ligjore.
Ku ka ndodhur në historinë e parlamentit që njëra palë t’i diktojë tjetrës përfaqësimin?
Apo se kështu urdhëroheni nga Edi Rama?” tha Berisha.