Berisha theksoi se, ky raport konstaton kontrollin e votës dhe një votë e kontrolluar është votë e skllavëruar, votë e diktaturës.
Vota e kontrolluar është vota e skllavëruar.
Vota e kontrolluar është vota e diktaturave.
Vota e kontrolluar është vota e regjimeve totalitare.
Ajo nuk është më votë e lirë.
Vota e kontrolluar, de facto është vota pothuaj e vdekur apo në vdekje klinike.
Raporti konstaton gjithashtu se për kontrollin e votës, u përdorën mjetet më të paligjshme, më antikushtetuese, më antiligjore.
U përdorën mjete, të cilat dhunuan Kodin Zgjedhor, Kushtetutën, standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe Kodin e Venecias.
Dëshmon se makinerisë së frikës dhe presionit, i priu direkt kryeministri shqiptar me kërcënimet e tij banditeske ndaj kandidatëve, ndaj qytetarëve, në rast se do votonin për kandidatët e opozitës.
Tregon se zgjedhjet u kontrolluan nga administrata, se aplikacioni Aktivisti dhe terroristët e kuq me petkun e patronazhistit, bënë gjithçka për të diktuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
Cilido që lexon me vëmendje këtë raport, gjen përqindje të cilat përmbysin zgjedhjet.
Cilido që lexon këtë raport, gjen se 14 maji ishte një farsë e vërtetë elektorale.
Ndaj dhe thirrja ime për shqiptarët, për 600 mijë idealistë shqiptarë, të cilët refuzuan me përçmim çdo formë kontrolli antiligjor ndaj vullnetit të tyre, të përgatitemi në protesta të qëndrueshme të fuqishme, për të larguar këtë pushtet, që qëndron i bazuar në raportin: vota shndërrohet në krim dhe krimi në votë.
Thirrja ime për të gjithë shqiptarët është: kurrë të mos përligjni një votë të vjedhur.
Vota e vjedhur apo vota me presion, apo vota e kontrolluar, nuk shpreh vullnetin tuaj, por shpreh vullnetin e atyre që u rrëmbejnë ju të drejtën e votës.
PD qëndron fuqishëm, e vendosur të udhëheqë shqiptarët drejt një përpjekje të madhe për të votuar të lirë si qytetarët e tjerë të rajonit dhe Europës’, tha kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë fjalës për gazetarët.