Richard Grenell: Duhet një hetim transparent, SHBA të jetë palë e tretë, të dërgojë një emisar

Tuesday, 03 October 2023 10:32
Ish i dërguari special i Presidentit Donald Trump për Kosovën dhe Serbinë, ambasadori Richard Grenell gjatë një interviste ekskluzive në ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, i bën thirrje Shtëpisë së Bardhë që të dërgojë një emisar të posaçëm për të monitoruar situatën mes Kosovës dhe Serbisë.
 

Grenell shprehet se, edhe në hetime duhet të bëjë pjesë SHBA, me qëllim që rezultati i hetimit të jetë transparent.

 
‘Shiko, unë dua të kuptoj çdo detaj dhe për këtë arsye ështe e nevojshme të kemi një hetim transparent. Qeveria e Serbisë duhet të tregojë se kur e ka marrë njoftimin për sulmin. Ajo që më shqetëson gjithashtu janë edhe personat në Kosovë që punojnë në polici dhe janë vendosur në këtë pozicion nga Kurti. Duam të dimë se çfarë dinin ata, çfarë u është thënë dhe tani pas vdekjeve duhet të bëjmë hetimin.

Duhet të kemi filmimet, dhe të shohim me kujdes gjithçka. Jo vetëm disa fragmente të vogla të videove sepse duket se janë fragmente të situatës. Unë dua një hetim të pavarur. Ju e dini se duhet të ketë një palë të tretë e cila të ndërhyjë dhe të bëjë këto autopsi. Nuk mund të kemi vetëm një palë që jep informacionin dhe të gjithë e besojnë atë palë.
 
Ky është roli i SHBA ose i BE-së, por njëri prej këtyre të dyve duhet të ndërhyjë menjëherë dhe të nisë hetimin. Shqetësimi im është se europianët flasin shumë, por nuk veprojnë aq shumë. Pikërisht në këto momentet duhet të ndërhyjë SHBA dhe kur të ndërhyjnë ata, marrin menjëherë veprime.
 

Unë mendoj se Shtëpia e Bardhë duhet të dërgojë një emisar për këtë situatë. Tani NATO po shton trupat dhe jam i shqetësuar për këtë situatë. Kur Trump ishte president ne flisnim për uljen e numrit të trupave ushtarake’, tha Richard Grenell.

Login to post comments