Studentët e Mjekësisë vijojnë protestën, s’pranojnë tarifën e studimit. Kërkojnë dorëheqjen e ministres së Arsimit

E mërkurë, 11 October 2023 12:09

 

Të veshur me bluzat e bardha, ata kanë marshuar në drejtim të Ministrisë së Arsimit. Ata kanë vijuar bojkotin dhe kanë shtuar thirrjet gjatë marshimit në rrugën kryesore të kryeqytetit, ku dëgjohen thirrjet: “Bashkohuni me ne”.

Ligji i ri i detyron mjekët e sapo diplomuar të japin shërbimin e tyre në Shqipëri për një periudhë 5-vjeçare, para se ata të marrin diplomën për përfundimin e studimeve të tyre.

Studentët e kanë refuzuar kategorikisht këtë ligj, duke e konsideruar atë si të padrejtë, ndërsa çështja ka kaluar edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Studentët kanë kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu të cilës siç pretenduan, i kanë kërkuar takim por janë refuzuar.

 

Studentët insistojnë në shfuqizimin e ligjit, ndërsa që prej fillimit të vitit akademik, auditoret e Fakultetit të Mjekësisë kanë qenë pothuajse bosh.

 
 
 

Tarifa u miratua dy ditë më parë nga bordi i administrimit, ku çdo student i mjekësisë që nuk përmbush detyrimin ligjor, për të ofruar shërbim shëndetësor nga 3- deri në 5 vite në vendin e tij, do të duhet të paguajë një tarifë prej 240 mijë lekë të reja për çdo vit studimi. Nëse një vit studimi ka kosto 240 mijë lekë, për 6 vite studentët duhet të paguajnë 1.440.000 lekë.

Referuar vendimit të Këshillit të Ministrave, për të përcaktuar këtë tarifë u ngrit një grup pune për përllogaritjen e kostove për një student që ndjek studimet në fakultetin publik të mjekësisë.

Më pas kjo tarifë u kalua në senat dhe të hënën pasdite u miratua edhe nga bordi i administrimit.

Login to post comments