Berisha: Rama dhe Vuçiç kanë vetëm një qëllim, ndarjen e Kosovës. Komuniteti ndërkombëtar të ndalojë këtë bashkëpunim

E Enjte, 12 October 2023 16:07
Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha në Kuvend se qëllimi i Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiçit është ndarja e Kosovës.


“Unë garantoj shqiptarët se Edi Rama vazhdon si argat i Vuçiçit, çdo ditë dhe çdo javë dhe muaj, përpjekjet për zbatimin e projektit të tyre të ndarjes së Kosovës.
 

Ata kanë një qëllim dhe vetëm një qëllim, ndarjen e Kosovës sipas oreksit serb. Sipas projektit të serbomadhisë.

Ju këtu, çfarë t’u them unë ju këtu, ju jeni zero pas një numri.
 
Ne ramë dakord për një rezolutë, në të cilën mbështetet pikë  për pikë, nen për nen rezoluta e Kuvendit të Kosovës.

 

Kurse kreu juaj, Pashiqi shqipfolës, vëllai i Vuçiçit, argati i Vuçiçit, këtu në një fjalim të stilit të Muamer Gadafit, një orë e gjysëm, bëri gjithçka për të vazhduar përçarjen midis Shqipëri…

A e kuptoni ju që e ndiqni atë, ai e ka fatin të lidhur për jetë dhe vdekje me Aleksandër Vuçiçin? Ai nuk mund të shqitet kurrë prej tij.

Hiqeni nga mendja.

Cili prej jush priste një fjalë si kjo? Asnjë nga ju nuk mund të priste një fjalë si kjo.

Po ai është pazgjidhshmërisht i lidhur me padronin e tij.

Në histori, ky është i vetmi në Europë, që jashtë çdo lloj turpi, shpall Vuçiçin si faktor paqeje.

A e dëgjoni që nuk përmend ndonjëherë Serbinë, në një kohë kur rezoluta që do votojmë, fillon me agresionin e Serbisë në Kosovë, vazhdon me agresionin e Serbisë në Kosovë?

Guxon ky ta përmendë Serbinë? Jo mo kurrë.

Ky është peng, ky është argat, ky ka firmosur diku për të ndarë Kosoën me oreksin e Serbisë.

Pasi dështoi me ndryshimin e kufijve, kaloi te Ballkani i Hapur dhe doli kreu juaj bashkë me Vuçicin në krah dhe paraqiti hartën pa Kosovën.

Pra, e vërteta është se 10 vite që jemi në pozicione të kundërta, ne do e votojmë rezolutën sepse rezoluta shpreh pikë për pikë ato që thotë rezoluta e Kosovës dhe dy-tre nene që nuk janë maksimumi, por përsëri përmbytin çdo gjë të politikës që ka ndjekur Edi Rama kundër Kosovës dhe qeverisë së saj.

Edhe njëherë dënoj me forcën më të madhe projektin Vuçiç-Rama të ndarjes së Kosovës.

I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndalojë këtë bashkëpunim që është faktor destabilizues për rajonin,” tha Berisha.

Login to post comments