Shëtitja private e Erion Veliajt në Kanada dhe ‘halli’ i diplomacisë shqiptare

Diel, 15 October 2023 12:28
Nga Taulant Dedja/

 

12 vitet që pata fatin të punoj për strukturat e shtetit shqiptar, ndër të tjera dhe për qytetin e Tiranës ku u linda dhe u rrita, për hir të rrethanave, më krijuan mundësinë ta njoh në detaje atë që quhet protokoll shtetëror, apo çdo të thotë një vizitë bilaterale shtetërore, si përgatitet, çfarë përmban dhe cili është rezultati konkret. Sigurisht të njoh dhe përfshirjen sipas rregullash të përcaktuara të personelit diplomatik përkatës në shtetet dhe insitucionet ndërkombëtare ku më çuan funksionet që kam ushtruar. Nuk është vendi të them më tepër se ende nuk jam ulur të shkruaj kujtimet, por aktiviteti im për këtë pjesë është i dokumentuar dhe lehtësisht i verifikueshëm në arkivat e institucioneve përkatëse, qoftë në Shqipëri, qoftë jashtë saj.

 
 
Nisur nga ky këndvështrim, me idenë që si komb në udhëkryq, më shumë se çdo gjë tjetër kemi nevojë për të vërtetën, vendosa të shpreh opinionin tim, përmes një shqyrtimi të shkurtër të asaj që u “shit” në rrjetet sociale dhe nga mediat klienteliste të Tiranës londineze (sigurisht nën kujdesin e drejpërdrejtë të shërbëtorëve të të interesuarit), si vizita e suksessshme dy ditore e kryetarit të Bashkisë së Tiranës në Kanada (9-11 tetor 2023). Nuk mund të shmang në këtë shënim, edhe një paraqitje të përmbledhur të gjendjes reale të marrëdhënieve dypalëshe diplomatike mes Shqipërisë dhe Kanadasë (të vendosura qysh në vitin 1987), ku sipas të dhënave zyrtare të shtetit kanadez dhe sipas regjistrimit të vitit 2021, nga numri total i atyre që jetojnë në Kanada, 41,625   janë me origjinë nga Shqipëria. Sigurisht, shifra reale e sotme është më e lartë.

Nuk mund ta di se cilat janë arsyet e vërteta pse erdhi Veliaj në Kanada dhe nuk jam i prirur fare të hamendësoj, sepse nuk e kam zakon të merrem me teori konspirative. Preferoj të gjykoj fakte reale të para me sy apo të dëgjuara me veshë, si dhe t’u referohem të dhënave zyrtare mbi, apo qëndrimeve zyrtare të autoriteteve shtetërore kanadeze, që kanë një transparencë të respektueshme në kontaktet e përditshme me publikun apo zgjedhësit.
 

Në rastin konkret, të një zyrtari shqiptar me funksion shtetëror, i cili për udhëtimet e tij shpenzon paratë e taksapaguesve të Tiranës (sipas gjasave dhe burime të padeklaruara), pyetja shtrohet: a motivohet në mënyrë legjitime shpenzimi i parave publike dhe a pati ndonjë rezultat të prekshëm vizita në aspektin e interesit të marrëdhënieve ndërshtetërore? Pse nuk u shkrua qoftë edhe një rresht për të nga mediat kanedeze në Ottawa dhe Toronto, apo nga media shtetërore CBC/Radio-Canada?

Një juristi të respektuar, anëtar i Këshilli Bashkiak të Tiranës, dje i sugjerova madje, organizimin e një interpelance para këshillit me Erion Veliajn lidhur me këtë çështje. Shpresoj që ky shkrim t’i vijë në ndihmë. Madje i sugjeroj që kryetarit Veliaj t'i bëjë pyetjen pse ka shkelur rregullat e kodit të etikës së të zgjedhurve, duke pranuar të shoqërohet gjithë kohën në Toronto, nga individë që kanë biznese private në Kanada dhe në Shqipëri.

Motivimi, “dekori” i “vizitës” dhe e verteta

Opinionin tim profesional për prezencën e dytë të Erion Veliajt në Kanada (e para “incognito” i takon qershorit 2019 në Montreal) e kam shprehur qysh në titull. Ndërkohë, opinionin tim personal e deklarova qysh në momentin që dëgjova për ardhjen tij, duke u shprehur se ai ka të drejtë të shkojë kudo nëpër botë, për sa kohë që SPAK, nuk e ka penguar të lëvizë, ndërsa për mua personalisht, ai do mbahet mend në radhë të parë si shkatërruesi i Teatrit Kombëtar dhe si personi që kreu urbanicid, sidomos mbi qendrën e Tiranës tradicionale, së bashku me mentorin e tij, kryeministrin “rilindas” dhe pasardhës të “Bllokut” enverist, Edvin Rama. Në këtë pikë nuk pres të jenë dakord me mua të rinj (të ardhur në moshë të njomë, apo të lindur këtu) që jetojnë në Kanada e shkojnë aty si turistë, e që nuk kanë të regjistruar në memorien e tyre asgjë nga Tirana historike e dikurshme.

Bazuar në një analizë të kritereve protokollare dhe elementëve që përbëjnë një vizitë zyrtare shtetërore, konstatohet qartë se ardhja e Veliajt ishte një shëtitje private me paratë publike. Përmes një “dekori”, në më të shumtën e rasteve të stisur (shpesh madje qesharak) dhe një agjende takimesh jo formale, të realizuar totalisht mbi bazën e njohjeve personale, apo të raporteve që ka komunitetit shqiptar në Kanada me disa politikanë apo të zgjedhur, “vizita” u duk se e pat vënë jo pak në “hall” kreun e misionit diplomatik shqiptar në Ottawa, ambasadorin Ermal Muça, i cili është diplomat karriere.

Për z. Muça individ kam konsideratë të veçantë. Aktivitetin e tij si ambasador në Kanada prej gati 8 vitesh e kam ndjekur drejtpërdrejt. Flasshqip.ca, me aq sa ka qenë e mundur nga informacioni i kufizuar vënë në dispozicion, e ka pasqyruar atë me korrektesë profesionale. Misioni i tij si ambasador, sigurisht nuk mund të kalojë përtej kornizave të shtetit shqiptar dhe megjithë përpjekjet e tij vullnetmira, mund ta ndyshojë shumë pak, për të mos thënë aspak, agjendën e politikës së Jashtme kanadeze në raport më Shqipërinë.

Thënë shkurt, rezultatet mediokre të mandatit të tij, të zgjatur, dy herë përtej kufijve ligjorë për arsye që i di vetëm shteti shqiptar, nuk janë dështimi i tij personal, por janë rezultat i dështimit të diplomacisë mjerane shqiptare nga njera anë (përfshi dhe faktin që Shqipëria nuk votoi për Kanadanë anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB në vitin 2020 apo dhe historinë me ish-kompaninë kanadeze Bankers Petroleum) dhe nga ana tjetër, pasojë e interesit thuajse minimal të Kanadasë për rajonin ku ndodhet Shqipëria.

Nga ato që pashë e dëgjova në rrjetin social Facebook, sidomos fyes dhe i papranueshëm, mu duk diskursi bajat i Erion Veliajt në pritjen me komunitetin shqiptar të Torontos, në prezencë të ndoca 50 vetëve (që sigurisht ndodheshin aty për motive të ndryshme dhe që nuk i paragjykoj fare se është e drejta e tyre të shkonin) kur i drejtohej me emër ambasadorit Muça dhe pa asnjë tagër i paralajmëroi përfundimin e mandatit në Kanada. Ndërkohë, detyra e tij ligjore është të mbledhë plehrat, të mirëmbajë rrugët, të furnizojë Tiranën me ujë, të mbjellë ato 1 milion pemë që nuk i ka mbjellur akoma etj.

Vlerësoj faktin që ambasadori u tregua shumë profesional në komunikim dhe në asnjë rast nuk bëri propagandë për “arritjet” e Veliajt, apo shefit të tij Rama, që në fakt Veliaj si servil i vërtetë, nuk la rast pa e përmendur, para cilitdo nga kanadezët që u shtrëngoi dorën. Nga aq se e njoh z. Muça, duke vëzhguar dhe body language, kam përshtypjen se ai përjetoi dy ditët më të vështira të mandatit të tij si kryediplomat shqiptar në Kanada… I uroj me gjithë zemër, vazhdim të suksesshëm të karrierës!

Si u motivua shëtitja private në Kanada e kryetarit Veliaj e realizuar me paratë e taksapaguesve të Tiranës dhe fondet publike të Ambasadës në Ottawa?

Në parantezë, duke mos patur mundësine të shkoj në një seancë pyetjesh nga qytetarët që besoj se ekziston si procedurë në këshillin bashkiak të Tiranës, ftoj publikisht Ambasadën shqiptare në Ottawa, të publikoje cilat janë fondet që do deklarojë si shpenzime për “qokën” që iu bë Veliajt.

Si OJQ-ist dhe globalist me eksperiencë, për të justifikuar ardhjen, Erion Veliaj, kish planifikuar, përmes një aplikimi që ka një kosto, në mos gaboj rreth 1.000 dollarë për individët (ndërsa anëtarësia vjetore e një qyteti me madhësinë e Tiranës në këtë rrjet OJQ-sh kushton 15,000 dollarë) për të marrë pjesë në një forum të dorës së tretë, i quajtur Urban Economic Forum. Them i dorës së tretë, sepse në listën e keynote speakers, bashkë me Erion Veliajn, figuronte ministri i Turizmit i Xhamajkës, kryetarja ekzekutive e Këshillit Metropolitan të Accra (kryeqyteti i Ganës), kryetari i Bashkisë së Richmond Hill (Ontario), kryetari i Bashkisë Kitchener (Ontario) dhe Konsulli i Përgjithshëm i Meksikës në Toronto (shtypi kanadez javët e fundit ka shkruar disa artikuj rreth një shqiptari që dyshohet se pastron në Kanada paratë e Kartelit të famshëm Sinaloa në Meksikë). Shqiptaro-kanadezët, sigurisht e dinë se cilat janë bashkitë më të rëndësishme dhe metropolet kanadeze.

Një nga organizatorët e forumit në fjalë është Gil (Guillermo) Penalosa, që Erion Veliaj, në pritjen e organizuar nga ambasada në Toronto, e paraqiti edhe si këshilltar të tijin në mandatin e parë. Nëse vërtet ka qenë i tillë, e ftoj Veliajn të publikojë kontratën dhe shumën me të cilën është paguar Penalosa, që me sa di unë, nuk jep konsulencë falas.

Po kush është Gil Penalosa?

Gil Penalosa është një urbanist i njohur me origjinë nga Bogota e Kolumbisë (për dreq se ç’mu kujtuan dhe lidhjet e trafikut të kokainës Kolumbi-Shqipëri). Në Wikipedia si vitlindje e tij jepen vitet 1956 ose 1957. 1995-1998 ai ka qenë drejtor i parqeve dhe hapësirave rekreative në Bogota. Më 1998 është zhvendosur në Kanada, fillimisht si trade commissioner (atashe tregtar), përfaqësues i qeverisë së Kolumbisë. Në vitin 2001 vendosi të qëndronte në Kanada, sepse ndaj tij u hap në Kolumbi një çështje penale e shoqëruar me urdhër arresti, e cila u deklarua e mbyllur në vitin 2022, vit kur Penalosa (i cili ka punuar dhe disa vite në bashkinë Mississauga) kandidoi dhe humbi në garën për kryetar bashkie të Torontos përballë John Torry (Torry 62%, Penalosa 17,8%). Në 2023 Penalosa, mbështeti Olivia Chow. Babai i tij, Enrique Peñalosa Camargo ishte një zyrtar qeveritar liberal, i cili shërbeu si Nënsekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara në Konferencën UN-Habitat të OKB më 1976 në Vancouver, dhe më vonë si Përfaqësues i Përhershëm i Kolumbisë në OKB nga 1987 deri në 1990. Vëllai i tij, Enrique Peñalosa, ka qenë kryetar i Bashkisë së Bogota dhe garoi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2014, si kandidat për Aleancën e Gjelbër. UN-Habitat, është një nga institucionet që mbështet Urban Economic Forum ku mori pjesë Veliaj.

Kë takoi tjetër dhe kujt i shtrengoi dorën Erion Veliaj gjatë show-t banal në Kanada?

Them show banal, sepse i referohem videove amatoreske që u publikuan dhe llomotitjes në shqip me një nivel shumë amatoresk të Veliajt përballë personit me të cilin takohej.

Sërish një parantezë. Politikanët dhe të zgjedhurit kanadezë, janë lehtësisht të aksesueshëm. Kategoria që përfiton limuzin zyrtar, shofer apo bodyguard është shumë e kufizuar, Sidomos deputetët, këshilltarët apo kryetarët e bashkive, në marrëdheniet me komunitetet kulturore janë shumë të vëmendshëm, sepse është vota në pyetje. Sipas sistemit zgjedhor kanadez federal dhe provincial, zgjedhjet zhvillohen me sistemin mazhoritar me një tur dhe një votë e vetme mund të bëjë ta humbasësh mandatin. Në fakt është një sistem shumë difektoz, që ka gjasa të ndryshohet, sepse ndodh që një parti me 44% të votave merr 72% të vendeve në parlament, një parti me 12% të votave nuk merr asnjë dhe një tjetër me vetëm 13% të votave mund të marrë 11 deputetë.

Takimet e Veliajt ishin krejt jo formale. Ai nuk u ftua të vinte në Kanada nga asnjë zyrtar kanadez dhe nuk nënshkroi ndonjë një memorandum bashkëpunimi, që shpesh konkludon vizitat bilaterale zyrtare (të paktën sipas eksperiences time të drejpërdrejtë). Takimet u aranzhuan përmes ambasadës ose me ndihmën e kontakteve personale të individëve të caktuar. Nuk është në natyrën e zyrtarëve kanadezë të refuzojnë takime të tilla, kur kanë pak kohë të lirë, sa për kortezi, takime që u japin atyre kredite përballë komuniteteve kulturore.

Veliaj p.sh. takoi për pak minuta Mark Sutcliffe, kryetar i Bashkisë Ottawa. Madje tha dhe broçkullën e madhe kur e falenderoi atë për kushtet që na i paska krijuar komunitetit shqiptar të lulëzojë. Sa për dijeni, Sutcliffe e mbush vitin si kryetar bashkie më 24 tetor 2023. Ky i fundit nuk publikoi asnjë lajm në rrjetet sociale për takimin me Veliajn.

Bashkë me ambasadorin, Veliaj “drekoi” për disa minuta në Bistro&Boulangerie Cluny (Distillery District) në Toronto (nuk disponoj informacion kush e pagoi drekën) me deputetët federalë të Partisë Liberale, Rob Oliphant dhe Julie Dabrusin. Rob Oliphant, ishte i vetmi që publikoi një mesazh kortezie në Facebook, ku nënvizonte bashkëpunimin Kanada-Shqipëri në NATO. Oliphant, deputet i Don Valley West, është Sekretar Parlamentar i ministres së Punëve të Jashtme dhe lidhja e tij më e rëndësishme me Shqipërinë, është fakti se ishte ai që depozitoi në Dhomën e Komunave për ratifikim, të ashtuquajturën Marrëveshje e Pensioneve me Shqipërinë (e vetmja marrëveshje bilaterale mes dy vendeve në 36 vjet marrëdhënie), e cila pas mbylljes së negociatave në vitin 2015, mori 4 vjet për t’u nënshkruar dhe 3 vjet për t’u ratifikuar. Ndërkohë, deputetja tjetër, Julie Dabrusin (Danforth), Sekretare Parlamentare e ministrit të Mjedisit, një pjestare të stafit të saj e ka shqiptare. Në vitin 2018, ajo u shpall fillimisht si kryetare e grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri-Kanada, grup i cili nuk u bë kurrë efektiv. Asnjehërë në listën e funksioneve të saj nuk ka figuruar një fakt i tillë. Arsyet pse grupi nuk u bë efektiv, sigurisht i di mirë ambasada…  

Në pritjen më një grup shqiptarësh në Toronto, Veliaj i shtrëngoi dorën edhe Bhutila Karpoche, deputete e NDP në Ontario, e lindur në Nepal dhe e martuar me një shqiptar.

Veliaj takoi për disa minuta, në pjesën e pasme të shtëpisë së tij edhe kryeministrin e Ontarios Doug Ford, provincë deviza e të cilës është “open for bussines”. Ford njihet si shumë i thjeshtë në komunikim, sikurse dhe vëllai i tij i ndjerë, ish-kryebashkiaku i Torontos, Rob Ford. Kohët e fundit u shigjetua për faktin se qeveria e tij ndërroi destinacionin e terreneve në një pjese të atij që njihet si “Green belt” për të mundësuar ndërtime, për shkak të nevojës kritike për banesa, sipas mediave në favor edhe të disa investitorëve që patën marrë pjesë në dasmën e njerës prej vajzave të tij. Afera i kushtoi postin ministrit të strehimit të Ontarios, Steve Clarke, vendimi u anulua dhe Doug Ford pati kurajon të kërkonte falje publikisht. Për këtë aferë madje është hapur edhe hetim penal, çka sipas disa analistëve mund të kompromentojë të ardhmen politike të kryeministrit të Ontarios. Nga Ford, në asnjë nga profilet e tij në rrjetet sociale nuk u përmend fakti i takimit. Ndërkohë, dihet dhe lidhja familjare e tij me një kanadez me origjinë italo-shqiptare, i cili është bashkëshort i njerës prej vajzave të tij. Ai quhet John Karl Aiello-Bleta, me profesion bodybuilder dhe është nga ana e nënës, nipi i të ndjerit Karafil Bleta, emër shumë i njohur nga shqiptarët e Torontos, i ndarë nga jeta në vitin 2008 dhe emigrant politik i mbërritur në Kanada në vitet 50-të. Pra, kuptohet që lobimi për një takim informal disaminutësh me Ford në shtëpinë e tij nuk donte ndonjë diplomaci të sofistikuar.

Nga video e publikuar prej Veliajt dhe ambasadës në Ottawa për takimin me Doug Ford, më la pa mend deklarata e Veliajt kur e falenderoi Ford për mikpritjen ndaj shqiptarëve në Ontario, që e paskan filluar të gjithe nga zero dhe janë shkolluar këtu. Profani Veliaj ose nuk e di, ose bën sikur nuk e di, ose nuk i kanë thënë që imigracioni për Kanadanë është industri, është biznes, se pa imigracionin nuk ka të ardhme ekonomike dhe sociale për Kanadanë. A mos kujton vallë ky se ne kemi ardhur me gomone nga Atlantiku? Përjashto një përqindje të vogël azilantësh, të ardhur në rrugë klandestine, apo 7000 shqiptarët e Kosovës që mirëpriti dhe strehoi përfundimisht Kanadaja në vitin 1999 gjatë luftës, të tjerët kanë ardhur këtu me investimin e tyre personal si specialistë të kualifikuar, me njohuri të mjaftueshme të gjuhëve zyrtare duke paguar dhe mijëra dollarët për aplikim, përveç atyre që viheshin kusht t’i kishe kur mbërrin në Kanada. Ka me qindra mijëra shqiptarë, që vetëm me kualifikimet universitare në Shqipëri apo Europë janë integruar këtu direkt në profesion. Madje meqë profesionin e parë e kam patur nga fusha e muzikës, po sjell si shembull vetëm kornistin virtuoz nga Elbasani, Bardhyl Gjevori, të diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve, i cili dikur punonte në Orkestrën e Teatrit të Operas dhe Baletit, ndërsa sot punon në Orkestrën e Operas së Torontos.

Turin e vet privat Erion Veliaj e përfundoi në Bashkinë Mississauga, fqinje me Toronton, me një “gënjeshtër të vockël”. Deklaroi se takoi kryetaren e Bashkisë, Chris Fonseca. Në fakt, kryetarja e Mississauga, quhet Bonnie Crombie dhe është larguar me një leje dy mujore, për t’u zëvendësuar me rotacion nga këshilltarët (kjo sipas njoftimeve zyrtare të kësaj bashkie). Pra Chris Fonseca, këshilltare e Ward 3, ishte “acting mayor”, ditën që shkoi aty Veliaj. Sigurisht, ai nuk ka ditur dhe një fakt, që para 4 vjetësh, zj. Crombie, ka refuzuar vendosjen e bustit të Skënderbeut në një hapësire publike në Mississauga. Arsyet i dinë mirë ata që firmosën letrën zyrtare të kërkesës, banorë të Mississauga, sigurisht i di dhe ambasada. Këtë fakt e them me përgjegjësi të plotë, sepse kam qenë i angazhuar drejtpërdrejt në mbështetjen e kësaj iniciative.

Diskursi tip loghorrea i Veliajt para shqiptarëve që e pritën

Përballë atyre shqiptarëve të paktë që takoi, në Ottawa dhe Toronto, Erion Veliaj, përgjegjës për pastrimin e plehrave në Tiranë, për mirëmbajtjen e rrugëve, kanalizimeve dhe furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë, në fakt u soll si zëdhënës i shefit të tij, që është dhe kreu i oligarkisë së ndërtimit që vazhdon të betonizojë Tiranën, madje dhe si imitues i tij, por me një llomotitje krejt inkoherente të tipit loghorrea. Ra qartë në sy që e kishte shqetësuar shumë dhe reagimi publik i 120 shqiptaro-kanadezëve, që patën kurajon të denoncojnë në Kanada, një politikan të korruptuar shqiptar. Në fund të fundit, bashkia është e qytetarëve dhe jo e Erion Veliajt.

Për sa mbante mend vetë ai nga historia, për Veliajn jemi në ditët më të mira të marrëdhënieve shqiptaro-kanadeze dhe ambasada është kthyer në vatër, derë e hapur për shqiptarët. Sipas Veliajt, që me mënyrën si flet e ofendon dhe cinizmin, pavarësisht sportit kombëtar për t’u ankuar, ne shqiptarët jetojmë sot ditët tona më të mira… madje ironizoi në mënyrën më idiote duke thënë “është normalizuar me qenë kundër Tiranës, kundër Amerikës dhe Europës në disa rrjete sociale, medemek kundër kolonizatorëve që mund të jenë Tirana, Brukseli, apo Washingtoni… kjo është një modë shumë e rrezikshme… është kthyer në modë që shqiptarët të shahen me njeri-tjetrin…” Para shqiptarëve në Toronto u shpreh se gjithmonë kish qenë shumë i fasinuar, (qysh nga fëmijëria në Urën Vajgurore), nga fakti se sa hajër bëjmë ne shqiptarët jashtë Shqipërisë. I ra disa herë nga Ukraina dhe Izraeli, për të thënë çfarë të bën fqinji, po asnjëherë nuk e përmendi Serbinë.

E vërteta për marrëdhëniet Shqipëri-Kanada

Nuk do merrem fare të komentoj broçkullat e tij që veçova më lart, përveçse njerës, “jemi në ditët më të mira të marrëdhënieve shqiptaro-kanadeze”, sepse kjo deklaratë, është jo vetëm euforike, por edhe e pavërtetë. Ky lloj diskursi është tipik i stilit “rilindas”, që e ka mbushur shtetin me të paaftë dhe karagjozë, e ka degraduar edhe diplomacinë shqiptare deri në atë pike, sa nuk na marrin më shumë seriozisht në shumë vende. Kush mendon se drejtimi i Këshillit të Sigurimit në OKB (ku USA aktualisht për shkak të konflikteve në botë ka nevojë për një shtet që e komandon me sustë) apo pjesëmarrja e Shqipërisë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB (bashkë me Kubën, Kinën apo Rusinë) është sukses i liderit global, gënjen veten.

Po të kishte shtet serioz në Shqipëri dhe nësë Kanadaja do ta kishte prioritet Shqipërinë, ambasada shqiptare nuk do kishte kohë të merrej me komunitetin aq sa merret aktualisht (si dikur atashetë kulturorë të kohës së Enverit), por do merrej me thellimin e marrëdhenieve bilaterale, me shtimin e marrëveshjeve bilaterale dhe me shtimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, me heqjen e vizave, me njohjen e lejeve të drejtimit të automjeteve apo me programe të posaçme për këmbimin e studentëve etj.

Profanit Veliaj dhe gjithkujt që mendon si ai, do t’u rendis disa fakte sepse kjo është një temë për të cilën nuk është e para herë që shkruaj dhe informacionin e bazoj në radhë të parë te të dhënat e institucioneve kanadeze, lehtësisht të verifikueshme në Internet. Veliajt me shokë vazhdojnë të thonë marrëdhenie të shkëlqyera, ndërsa politika e Jashtme kanadeze i vlerëson ato si “pozitive”, “modeste” në aspektin tregëtar dhe thekson partneritetin e ngushtë në kuadër të NATOS, për faktin se në misionin e Lituanisë, që komandohet nga Kanadaja, ka edhe një kompani të ushtrisë shqiptare.

Madje meqë jemi te NATO dhe Lituania, a i ka bërë pyetje ndonjë nga mediat shqiptare, ministrit të Mbrojtjes, apo kryeministrit, si është puna e atij hetimit për ngacmim seksual nga një ushtarak shqiptar ndaj një pjestareje të Forcave të Armatosura Kanadeze me shërbim në Lituani? Lajmi është publikuar në disa media kanadeze para disa ditësh, sepse kjo temë është shumë e ndjeshme për publikun kanadez, për shkaqe që kush do t’i dijë, mund të gjejë lehtësisht informacion online.

Edhe një herë për kujtesë, në 36 vjet marrëdhënie diplomatike me Kanadanë, është nënshkruar vetëm një marrëveshje, ajo për sigurimet sociale. Ndyshe nga deklarata e gënjeshtërt e Veliajt (gjendet lehtë online) pak ditë para se të jepte dorëheqje nga posti i ministrit të Çështjeve Sociale në prill të vitit 2015 për të kandiduar si kryetar bashkie, merita për kryerjen e negociatave që u mbyllën atë vit, nuk është vetëm e qeverisë “rilindase”. Puna për këtë marrëveshje pat nisur që në kohën kur ambasador në Kanada ishte z. Besnik Konçi e më pas vazhdoi nga ambasadorja zj. Petoshati. Në vitin 2016, ambasador erdhi z. Muça. Firmosja dhe ratifikimi mori 7 vjet, sigurisht jo për faj të ambasadorit, por sepse Kanadaja refuzoi të ftonte një ministër shqiptar për të firmosur dhe më në fund, Shqipëria, që të mos i dilte era kësaj pune, lejoi që marrëveshjen ta nënshkruante në vitin 2019 ambasadori me zëvendëskryeministren dhe Ministren e Jashtme Chrystia Freeland. Ndërkohë, ratifikimi mori dhe 3 vjet të tjera.

Nga viti 2015, në Kanada nuk ka ardhur asnjë zyrtar i lartë shqiptar në vizitë zyrtare. Para kësaj periudhe, Kanadanë e patën vizituar zyrtarisht, kryeministri Berisha, kryeparlamentarja Topalli dhe kreu i diplomacisë Bushati. Prej vitit 2013 janë përfunduar negociatat për Marrëveshjen e Mbrojtjes së Investimeve të Huaja (Foreing Investment Protection Agreement) dhe pas 10 vjetesh nuk ka asnjë hap përpara, ndërkohë që diplomacia e Kosovës e realizoi atë brenda tre viteve. Kush do t’i gjejë arsyet, le të pyesë ata që kanë njohuri për atë se çfarë ndodhi me ish-kompaninë kanadeze Bankers Petroleum apo pse edhe pas kërkesës që Trudeau i bëri Ramës në Mynih në vitin 2022, në një takim të NATO-s, Shqipëria nuk e votoi kandidaturën e Kanadasë në Këshillin e Sigurimit të OKB. Ndërkohë, kujtoj që Vjosa Osmanit, presidente e Kosovës, pas pjesëmarrjes në një forum për Sigurinë në Halifax në nëntor të vitit 2021, iu rezervua edhe pritje e veçantë në Ottawa nga kryeministri kanadez dhe Guvernatorja e Përgjithshme.

Në kohën e tërmetit të vitit 2019, qeveria kanadeze ofroi për Shqipërinë vetëm 135,000 dollarë. Turpi në këtë rast, nuk është i Kanadasë, por i diplomacisë shqiptare dhe sigurisht i ne të gjithëve, që nuk kemi arritur të ndikojmë dhe sensibilizojmë sa duhet politikën kanadeze.

Gjatë mandatit të tij 8 vjeçar, ambasadori mund të ngushëllohet disi me vizitën e vitit të kaluar në Tiranë, të ish-kreut të Dhomës së Komunave Anthony Rota, që nuk pati asnjë produkt konkret. Speaker i Parlamentit në Kanada në fakt është një funksion formal. Për më tëpër, ky i fundit u dorëhoq nga posti para disa javësh, pas një gafe monumentale që bëri gjatë vizitës së presidentit ukrainas Zelensky, duke ftuar dhe nderuar në Parlament një ukraino-kanadez ish-nazist.

Ndërkohë, vizita e paradokohshme në Tiranë e krydiplomates kanadeze, Mélanie Joly, ishte në kuadër të një turi në Ballkan (Ljubljanë, Shkup, Tiranë) për shkak të situatës gjeopolitike në Europë. Vizita nuk solli asgjë të re për marrëdhëniet dypalëshe.

Nga një kërkim në faqen web të Global Affairs Canada, mbi të dhënat rreth marrëdhënieve të Kanadasë me vendet e Ballkanit (Slloveni, Kroaci, Serbi, Maqedonia e Veriut, Kosovë, Shqipëri dhe Mali i Zi, pa llogaritur Greqinë), nga formulimet përshkruese, nga krahasimi i shifrave dhe numri i marrëveshjeve të nënshkruara, më rezulton se Shqipëria dhe Mali i Zi, renditen të fundit.

Në Tiranë aktualisht nuk ka asnjë diplomat kanadez, përveç një asistenti konsullor shqiptar që vetëm transmeton dokumenta aplikimi për vizë në Romë, ku ndodhet ambasada që mbulon edhe Shqipërinë.

Ndryshe nga rasti i shumë vendeve të tjera, marrëdhëniet më të cilat qeveria kanadeze i konsideron prioritare (përfshi dhe shtete të vegjël në Europë apo Ballkan), kam konstatuar madje që edhe në rastin e festës kombëtare të Shqipërisë, asnjëherë nuk publikohet deklaratë e posaçme e kryeministrit Justin Trudeau në faqen e tij zyrtare.

Sigurisht ka edhe një element tjetër, që luan rol në nivelin e marrëdhënieve dypalëshe, fakti që politika e Jashtme kanadeze është shumë më e orientuar në kontinentin amerikan, si dhe në zonën e Indo-Pacifikut dhe fare pak në Ballkan, që nuk është i gjithi pjesë e Bashkimit Europian. Ndërkohë, me BE, Kanadaja ka nëshkruar një marrëveshje të veçantë për bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar.

Ky nivel marrëdhëniesh, aspak në “ditët më të mira”, më bën të shtroj madje pyetjen, përse i duhet Shqipërisë një ambasadë në Ottawa? A nuk duhet që edhe një shtet i vogël të aplikojë me dinjitet parimin e reciprocitetit?

Niveli aktual i marrëdhënieve Shqipëri-Kanada, nuk e justifikon mbajtjen e një ambasade me shpenzimet përkatëse, që madje detyrohet të ofrojë spektakle të shpifur si turi privat i Erion Veliajt. Shqiptarët e Kanadasë nuk kanë nevojë për “komisarë diaspore”, se janë krejt të integruar këtu dhe Kanadaja u garanton atyre çdo të drejtë, përfshi dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe identitetit. Madje për të ngritur flamurin para çdo godine bashkie apo parlamenti provincial, nuk ka nevojë fare për ndihmën e ambasadës.

Fare mirë Kanadaja mund të mbulohet nga ambasadori shqiptar në SHBA. Për shërbimet konsullore (përfshi dhe pasaportat) do mjaftonte një zyrë konsullore në Toronto dhe madje shpenzimet e ambienteve mund të ndahen me Kosovën, që e ka një konsullatë në Toronto. Për nxitjen e bashkëpunimit dypalësh ekonomik dhe kulturor, në qytetet e mëdha do mjaftonin disa konsuj nderi (vetëm një e kemi në Vancouver), të cilët nuk i kushtojnë shtetit shqiptar asnjë cent.   

Login to post comments