Në një reagim, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është shprehur se Samiti zhvillohet kur në Shqipëri udhëheq një qeveri e korruptuar dhe autoritariste, ndërsa opozitës i mohet e drejta kushtetuese.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike e konsideron Procesin e Berlinit me një rëndësi strategjike për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor. Prandaj, qeveria shqiptare duhet të shpallë zyrtarisht heqjen dorë nga nisma e rrezikshme Rama-Vuçiç për Ballkanin e Hapur. Procesi i Berlinit duhet të jetë e vetmja linjë zyrtare në ndërtimin e marrëdhënieve rajonale dhe europiane.
Mirëpo, fatkeqësisht Samiti i Procesit të Berlinit e gjeti Shqipërinë me Qeverinë më të korruptuar në Europë dhe me një Parlament-noter të akteve korruptive të kryeministrit që, me forcën e kartonit, ka mbyllur çdo hapësirë institucionale për opozitën.
Nuk ka asgjë të sinqertë në deklaratën e sotme të Kryetares së Kuvendit “për garantimin e legjitimitetit demokratik dhe për gjithëpërfshirje në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë”. Më së paku, kjo është hipokrizi!
• Gjithëpërfshirja nuk sigurohet duke përjashtuar opozitën!
• Gjithëpërfshirja nuk sigurohet duke i mohuar opozitës të drejtat kushtetuese.
• Gjithëpërfshirja nuk sigurohet duke rrëzuar kërkesat për kontroll parlamëntar përmes Komisioneve Hetimore.
• Gjithëpërfshirja nuk sigurohet duke bllokuar të drejtën e opozitës për pjesëmarrje në Reformën Zgjedhore.
• Gjithëpërfshirja nuk sigurohet duke përjashtuar opozitën në mënyrë arbitrare dhe duke mbyllur çdo hapësirë institucionale.
Asgjë nga këto nuk është gjithëpërfshirje, por një tentativë e qartë e partisë në pushtet për të eliminuar opozitën dhe pluralizmin politik në Shqipëri!