"Sot është koha të shpëtojmë Shqipërinë" theksoi Kryetari i PD-së, Sali Berisha, sot në parlamentin e braktisur nga deputetët e PS-së dhe të lënë në terr qëllimisht nga drejtueset e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe Ermonela Felaj. Për kryetaren e Kuvendit, Nikollën, e cla rregullisht ka sabotuar çdo nismë të PD-së, Berisha pati një mesazh më vete: "Çfarë opozite mund të quhemi ne kur vasalja e Edi Ramës shndërrohet në zyrën e shtypit të Lul Bravës kundër nesh në parlament?!" tha ai.
"Ne do bëjmë gjithçka të përmbushim misionin tonë. Edhe njëherë, ne jemi në mision, - theksoi kryetari i PD. - Ju e patë dy ditë më parë, zbarkoi në Tiranë e gjithë elita politike kryesore europiane.
Më thoni pak a u lëshua qoftë një komunikate nga ky samit që mblodhi Europën? Asnjë fjalë, asnjë rresht, asnjë komunikatë.
Sigurisht ata nuk flasin me këtë fjalor, por ama nëse ka një vend ku ata janë vjedhur në mënyrën më të paskrupullt, është Shqipëria.
Qindra milionë euro të taksapaguesve europianë, të destinuara për fermerët, kanë përfunduar në vila, hotele me 5 yje, të oligarkëve apo familjarëve të qeveritarëve shqiptarë.
Askush të mos mendojë se Edi Rama apo BE mbështet një mobokraci, një regjim ku sundon banda e krimi.
Natyrisht samiti u mblodh në Tiranë, por gjeostrategjik ka peshën e vet dhe në mesin e të gjitha vendeve të këtij gadishulli, në rrafshin gjeostrategjik, Shqipëria është numri 1.
I garantoj partnerët tanë europianë, KE dhe SHBA, se ne kemi qenë dhe do mbetemi të palëkundur në rrugën e integrimeve euroatlantike dhe evropiane.
Ne do vazhdojmë të mbetemi garante e plotë e vlerave europiane dhe vokacionit perëndimor të kombit shqiptar.
Edhe njëherë ju përshëndes dhe kërkoj njerëzisht vëmendjen tuaj ndaj protestës tonë. T’i shpjegojmë shkaqet se pse ne vendosëm, çfarë opozite mund të quhemi ne, nëse Edi Rama përcakton përfaqësuesin tonë në komisionin e reformës zgjedhore? Çfarë opozite mund të quhemi ne kur vasalja e Edi Ramës shndërrohet në zyrën e shtypit të Lul Bravës kundër nesh në parlament?
Atë po të duan mund ta bëjnë te selia e PS, po jo në parlament. Parlamenti është tempulli i demokracisë dhe pluralitetit.
Unë kam besim të madh te çdo shqiptar.
Sot është koha që shqiptarët të bashkohen kudo që janë, në Shqipëri, emigracion dhe diasporë dhe të shpëtojmë Shqipërinë nga ky regjim që është sundim i bandave dhe krimit.
Është forma më e keqe e diktaturave, thotë Samuel Huntigton."