Berisha: S'do ta lejojmë kurrë Edi Ramën, këtë tradhtar, të përdorë pushtetin e shqiptarëve kundër Kosovës!

E Enjte, 19 October 2023 12:25

Sali Berisha, kryetari i PD-së, u zotua sot nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, gjatë një proteste të opozitës, se "nuk do lejojmë kurrë Edi Ramën, këtë tradhtar që të përdorë pushtetin e shqiptarëve kundër Kosovës".

Berisha foli gjatë në kushtet e errësirës, pasi drejtuesja e Kuvendit, N/Kryetarja Ermonela Felaj dhe deputetët e PS e ndërprenë energjinë elektrike kur u larguan, pasi nuk u lejuan ta vazhdonin seancën sipas programit të tyre duke i mohuar çdo të drejtë deputetëve të opozitës. 

 

:Unë jam i bindur se qindra mijëra nga ju do të donit të ishit sot në këtë sallë dhe për këtë ju falënderoj me shumë mirënjohje, - tha Berisha. - Por nga ana tjetër theksoj se sot, gjer në rikthimin e votës së lirë, betejën do e vazhdojmë së bashku. Në parlament do luftojmë ne për ju se ne ju përfaqësojmë ju dhe kemi votëbesimin tuaj. Jam i sigurt se këtë prisni nga ne dhe pikërisht për këtë arsye kemi marrë këtë vendim.

Ne e duam shumë parlamentin, ne kemi themeluar parlamentarizmin pluralist, por aty ku vdes pluralizmi, parlamenti shndërrohet në një institucion vdekësor të demokracisë, shndërrohet në një vegër të verbër të kreut të krimit të organizuar shqiptar, Edi Ramës.
 
Kjo betejë nuk është betejë e lehtë, është një betejë e vështirë, por është absolutisht një betejë e sigurt që do ecim drejt fitores.
 

Ne e meritojmë fitoren, ne mbrojmë këtu një kauzë të drejtë.

Ne nuk do pranojmë më kurrë që Tirana të shndërrohet në epiqendër të luftës së ftohtë kundër gjysmës së kombit.

Nesër në Nju Jork, bashkëatdhëtarët mblidhen për të protestuar kundër Sllobodanit të ri, dhe dhjetë ditë më parë ata protestuan ndaj aktit terrorist në Kosovë, të organizuar nga Beogradi.

Kurse argati i shpifur i Millosheviçit të ri, shndërroi edhe tre ditë evropiane të Shqipërisë, në tre ditë kundër shqiptarëve të Kosovës.

Nuk do e pranojmë më kurrë një situatë të tillë dhe pa diskutim do të mbrojmë me gjithë forcën tonë interesat kombëtare aty ku ato shkelen.
Kosova ka sot qeverinë e vet, të zgjedhur në mënyrën më demokratike. Ka një kryeministër, ndaj të cilit nuk rëndon sot asnjë lloj akuze që rëndojnë mbi Aleksandër Vuçiç dhe familjen e tij, mbi Edi Ramën dhe familjarët e tij.

Ne nuk do përzihemi në punët e brendshme të Kosovës, por nuk do lejojmë kurrë këtë tradhtar që të përdorë pushtetin e shqiptarëve kundër Kosovës.
Ka tejkaluar çdo limit, çdo kufi!

Sot, mendjet ndër më të shquarat në Europë, e cilësuan si Pashiqi shqiptar, apo kryeministri më i mirë i Serbisë pas Nikolla Pashiqit.

Sot në çdo familje të Kosovës, çdo fëmijë, çdo burrë, çdo grua, çdo i ri, çdo e re, e quan vëllai i Vuçiçit.

Për çdo shqiptar, ky është argati i shpifur i Vuçiçit.

Ndaj, të gjithë ata që e duan Shqipërinë, e duan kombin, duhet të ngrihen se ju garantoj se shkelmimi i interesit kombëtar është shkelmim i interesit personal më të rëndësishëm.

Ky tradhtar lobon në katër anët e Europës për bllokimin e vizave për Kosovën dhe ky është një akt i shëmtuar. Ky është një akt çnjerëzor, ky është një akt antikombëtar.

Ju e patë vetë se si kërceu në esktazë kur presidenti i Francës u shpreh për mundësinë e anulimit të vizave.

Por unë ju garantoj se vizat, Kosova do i marrë dhe Shqipëria do jetë vendi i parë që do i hiqen vizat nga Komisioni Europian.

Lexoni pak direktivat e reja të Komisionit për heqjen e vizave. Shqipëria plotëson çdo kusht që Komisioni ka përcaktuar për anulimin e tyre.

Ndaj dhe është koha të flasim, të flasim të gjithë për interesin tonë, për interesin e çdo qytetari, por për interesin e kombit, pa të cilin nuk ka interesa të qytetarit të vërteta."

Login to post comments