Kryetari i Partisë Demokratike. z. Sali Berisha, e ka nisur konferencën e sotme për shtyp duke bërë një deklaratë në emër të Partisë Demokratike.
"Jam këtu për të përshëndetur në emër të PD, rezolutën e Parlamentit Evropian kushtuar Kosovës, në të cilën, në çdo paragraf, del e qartë përgjegjësia e plotë e Serbisë në të gjitha zhvillimet konfliktuale në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, në përpjekjet e saj konstante për destabilizimin e Kosovës, në qëndrimet e saj, të cilat fund e krye orientohen drejt mbajtjes së shtetit serb në Kosovë," tha Berisha.
"Rezoluta me qartësi të kristaltë, kërkon hetimin e lidhjeve të Serbisë me grupin terrorist të armatosur, të stërvitur në territorin e saj, dhe të dërguar në Kosovë. Akt ky që u parapri nga një seri aktesh të tjera dhune, të nxitur nga falanga serbe, bojkote të udhëhequra nga Lista Serbe, një parti terroriste e inkriminuar në të gjitha segmentet e saj. Do më falni, por tmerrësisht simotër me partinë e Vuçiçit dhe partinë e Edi Ramës. Sepse asnjë normë demokratike ajo nuk lejoi.
Udhëhiqet nga ekstremistë dhe terroristë si Radoiçiç, mban lidhje të tmerrshme me bandat dhe krimin njësoj si partia e Vuçiçit dhe partia e Edi Ramës."