Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ua ka bërë të qartë diplomatëve perëndimorë që ishin sot në Prishtinë se prioriteti kryesor dhe çështja urgjente për Kosovën është siguria e saj, pas sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Në njoftimin e Kryeministrisë të shtunën thuhet se Kurti u ka thënë diplomatëve se ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje të sulmeve të tilla.
Zyra e Kryeministrisë ka konfirmuar se emisarët kanë ofruar planin e tyre për ecjen përpara në dialog, për të cilin Kurti i ka falënderuar.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mioslav Lajçak, i shoqëruar nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë, ishin sot paradite në Prishtinë dhe zhvilluan një takim me Kurtin. Ata kanë thënë se kanë ardhur me një plan, të cilin do t’ia prezantojnë edhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq më vonë. Tutje, ata kanë kërkuar që palët t'i kthehen dialogut dhe zbatimit të marrëveshjes të arritur më herët këtë vit.