Procesi politik ndaj Berishës/ Gazment Bardhi: Basha hesht i detyruar, koha do e provojë këtë

Premte, 27 October 2023 21:13

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”, shpjegoi pse Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë heshtur për procesin politik ndaj kryetarit demokrat, Sali Berisha. Në intervistën me gazetaren Elona Meço, Bardhi tha se “Lulzim Basha hesht i detyruar” dhe se institucionet e drejtësisë do të duhet te zbardhin arsyet e kësaj heshtje.

Elona Meço: Ua ka vrarë veshin heshtja në dy kampet politike, njëri është kampi i kryeministrit, që kërkonte me insistim nga SPAK një vit e gjysmë më parë të çonte para drejtësisë Berishën dhe Metën. Tjetri është kampi i zotit Basha, i cili i kërkonte SPAK-ut të ndëshkonte politikanët e korruptuar, por për këtë çështje nuk ka mbajtur asnjë qëndrim. Pse mendoni që po veprojnë kështu?

 
 

Gazment Bardhi: Mendoj se, përsa kohë zoti Berisha është një nga faktorët më të rëndësishëm në opozitë, çdo veprim i drejtësisë ndaj tij, do të duhet të marrë vëmendjen e faktorëve të tjerë politikë, përfshirë këtu kryeministrin. Pra, do të duhet të ketë një qëndrim të tij dhe të zotit Basha, pasi zoti Basha ka qenë bashkëpunëtori më i afërt i zotit Berisha prej vitit 2005. E kam një shpjegim pse heshtin, por besoj që për opinionin publik shpjegimi do të zbulohet në vijimësi.

 
 

Elona Meço: Pse ky mister kaq i madh?

Gazment Bardhi: Sepse nuk është çështje e imja. Ju do të shikoni që keni për të zbuluar arsyen përse disa janë te detyruar të heshtin për çështje të caktuara.
 

Elona Meço: Janë të detyruar? S’po e bëjnë për strategji komunikimi?

Gazment Bardhi: Po, janë të detyruar. Janë të detyruar të heshtin për çështje të caktuara

Elona Meço: Këta “disa” janë edhe Rama, edhe Basha apo vetëm njëri nga këta të dy?

Gazment Bardhi: Zoti Rama ka një mal me çështje që do të duhet të hetohen në SPAK, por për çështjen konkrete, zoti Basha është i detyruar të heshtë.

Elona Meço: Sa do të duhet të presim për këtë, pasi qenka shumë interesante.

Gazment Bardhi: Do të duhet të presim që institucionet të bëjnë punën e tyre.

Elona Meço: Institucionet e drejtësisë?

Gazment Bardhi: Patjetër që institucionet e drejtësisë.

Login to post comments