Banorët e fshatit Mezhgoran të Tepelenës kanë bërë publike një leter drejtuar Ministrit të Brendshëm ku i ankohen për sjelljen brutale të policisë dhe të institucioneve te pushtetit vendor.
Ata duan që të ndalohet vjedhja e ujit të fshatit, akt ky që po kryhet nga një firmë private dhe që ka mbështetjen e policisë dhe të strukturave vendore. Ndërkohë që të gjithë banorët e kane kundërshtuar pasi fshati do të detyrohen që të lënë pronat e tyre dhe të ikin pasi s’do të ketë ujë.
“Nëse na marrin këtë ujë, ne do të largohemi të gjithë nga ky fshat. Pa ujë këtu nuk ka jetë”, thuhet ne letër.
E plotë:
Letër drejtuar Ministrit të Brendshëm, Z. Taulant Balla
Nga banorët e fshatit Mezhgoran të Tepelenës.
ZOTIT TAULANT BALLA
Ne, banorët e fshatit Mezhgoran të rrethit të Tepelenës, kemi mbi një muaj që jemi ngritur në një protestë e cila ka si objektiv pengimin e marrjes së ujit të fshatit tonë nga një biznes privat. Firma është fantazmë sepse nuk zotëron asnjë dokument për këtë investim e për më keq, ajo kërkon mbështetje nga policia cdo ditë që shkon në fshat e vendos tubat e ujit. Ne jemi të indinjuar për këtë projekt i cili e lë fshatin tonë pa ujë. I jemi drejtuar gjykatës, por, as firma e as bashkia nuk na japin dokumentat e duhura. Kjo gjë na ka indinjuar dhe ndaj protestojmë. Por policia e shtetit disa herë ka ushtruar dhunë ndaj nesh, për këtë ka edhe pamje filmike të cilat janë bërë edhe mediatike. Banorët i kanë kërkuar policisë që firma duhet të paraqisë dokumentat përkatëse për të vijuar punën, ndërsa shefi i komisariatit të Tepelenës, Florian Rrasa, gënjeu banorët duke u thënë se dokumentat ai i ka në zyrë dhe për me keq na kërcënon me burg e me kod penal. Përse duhet të rrinë këto dokumenta në zyrën e tij, kur ne kemi tri javë që po i kërkojmë!? Policia duhet të jetë me qytetarin e pambrojtur e jo me një firmë që si kucedër i është qepur ujit të fshatit tonë duke na e marrë atë. Pa këtë ujë, fshati ynë vdes. Ne do ta mbrojmë ketë ujë, por policia duhet të distancohet nga fijet e këtij bisnesi që janë vetëm për të vjedhur. Situata mund të përkeqësohet më tej. Uji është yni e do të mbetet te ne.
Nëse na marrin këtë ujë, ne do të largohemi të gjithë nga ky fshat. Pa ujë këtu nuk ka jetë.
Zoti Ministër, na ndihmoni! Shqipëria nuk duhet të boshatiset më tej!
Nga banorët e fshatit Mezhgoran Mezhgoran. 02.11.2023
Kryetari, Festim Cani