Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock mbajti sot një fjalim programatik për afrimin e BE me kandidatët e BE. Në konferencën e Berlinit marrin pjesë ministra të Jashtëm të BE e nga shtetet qe synojnë BE.
Nga Deutsche Welle
Qeveria gjermane parashtroi sot përfytyrimet e saj për zgjerimin dhe reformimin e BE në situatën aktuale. Në një konferencë pune në Berlin, ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock u shpreh për hapjen e Bashkimit Evropian në fusha të caktuara për shtetet kandidate, edhe para anëtarësimit.
Baerbock tha se veçanërisht përballë luftërave në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, BE duhet të ndërmarrë reforma të thella për t'u përgatitur për të ardhmen gjeopolitike. "Ne kemi nevojë për forcë për të luftuar këtë krizë së bashku. Ne duhet të notojmë kundër valës," tha ajo.
BE duhet të krijojë një udhërrëfyes që do ta mundësonte këtë, gjatë legjislaturës së ardhshme të Parlamentit Evropian dhe përballë debatit për zgjerimin.
Baerbock e quajti zgjerimin e BE-së një domosdoshmëri gjeopolitike. Ajo tha se presidenti rus Vladimir Putin "do të vazhdojë të përpiqet të gërmojë një hendek perandorake përmes gjithë Evropës, i cili të ndajë Ukrainën nga ne, por edhe Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Ballkanin Perëndimor". Nëse këto vende do të destabilizoheshin përgjithmonë nga Rusia, kjo "do të na bënte të gjithëve të pambrojtur".
Gjashtë shtete të BP, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia mund të jenë përfitues të këtij afrimi gradual.
Gjermania për afrimin gradual edhe para anëtarësimit të kandidatëve
Gjermania mbështet afrimin gradual edhe para anëtarësimit të shteteve kandidate në BE me strukturat e BE, si p.sh. në Këshillin e Ministrave të BE, bën të ditur ndër të tjera Süddeutsche Zeitung. Vendet që kanë mbyllur disa kapituj të procedurës së anëtarësimit mund të ftohen në Bruksel si vëzhgues në mbledhjet përkatëse të Këshillit.
Një sërë propozimesh reformash mund të zbatohen krahas procesit të zgjerimit.
Berlini dëshiron që të hapen më parë për kandidatët e BE programe të BE, si kërkimi shkencor, roaming për telefoninë celulare ose procedurat e thjeshtuara të vizave. Në veçanti, të rinjtë duhet të lejohen të përfitojnë nga përfitimet e BE-së edhe para se vendi i tyre të bëhet anëtar i plotë. Programet e studimit, për shembull bursat Erasmus, duhet të zgjerohen.
Për Gjermaninë, kjo nuk nënkupton shkurtim të rrugës për anëtarësim në BE. Baerbock tha se "nuk do të ketë shkurtesa në procesin e anëtarësimit, dhe veçanërisht jo në fushën e sundimit të ligjit". Por aty ku ka progres, ky progres duhet të shpërblehet në një mënyrë “të dukshme dhe të prekshme”.
Në kuadër të reformës së BE, Gjermania do të kërkojë që pagesa e fondeve të BE në të ardhmen të orientohet më fort në respektimin e parimeve demokratike dhe të shtetit ligjor. Për këtë do të thjeshtohen procedurat e vënies para përgjegjësisë së shkelësve.
Ide të ngjashme paraqiti në samitin BE- Ballkan Perëndimor në Tiranë kryetarja gjermane e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në fakt në Bruksel, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, po shqyrtohet në grupe pune afrimi para anëtarësimit i kandidatëve me fusha të BE.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka ritheksuar interesin gjeopolitik të BE dhe të Gjermanisë për hapa konkretë në afrimin me kandidatët, veçanërisht me shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Gjermania përcakton tonin para mbledhjes së Këshillit Evropian
Me konferencën e sotme në Berlin, në të cilën morë pjesë ministrat e Jashtëm të BE bashkë me homologët nga 10 shtete kandidate, Gjermania përcakton tonin para mbledhjes së Këshillit Evropian. Në fund të nëntorit, shefat e shteteve dhe të qeverive të BE do të vendosin njëzëri për hapat e mëtejshëm. Para këtij hapi, në 8 nëntor Komisioni Evropian do të paraqesë një raport për zgjerimin me anëtarë të rinj. Pritet që KE të japë një rekomandim për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë.
Burime nga ministria e Jashtme gjermane bëjnë të ditur se takimi i sotëm është organizuar në disa pjesë. Pas fjalimit programatik të ministres së Jashtme Baerbock, pasoi një referat ekspertësh dhe një diskutim.
Më tej, ministrat e Jashtëm diskutuan në mënyrë të thelluar jo publikisht në grupe pune për aspektet e zgjerimit. Në një panel të posaçëm, ministrja e Shtetit për Evropën dhe Klimën, Anna Lührmann diskutoi për tema konkrete të reformës së BE.