Ja disa nga shembujt se si Edi Rama e kontrollon SPAK-un

Saturday, 04 November 2023 13:55

Për ata që e akuzojnë se ka kapur drejtësinë e re, Edi Rama dha një shpjegim të thjeshtuar që sipas tij tregon të kundërtën. “Një forcë, – tha ai,- një qeveri, një kryeministër që do të kapi drejtësinë për çfarë do ta kapi: Do ta kapi që mos t’i kapin askënd. Se ta kapësh drejtësinë, që pastaj të të kapin ato që nuk do që të t’i kapin, kjo nuk është kapje e drejtësisë”. 

Ky shpjegim, që sjell si argument goditjet që SPAK i ka dhënë bashkëpuntorëve të Edi Ramës u rindez dy javët e fundit, kur SPAK sekuestroi pasaportën e Sali Berishës dhe urdhëroi arrestimin e dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi për çështjen e kompleksit ‘Partizani”. 

 

Diskutimet për kapjen e drejtësisë së re nga Partia Socialiste u rindezën, pasi goditja ndaj Berishës ishte paralajmëruar, ndërsa vetë Rama e ka shmangur një koment direkt për këtë çështje, edhe pse ka qenë Partia Socialiste që depozitoi kallëzim në SPAK për privatizimin e kompleksit Partizani.

Ajo që ka ndodhur në të vërtetë është pak më e komplikuar se versioni që tregoi Rama dhe që i përshpejtoi tundjet e kokës së Taulant Ballës poshtë e lart, në shenjë miratimi.

 
 

Nëse kthehemi pas në kohë, marrëdhënia e Ramës me SPAK nuk ka qenë ndonjëherë konfliktuale dhe as e nderë. Janë disa shembuj që tregojnë se Rama e kontrollon SPAK dhe nëse nuk e kontrollon, është në koordinim me të.

Refuzimi për të hetuar patronazhistët

Pas publikimit të përgjimeve të dosjes 339 për zgjedhjet në Durrës dhe dosjes 184 për zgjedhjet në Dibër, prokurorët e SPAK u justifikuan se krimet zgjedhore nuk ishin kompetencë e tyre. Dhe ligji ndryshoi. Por kur Lapsi.al publikoi ekzistencën e një databaze ku ishin vjedhur të dhënat e 900 mijë qytetarëve të Tiranës dhe këto përdoreshin nga patronazhistët e PS, SPAK nuk guxoi të afrohet në selinë e drejtuar nga Rama. Në vend të kësaj, u morën në pyetje drejtuesit e portalit dhe u urdhërua sekuestrimi i kompjuterave dhe celularëve të të gjithë gazetarëve. Pas zvarritjes, dosja u dorëzua në prokurorinë e Tiranës.

Mënjanimi i Lefter Kokës para arrestimit

Pasi dha kontributin e tij në fitoren e Partisë Socialiste me influencën që kishte në Durrës, Lefter Koka dorëzoi mandatin e deputetit papritur në Shtator të vitit 2021. Për vendimin, nuk dha asnjë arsye. Tha vetëm se “një cikël u mbyll” dhe u tërhoq në heshtje. Katër muaj më pas u arrestua nga SPAK. Ku e dinte Koka se do të arrestohej? Përse e dorëzoi mandatin e deputetit? Pse e shoqëroi në heshtje dorëheqjen e tij Edi Rama? Të gjitha këto pyetje morën përgjigje nga historitë e të ngjashmëve të tij pak kohë më pas. Edhe të tjerë socialistë, në fillim largoheshin nga Rama, pastaj arrestoheshin.

Mënjanimi i Vangjush Dakos para arrestimit nga SPAK

Për herë të fundit, Rama u pa pranë Vangjush Dakos në një filmim të Nëntorit të vitit 2019. Kur Durrësi u trondit nga tërmeti, Dako u filmua teksa i merrte leje Ramës të hynte në bashki për disa dokumenta. Pas shpalljes non grata, gjërat nuk ishin njësoj për të dy. Dako nuk u rikandidua në zgjedhjet e 2019. Duke qenë një ndër njerëzit më të vlefshëm të Partisë Socialiste në Durrës, radha e arrestimit i erdhi vonë. Kur i vunë prangat nuk mbante asnjë post dhe sapo kishte mbaruar angazhimin për fitoren e 14 Majit në Durrës.

Mënjanimi i Arben Ahmetajt para arrestimit nga SPAK

Arben Ahmetaj u zëvëndësua në postin e zv.kryeministrit nga Belinda Balluku. Që pas shkarkimit, për të nisi një lloj mënjanimi edhe nga shokët e partisë.  Më vonë tregoi se ia kishin thënë troç, “të duan në burg vëlla”, ose se si në një mbledhje partie, për të ishte thënë që “do të shkojë në të s’ëmës”. Që kur Rama e mënjanoi, Ahmetaj u shndërrua në target për t’u futur në burg. Fletë-arresti i SPAK nuk vonoi dhe ai tani është në arrati.

Burgosja e Fredi Belerit nga SPAK

Kandidatin e opozitës në Himarë, kryeministri Rama e shndërroi në shënjestrën kryesore të fushatës nëpërmjet akuzave, sharjeve dhe etiketimeve fyese. Shkak për këtë u bënë sinjalet se Fredi Beleri do të fitonte bashkinë në 14 Maj. Për të ruajtur kontrollin e një prej zonave me më shumë investime në vend e ndihmoi policia dhe prokuroria e Vlorës që arrestuan Belerin për blerje votash dy ditë para zgjedhjeve. SPAK kreu të njëjtin shërbim kur konfirmoi akuzën për Belerin, megjithëse hetimi i tij ishte bërë nga një prokurori që nuk e kishte në kompetencë akuzën.

Amnistia e SPAK për Ilir Beqen, kur Rama e mban në detyrë

Prokurori, Ervin Kondili ishte një nga të preferuarit e mazhorancës për drejtimin e SPAK. Hetimet për Ilir Beqen shpjegojnë arsyet e kësaj preference për këtë prokuror. Beqja kishte rolin kryesor në shpalljen e koncensionit për sterilizimin, çeljen e garës, përcaktimin e kompanisë fituese dhe nënshkrimin e kontratës. Por ai ishte i vetmi që nuk u arrestua nga SPAK pas hetimit të kësaj çështjeje. U desh ndërhyrja e Altin Dumanit dhe këshilla e gjykatësit Erjon Bani që SPAK të nisë hetimet për Beqen, të cilin Rama ende e mban në detyrë për menaxhimin e fondeve të Bashkimit Europian për Shqipërinë.

Lëshimi i Bajrave nga SPAK, që Rama t’i përdorë për zgjedhje

Prokurori, Ervin Kondili ishte një nga të preferuarit e mazhorancës për drejtimin e SPAK. Hetimi i grupit kriminal të Bajrave është një tjetër shpjegim për këtë preferencë. Por ata ishin amnistuar nga SPAK, pas një operacioni të policisë në vitin 2018 në Tiranë. Kondili i SPAK tha se Bajrat nuk ishin grup i strukturuar kriminal dhe e transferoi dosjen e tyre në Shkodër, ku ata u liruan disa muaj më pas. Në disa filmime u pa se grupi i Bajrave kontrolloi votat e Partisë Socialiste në Shkodër në zgjedhjet e fundit lokale.

Për këdo që nuk beson se SPAK kontrollohet nga Rama, rastet e mësipërme dëshmojnë të paktën se ka koordinim. Jo më kot, puna e SPAK është konsideruar si drejtësi me regji.

Megjithatë duhet pranuar se decentralizimi i prokurorisë e ka bërë më të vështirë kapjen e institucionit. Më parë, vendimi final për ngritjen e një dosjeje hetimore i takonte drejtuesit të prokurorisë. Tani çdo prokuror ka kompetenca të plota mbi dosjen hetimore.

Për shembull, hetimet e prokurorit Ervin Kondili që e amnistonin Ilir Beqen, shefi i tij Altin Dumani nuk mund t’i ndalonte edhe pse nuk ishte dakort me to. Kompetencat e tij janë të kufizuara.

Megjithatë në anën tjetër, Altin Dumani i është përgjigjur pozitivisht kallëzimit të Gazment Bardhit për të nisjen e një hetimi për çështjen McGonigal. Disa ditë më parë ai mori në pyetje këshilltarin e jashtëm të Ramës, Dorian Duçkën.

Jo më kot, SPAK konsiderohet një institucion që funksionon me ishuj. Edhe brenda opozitës janë të ndarë nëse institucioni është i kapur apo jo nga prokuroria. Në rastin e hetimeve të çështjes McGonigal, deputeti Gazment Bardhi përgëzoi punën e Altin Dumanit dhe e nxiti atë t’i shkojë deri në fund hetimeve. Në anën tjetër, Sali Berisha u shpreh se “të besosh se SPAK po e heton dosjen për të fajësuar Edi Ramën, duhet t’i besosh rrethit katror”.

Prandaj, Rama mund të ketë të drejtë kur thotë se nuk e ka kapur SPAK-un, në kuptimin që ka kapur shumicën e prokurorëve, por jo të gjithë prokurorët. Sa për arrestimet e bashkëpuntorëve të tij, kjo ngjan më shumë me një strategji për ta vënë në pozicion të vështirë kundërshtarin. Thjesht, për t’i marrë mbretin, ka lëshuar ca ushtarë.

Login to post comments