Andrea Carugati: Në këmbim të refugjatëve, Meloni do t'i ketë afruar Edi Ramës një 'karrige'

Tuesday, 07 November 2023 12:25

Marrëveshja Shqipëri-Itali për ngritjen e kampeve të refugjatëve afrikanë në veri të vendit tonë, përgatitur në fshehtësi të plotë nga Qeveria shqiptare dhe lëshuar befasisht si raketë nga vetë Kryeministri Edi Rama, ka ngjallur reagime të forta jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej Adriatikut.

Moderatori Flavio Qarri i emisionit “Kafe Shqeto” në SYRI TV, i ka kërkuar një opinion sot për këtë lajm të fundit, gazetarit të mirënjohur italian Andrea Carugati dhe natyrisht, një ide se cili mund të jetë përfitimi që do të ketë Shqipëria prej kësaj marrëveshje.

 
 

“Ajo që i ka afruar Meloni, Ramës, në këmbim të marrjes së refugjatëve, me sa duket është një karrige në Bashkimin Evropian, - tha gazetari italian ndër të tjera, duke nënvizuar edhe faktin se vështirë ta ketë Meloni atë fuqi brenda kësaj Europe sot.

Në vazhdim, intervista me një përkthim nga Flavio Qarri.

 
 

Andrea Carugati: “Problemi i emigrimit në shtetin italian është një çështje thelbësore. Meloni me këtë premtim ka ardhur në pushtet, i ka premtuar elektoratit të saj se nuk do të kishte më emigrantë, nuk do të kishte më refugjatë dhe zbarkime të tyre, se do të kishte një bllok detar dhe shumë zgjidhje të tjera, ndërkohë opozita po bën punën e saj duke kundërshtuar veçanërisht këtë marrëveshjen e fundit.

Kini parasysh që vetëm vjet erdhën 40 mijë emigrantë të tillë, ndërsa sivjet patëm rekorde. Jemi në nëntor kështu që kemi një panoramë të qartë të vitit dhe ajo ndodhet në një krizë jashtëzakonisht të madhe në opinionin publik, veçanërisht ndaj atyre që e kanë zgjedhur atë.

Në fakt ajo ka bërë një lëvizje tipike të kampit të cilit i takon, ekstremit të djathtë. T’i marrësh njerëzit që mendojnë se do të vijnë në Itali dhe t’i përplasësh në Shqipëri është gati në kufijtë e një sjelljeje barbare.   

Edhe përpjekja opozitare është relativisht e dobët, pikërisht për shkak të mazhorancës së fuqishme që ka Meloni dhe dobësimit në fakt, siç ka qenë Lëvizja 5 Yjet, të cilët kanë pak argumente për t’i imponuar asaj. “

Kafe Shqeto: Çne një kryeministre e ekstremit të djathtë në Itali, që ka këtë flirt politik me një kryeministër të majtë që për më tepër ka pasur edhe në publik, akuza të forta për shkelje të të drejtave të njeriut, vjedhje të zgjedhjeve dhe korrupsion? Dhe, në rastin e Italisë, këta 40-50 mijë afrikanë që vijnë të dëshpëruar, a kanë shkaktuar probleme për shkak të numrit të madh?

Andrea Carugati: Ajo që i ka afruar Meloni, Ramës, në këmbim të marrjes së refugjatëve, me sa duket është një karrige në Bashkimin Evropian dhe pse vështirë ta ketë Meloni atë fuqi brenda kësaj Europe sot që t’ia afrojë Ramës një gjë të tillë. Problematikat janë të shumta.

Në tërësinë e vet, numrat e kriminalitetit në të gjithë Italianë kanë ardhur në ulje, por përsa i takon problematikave të rendit dhe të administrimit të kaq shumë njerëzve, është pashmangshmërisht e sikletshme. Imagjinoni një numër të llahtarshëm njerëzish që nuk kanë për të ngrenë, nuk kanë asnjë dokument për të punuar në mënyrë të ndershme, imagjinojeni vetë se çfarë burimesh do të përdorin; sidomos të rinjtë janë pre e lehtë e krimit të organizua, pa llogaritur qendrat e trafikut.

Ndërkohë, sa i takon Lampeduzës, është një ishull i vogël i cili përballet me një fluks të llahtarshëm dhe sigurisht ka pasur probleme edhe në këtë aspekt, megjithatë banorët ë Lampeduzës janë treguar tmerrësisht humanë. Megjithatë e djathta thotë se ata janë të dukshëm. Nuk ka nevojë ta thotë e djathta, ata janë të dukshëm, sigurisht, janë edhe kulturat diametralisht të kundërta që sjellin të tilla përplasje.”

Login to post comments