Edhe avokatët e Jamarbër Malltezit thonë se vendimi për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij ka humbur vlefshmërinë.
Kjo për shkak se gjykata nuk ka ka zbardhur vendimin e arsyetuar sipas ligjit.
“Për sa më lart i kemi kërkuar GJKKO konstatimin e humbjes së fuqisë së masës shtrënguese “Arrest në burg” të caktuar sipas vendimin nr.112. datë 20.10.2023 të Gjykatës së Shkallës së parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj Prof. Dr Jamarbër Malltezi dhe lirimin e tij të menjëhershëm nga paraburgimi,” thonë avokatët Klodjan Skënderi dhe Genc Gjokutaj.
DEKLARATA E PLOTË
Pas shkeljes së nenit 245 të KPrP, Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), dispozitë që e bën absolutisht të pavlefshme një masë sigurie të marrë pa kërkuar argumentet e mbrojtjes, GJKKO kryen një shkelje tjetër të rëndë të këtij kodi dhe parimeve që garantojnë liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Si pasojë e kësaj shkeljeje, Prof.Dr.Jamarbër Malltezi mbahet sot në burg në bazë të një vendimi të pavlefshëm, pra në mënyrë të jashtëligjshme.
Me vendimin nr. 112/__, datë 23.10.2023, gjykatësja Irena Gjoka ka rinkonfirmuar masën e sigurimit “arrest në burg” ndaj shtetasit Jamarbër Malltezi si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, të kryer në bashkëpunim.
Deri në datën e paraqitjes së kësaj kërkese, kanë kaluar 15 ditë dhe ende nuk kemi një vendim të arsyetuar të depozituar nga ana e Gjykatës. Në këtë aspekt Gjykata ka shkelur ligjin procedurial penal dhe më konkretisht nenin 248 pika 2 fjalia e fundit, ku citohet se “Gjykata depoziton vendimin e arsyetuar brenda 48 orëve”. Ligjvënësi e ka lidhur ngushtësisht vlefshmërinë e masave shtrënguese personale me shpalljen e vendimit dhe zbatimin e masave brenda afatit të caktuar procedurial dhe këtë rregull bazik për vendimet që caktojnë masa sigurimi shtrënguese e ka përgjithësuar në pikën 7 të nenit 249 K.Pr.P.
Kjo ka sjellë si pasojë, shkeljen e së drejtës për tu gjykuar brenda afatit nga Gjykata e Apelit.
Në këto kushte, akti nr. 112 datë 20.10.2023, me të cilin është vendosur masa shtrënguese e ka humbur fuqinë, në përputhje me parashikimin e pikës 7 të nenit 249 K.Pr.P ku përcaktohet se “Kur vendimi nuk shpallet ose nuk zbatohet brenda afatit të caktuar, akti në bazë të të cilit është marrë masa shtrënguese e humbet fuqinë”.
Ligji procedural penal, ka parashikuar afate strikte në rastin e masave shtrënguese, duke qenë se këto, janë veprime procedurale që cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të individit, në një moment që akoma personi prezumohet i pafajshëm.
Sipas afateve procedurale, vendimi do të duhej të ishte arsyetuar dhe depozituar brenda 48 orëve, nisur nga data 23 tetor 2023, sipas nenit 248 pika 2 K.Pr.P. Pra legjislatori i ka dhënë kaq shumë rëndësi kohës së zbardhjes së vendimit sa afatin e ka përcaktuar me orë, jo me ditë.
Brenda pesë ditëve nga ky afat, nga ana e mbrojtjes do të duhej të paraqitej ankimi, sipas nenit 249 pika 1/1 K.Pr.P.
Brenda 3 ditëve nga realizimi i njoftimeve, sekretaria e gjykatës do të duhej të dorëzonte aktet në Gjykatën e Apelit,
Përfundimisht Apeli do të duhej të shprehej brenda një afati prej 10 ditës, sipas nenit 249 pika 5 K.Pr.P.
Në rastin konkret, duke qënë se është shkelur afati për zbardhjen dhe depozitimin e vendimit nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, atëherë në efekt zinxhir, është absolutisht i pamundur respektimi i afateve strikte proceduriale të parashikuara si më sipër, deri në marrjen dhe depozitimin e vendimit të arsyetuar edhe nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Në këtë aspekt, akti në bazë të të cilit janë marrë masa shtrënguese “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 K.Pr.P, caktuar ndaj Prof. Dr. Jamarbër Malletzi, e ka humbur fuqinë
Për sa më lart i kemi kërkuar GJKKO konstatimin e humbjes së fuqisë së masës shtrënguese “Arrest në burg” të caktuar sipas vendimin nr.112. datë 20.10.2023 të Gjykatës së Shkallës së parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj Prof. Dr Jamarbër Malltezi dhe lirimin e tij të menjëhershëm nga paraburgimi.
Av. Klodjan Skënderi
Av. Genc Gjokutaj