Nga Laura Gozzi, BBC News
Italia do të ndërtojë dy qendra në Shqipëri për të pritur dhjetëra mijëra emigrantë të paligjshëm, tha kryeministrja Giorgia Meloni. Ajo e bëri të ditur planin në një konferencë për shtyp me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Romë. Zonja Meloni tha se qendrat, që do të hapen pranverën e ardhshme, do të mund të trajtojnë deri në 36,000 persona në vit. Plani do të jetë i vlefshëm për emigrantët e shpëtuar në det nga anijet italiane dhe jo për ata që mbërrijnë në brigjet italiane. Emigrantët do të qëndrojnë nëpër qendra ndërsa Italia shqyrton kërkesat e tyre për azil, tha zonja Meloni, duke shtuar se plani nuk do të jetë i vlefshëm për gratë shtatzëna, fëmijët dhe njerëzit vulnerabël. Ajo tha se strukturat, të cilat do të ndërtohen me shpenzimet e Italisë, do të jenë mund të strehojnë 3000 persona çdo muaj "për kohën e nevojshme për të trajtuar shpejt kërkesat për azil dhe, nëse është e nevojshme, për riatdhesim". Qendrat do të ndërtohen në portin e Shëngjinit dhe zonën e Gjadrit në veriperëndim të Shqipërisë. Personeli i sigurisë dhe oficerët e policisë do të sigurohen nga Shqipëria.
Zonja Meloni tha se, megjithëse Shqipëria nuk është një vend anëtar i BE-së, "ajo tashmë po sillet si një e tillë". Ajo shtoi se beson se "Shqipëria është praktikisht një vend europian" dhe shprehu mbështetjen e saj për hyrjen e Shqipërisë në BE.
Duke folur në italisht, zoti Rama përdori fjalë të ngrohta për të përshkruar marrëdhëniet e vendit të tij me Italinë, duke thënë se qytetarët dhe institucionet e Italisë i kishin ndihmuar shqiptarët në vitet 1990 pas rënies së regjimit komunist. "Ky borxh nuk mund të shlyhet", tha Rama. "Por nëse Italia thërret, Shqipëria përgjigjet". Rama shtoi: "Të gjithë e shohin që kjo është një situatë e vështirë për Italinë. Gjeografia është bërë mallkim për Italinë, sepse nëse arrin në Itali, arrin në BE. Por kur bëhet fjalë për menaxhimin e këtyre ardhjeve si BE, ne e dimë si shkojnë gjërat". "Mund të mos kemi kapacitetin për të qenë zgjidhja e vetme, por kemi për detyrë të... ndihmojmë Italinë", shtoi ai. Zoti Rama tha se ai dhe zonja Meloni diskutuan marrëveshjen e qendrës së emigrantëve ndërsa kryeministrja italiane ishte me pushime në Shqipëri gjatë verës.
Politikanët e opozitës si në Itali ashtu edhe në Shqipëri e kanë kritikuar marrëveshjen. Rikardo Magi, kreu i partisë liberale italiane +Europa (Më shumë Europë), tha se plani ishte "i frikshëm" dhe se qendrat do të ishin si "një lloj Guantanamo italiane". Duke shkruar në X, ish-Twitter, Magi tha: "Është edhe një marrëveshje e paligjshme: Italia nuk mund të dërgojë njerëz të shpëtuar në det në një vend jashtë BE-së, sikur të ishin pako ose mallra".
Belind Këlliçi i Partisë Demokratike të Shqipërisë kritikoi "mungesën e transparencës" rreth marrëveshjes. "Kjo është tradhti ndaj Shqipërisë dhe është pabesia më e madhe që Rama mund t'i bëjë vendit tonë", shkruan Këlliçi në X. Antishqiptari më i madh sot quhet Edi Rama, i cili çdo vit dëbon qindra mijëra të rinj nga vendi për t'i zëvendësuar me emigrantë të paligjshëm.
Andrea Kosta, president i shoqatës së ndihmës së emigrantëve me bazë në Romë, Baobab Experience, i tha BBC-së se njoftimi "kapi të gjithë në befasi" dhe tregoi se politikat e qeverisë italiane të imigracionit "po shkonin në drejtimin e gabuar". Zoti Kosta tha se qendrat rrezikonin të bëheshin "si një Lampeduza në brendësi të Shqipërisë", duke iu referuar ishullit italian që është një nga portet kryesore të mbërritjes për njerëzit që duan të arrijnë në Europë. Ai iu referua gjithashtu përpjekjes së qeverisë britanike për të dërguar mijëra azilkërkues në Ruandë, duke thënë: "Nuk e dimë nëse qendrat në Shqipëri do të jenë një lloj Guantanamo, një Lampeduza, një Ruanda, apo pak nga të tria."
Zonja Meloni, e cila drejton partinë nacionaliste të krahut të djathtë, Vëllezërit e Italisë, është e njohur për pikëpamjet e saj të vendosura kundër emigracionit. Që kur u bë kryeministre, ajo ka njoftuar një sërë ndërhyrjesh për t'i dhënë fund emigracionit të paligjshëm, duke përfshirë ndalimin e emigrantëve të paligjshëm. Megjithatë, më shumë se 145,000 emigrantë kanë hyrë në Itali këtë vit, 52,000 më shumë se e njëjta periudhë në vitin 2021. Në prill, ministrat italianë shpallën një gjendje të jashtëzakonshme gjashtëmujore si reagim ndaj rritjes së numrit të emigrantëve që kalojnë Mesdheun nga Afrika e Veriut.