Bashkia e Tiranës prej vitesh i ka lënë pa shkolla, kopshte dhe çerdhe, 70 mijë banorët e njësisë nr.14 në Tiranë. Denoncimi është bërë nga shefi i Organizmit të Partisë Demokratike, Klevis Balliu, i cili deklaroi se prej 8 vitesh Erion Veliaj i ka mashtruar duke u bërë premtime boshe në çdo fushatë elektorale. Balliu tha se pavarësisht se banorët kanë paguar taksën e infrastrukturës arsimore, bashkia nuk ka bërë asnjë investim në shkolla, por i ka vjedhur ato.
Partia Demokratike ka denoncuar mungesën e shkollave dhe të çerdheve në njësinë numër 14 në Tiranë në një zonë me 70 mijë banore.
Shefi i Organizmit në PD, Klevis Balliu, ka ngritur shqetësimin e banorëve të kësaj njësie dhe ka deklaruar se Erion Veliaj prej vitesh i ka mashtruar qytetarët duke u premtuar në çdo fushatë elektorale ndërtimin e shkollave, por që deri tani nuk ka bërë asnjë investim.
Balliu tha se qytetarët kanë paguar taksën e infrastrukturës së arsimit edhe pse bashkia nuk ka investuar në ndërtimin e shkollave. Ai tha se PD nuk do të lejojë që kjo zonë të kthehet në një geto pa investime në arsim dhe që paratë e qytetarëve të keqpërdorehen.
Deputeti demokrat theksoi se shkolla më e afërt për banorët e kësaj njësie në Yzberisht është ajo në Laprakë, ku duhen 40 minuta që një fëmijë të shkojë më këmbë duke rrezikuar të kalojë dhe Unazën e Madhe, ku deri tani kanë ndërruar jetë 3 këmbësorë për shkak të mungesë së sigurisë së rrugës.
Klevis Balliu i bëri thirrje Ministrisë së Arsimit që të shikojë se si është anashkaluar investimi në këtë zonë dhe paralajmëroi se do të vijojë angazhimin e tij së bashku me banorët deri sa Erion Veliaj të investojë për ndërtimin e shkollave, kopshteve edhe çerdheve në njësinë nr. 14 të kryeqytetit.