Katër vite pas tërmetit që tronditi vendin, në Durrës, qytetarët e dëmtuar jetojnë mes gërmadhave të të shkuarës, që iu kujton atë çfarë kanë kaluar, dhe premtimeve boshe. Ende në rrugët e qytetit, lagjeve e qendrave të banimit, qëndrojnë në këmbë godinat e rrënuara, ndërsa qindra banorë përtej premtimeve imagjinare, jetojnë në qiell të hapur. Këshilltarët e djathtë të Bashkisë thonë se 2500 familje janë pa strehë duke hedhur akuza mbi destinacionin e fondeve, ndërsa banorët pretendojnë se përveç faktit se nuk kanë një banesë të re, u janë ndërprerë prej 9 muajsh edhe bonuset e qerasë.
Syri tv
Sikur të mos mjaftonin pasojat e tërmetit tragjik të 26 nëntorit të 2019, ecejaket pa zgjidhje e kompensimet aq shumë të diskutueshme, këto pamje që i gjen edhe sot e gjithë ditën në Durrës, vijojnë të ngjallin frikë e kujtime të hidhura tek ata që i panë e përjetuan. Sot 4 vite pas tërmetit, ku Durrësi ishte një nga qarqet më të prekura, me dëme të mëdha në jetë njerëzish e materiale, disa godina të reja që janë ngritur, nuk kanë jetë brenda, e të tjera që përveç kujtimeve të dhimbshme, krijojnë edhe frikë tek banorët e qytetarët.
Urbanisti dhe anëtari i këshillit Bashkiak Ardian Muka përgjigjet për çfarë po ndodh me procesin e rindërtimit sot, me banorët e pastrehë por edhe sa të sigurta janë ndërtimet e reja dhe a po respektohen standardet ndërkombëtare në ndërtimet në Durrës?
Ndërkohë kryetari i PD-së në degën e Durrësit dhe anëtar i Këshillit Bashkiak Dritan Burgija, ngriti akuza lidhur me destinacionin e parave të grumbulluara për procesin e rindërtimit.
Por çfarë thonë qytetarët durrsakë, ata që prej 4 vitesh si të mos mjaftonin premtimet e pambajtura për banesa të reja brenda afateve imagjinare, vazhdojnë të qëndrojnë në qiell të hapur? Ka të shumtë nga ata që thonë se prej 9 muajsh nuk trajtohen as me bonus qeraje, pasi Bashkia e Durrësit sipas tyre iu thotë se nuk ka fonde.
Shumë pallate vijojnë ende të qëndrojnë ashtu si në ditën e tërmetit, ndërsa disa lagje mbetet të mbuluara nga ferrat e inertet.