Kryetari i opozitës, Sali Berisha, iu përgjigj me hollësi dje, pyetjeve të gazetarëve për protestën që opozita ka thirrur sot përpara Parlamentit, në orën 9. Në vijim, ndiqni qendrimin e tij mbi çështjet e lidhura me protestën, arsyet e zhvillimit të saj dhe vendosmërinë e opozitës.
PYETJE: Z.Berisha, ju deklaruat se cilido që të jetë çmimi do të sillni prova dhe fakte për sa i takon çështjes së inceneratorëve. Çfarë do të thotë kjo deklaratë? Keni marrë ju kosto duke bërë denoncime të forta sa i takon kësaj çështje, ose përfaqësues të tjerë sa i takon PD?
Sali Berisha: Ne kemi marrë koston më pozitive nga qytetarët, sepse qytetarët e panë pas kaq vitesh se kanë opozitë të vërtetë. Ata që menduan të lënë Shqipërinë pa opozitë, dështuan dhe kjo është fitore e madhe për çdo shqiptar që i beson vlerave. Kostoja tjetër është e njohur publikisht. Por kjo nuk do na ndalojë ne për të denoncuar në çdo qelizë vjedhjen, trafiqet e drogës, lidhjet me krimin të Edi Ramës dhe bajlozëve, anëtarëve të tjerë të organizatës kriminale që ai drejton. Unë e kuptoj që kanë njëlloj mbrojtje, por kjo nuk e pengon opozitën për të mbushur detyrën e tyre. Ju i patë reagimet që u bënë për zgjedhjet në Serbi dhe jam i bindur se Aleksandër Vuçiç nuk ka bërë zgjedhje të lira, ka plaçkitur vota, nuk kam dyshim se është vëlla siamez me Edi Ramën. Por nga ana tjetër ju garantoj se në Shqipëri kanë qenë edhe më të këqija zgjedhjet. Ndaj dhe ne po luftojmë, po bëjmë betejën tonë. E rëndësishme është se shqiptarët e shohin çdo ditë që kanë një opozitë në këmbë që qëndron për interesat e tyre.
PYETJE: Ju keni thirrur një protestë ditën e nesërme para parlamentit. Do të qëndroni me qytetarët në protestë, apo do të tentoni të hyni në parlament, dhe prisni më shumë masivitet se protesta te Kryesia e Kuvendit.
Sali Berisha: Protesta e kryesisë së Kuvendit ishte një protestë e shkëlqyer. Ta them unë, se pakkush mund të ketë një arkivë më të pasur se kam unë. Për rrethanat që u thirr, ajo ishte një protestë e shkëlqyer. Kjo tjetra, ka një gjë, se duhet të kuptohemi. Kompleksiteti rrethanave, vetëm një pjesë e atyre që duan të protestojnë, i lejon të vijnë në protestë dhe ne e kemi shumë të qartë këtë punë. Për ne e rëndësishme është që nisëm tani protestat për të mos i ndaluar më gjer ditën e fitores mbi narkoregjimin e Edi Ramës. Kjo ka rëndësi. Ku do jem unë atë ditë? Kudo do jem unë. Pantotenik. Në sallë, jashtë salle, te qytetarët dhe kudo. Në betejë, betejë pa kthim…
PYETJE: Në seancën e ditës së enjte në pikën e parë është vendosur votimi për heqjen e mandatit tuaj si deputet, ndërkohë që pritet një vendim nga Gjykata e Posaccme ndaj jush, për masën e sigurisë. Nga ku do ta drejtoni aksionin opozitar z. Berisha?
Sali Berisha: Ju e patë, për herë të parë në histori, kërkesa për heqjen e imunitetit u shoqërua me zero prova, fakte dhe dokumente. Ju garantoj se kjo as në vendet diktatoriale nuk ndodh. Paraqesin diçka. Po pse nuk paraqitën dot asgjë? Sepse nuk kanë asgjë. Sepse kanë vetëm trillime, shpifje dhe manipulime. Nga hetimi 3-vjeçar i një procesi 15-vjeçar, vepra e vetme penale është kryer nga Edi Rama, ndër korrupsion ose faktorë të tjerë. Asnjë tjetër. Nëse quhet vepër penale ndryshimi i destinacionit. E ka ndryshuar destinacionin fillimisht të një pjese, më pas të të gjithë pjesës. Nga terren sportiv në terren urban me zhvillim të lartë, jo të mesëm, të lartë. Kështu që në këtë kontekst, ai është procesi më ligjor, ndaj dhe nuk nxorën dot asnjë fakt. Dhe kur avokati im pyeti ish-oficerin e sigurimit, na jep një dokument në lidhje me ndryshimin e destinacionit, ai nuk nxori dot asnjë, sepse kudo që të fuste dorën, i dilte Edi Rama. Nuk kanë asnjë fakt, asnjë provë, asnjë dokument. Pra, është strikt politik. A do drejtoj unë? Nesër Shqipëria, ose me këtë, renditet me vendet që arrestojnë liderin e opozitës. Nuk kanë hequr dorë ata nga drejtimi i opozitës, përkundrazi po e drejtojnë dhe fuqishëm. Të gjithë ata aty ku janë. Dhe unë do e drejtoj me vendosmëri drejt fitores këtë opozitë. Unë kam besim të plotë se ky narkoregjim, kjo diktaturë e bazuar në vjedhjen, krimin, drogën dhe interesat mafioze, nuk do mund të prevalojë kurrë.
PYETJE: Prokurorët, pra masa e dytë ndaj jush, sipas prokurorëve, vjen jo për shkak të hetimit të ccështjes në themel të dosjes ‘Partizani’, por për shkak se ju nuk keni respektuar masën e parë të sigurisë ‘detyrim paraqitje’ dhe si prova paraqitën procesverbalet e oficerëve që ju nuk jeni paraqitur.
Sali Berisha: Tipike e shtetit policesk. Tipike! Nëse kërkon heqjen e imunitetit të një deputeti, ligji i parlamentit thotë se ajo bëhet bazuar në prova, fakte, dokumente. Nuk ka asnjë nen që pranon se parlamenti mund të vihet para faktit të kryer, që të legjitimojë vendime antikushtetuese. Unë besoj se për çdo shqiptar është bërë e qartë se standardi që përdoret ndaj Sali Berishës nuk është përdorur kurrë në 32 vite. Janë vendimet e gjykatave në rastet e mëparshme kur është kërkuar kjo gjë dhe gjykatësit kanë refuzuar, kanë shkruar në vendimet e tyre se kjo nuk mund të bëhet pa miratimin e parlamentit. Gjetën një gjykatëse të shkarkuar nga unë për vepra të caktuar në vitin 1996 dhe me një kompleks problemesh, qoftë në veting, qoftë të tjera, e cila faktikisht rishkruajti në tavolinën e saj, së bashku me Millonain dhe Krajën, nenin 73 të Kushtetutës. Unë e them që veprova shumë drejt, nuk iu nënshtrova shkelmimit të parimit të Kushtetutës, rrëmbimit të pushtetit të parlamentit nga mercenarë që zbatojnë urdhra politikë. Po të kishte një fakt, një argument, një dokument, ata ishin të detyruar t’i paraqisnin para shqiptarëve. Por ata nuk kanë asgjë sepse në të gjithë atë proces nuk ka asnjë firmë të Sali Berishës, nuk ka asnjë vendim të personalizuar, përveç noterizimit të vendimit të Edi Ramës, të cilin unë isha i detyruar ta bëja në zbatim të ligjeve. Përndryshe shpërdoroja detyrën po ta bëja. Po unë nuk jam nga ata që shpërdoroj detyrën.
PYETJE: Z. Berisha, në fjalën tuaj deklaruat se duke akuzuar prokurorët e SPAK dhe duke i akuzuar se nuk po bëjnë drejtësi, do të thirrni qytetarët për të reaguar për këtë çështje. Do të thërrisni një protestë para SPAK?
Sali Berisha: Vetëm qytetarët mund ta zgjidhin këtë. Gjersa vulosën, taposën vjedhjen e shekullit, gjersa bëhen hetime të delekiduara në këtë aferë, merre pak si e shpërndanë me persona, e kapën Arben Ahmetajn sepse zonja Linda e donte në burg Ahmetajn. Çfarë kishte Ahmetaj për t’u shkëputur? Strumbullari ishte Rama, Agaçi, Metani sepse ata janë njerëzit e hartimit, e paraqitjes së vendimeve. Ishte strumbullar Erion Veliaj, kurse sa ç’ishte Ahmetaj, është Gjiknuri dhe mund të ketë të tjerë se dosja ka akoma anë të pashqyrtuara, po i mbledhim.
PYETJE: Kur do të jetë kjo protestë, do ta thërrisni ju apo qytetarët…
Sali Berisha: Protestën mund ta thërrasim edhe ne. Ne nuk mund të pranojmë të shkelmohen në mënyrë flagrante interesat e këtyre njerëzve që po largohen të vjedhur gjer në palcë. Ne nuk mund ta pranojmë këtë gjë, jo absolutisht. Për dijeni, protestohet në gjithë botën para padrejtësive të organeve të drejtësisë. Siç gjykohet. Por kësaj here ne kemi fakte. Thirren të protestojnë në mbrojtje absolute të një interesi publik. Erion Veliaj ka përdorur të gjitha lidhjet e tij, brenda dhe jashtë vendit, për të imponuar amnistinë. Ne do përdorim të gjithë forcën e qytetarëve për të bërë ligjin. Qytetarët do flasin. Nuk mundet 2, 3, 5, 10 apo më shumë individë të tallen, të vulosin, të taposin vjedhje të tilla të tmerrshme sepse vjedhin me ta. Gjëja më normale është protesta, bile është e vonuar. Ne ndjehemi të lirë fare, sepse ne po denoncojmë me dokumente zyrtare. Tani është koha të veprojmë!
PYETJE: Z. Berisha a u konsultuar me avokatët në lidhje me qëndrimin që do të mbani për vendimin e pritshëm nesër të seancës plenare.
Sali Berisha: Probleme puna nuk më kanë lejuar akoma, por pa diskutim që ajo konsultë do të bëhet.
PYETJE: Ju keni ndryshuar sloganin e PD-së për protestën në ‘O Sot o Kurrë’. A mos planifikoni që ditën e enjte përveç protestës para parlamentit ta zhvendosni atë të SPAK.
Sali Berisha: Slogani i protestës është sepse ne jemi pas opozitës ruse, bjelloruse, Mianmarit dhe Iranit, opozita e pestë në botë e arrestuar. Kjo është një përpjekje e hapur për shkatërrimin e opozitës. Po ju garantoj se siç dështoi çdo përpjekje tjetër, do dështojë edhe kjo. Pse e them këtë? Sepse sot, lavdi Zotit, ka opozitë. Dhe pikërisht se ka opozitë, u morën këto masa. Mirëpo beteja me idealet është shumë e vështirë. Nuk fitohet. Edhe këtë betejë do e fitojmë ne. Cili është itinerari i protestës, atë nuk e di se nuk jam unë që merrem me itinerarin e protestës. Janë persona të tjerë që do të merren dhe ju do të jeni aty.