Bushati: Politika dhe drejtësia janë bërë bashkë, kanë shkelur rregullat për të goditur Berishën

Premte, 22 December 2023 12:13

Analisti Andi Bushati, gjatë një interviste për Edicionin e Mbrëmjes në SYRI TV, është shprehur se, procesi që ka ngritur SPAK, ndaj Sali Berishës nuk është bindës. 

 

Gjatë bisedës me moderatoren Armela Ferko, Bushati u shpreh se politika dhe drejtësia janë bërë bashkë për të nëpërkëmbur rregullat, vetëm sepse Berisha duhej goditur.

‘Sot u bë, aq më tepër kur bëhet fjalë për liderin e opozitës, sot u bë një proces 5 minuta, që e kthen të gjithë procesin në karagjoz. Ka shumë njerëz që mund të thonë se është faji i opozitës, hodhën karrige flakadanë, por ama ka edhe një gjë. 

Gjithë procedura që është bërë,  që nga mënyra si u soll Gjykata Kushtetuese, si u soll SPAK, si u caktuan ata avokatët qesharakë, kryesisht, që duhet të mbronin Berishën, por nga ana tjetër bënin thirrje kundër Berishës, ky proces ka lënë shumë hije dyshimi.

Ky i sotmi më shumë i ndan një ndëshkimi politik, sesa një drejtësie që do ti bindë dhe kundërshtarët, por edhe ithtarët e Sali Berishës se, atij po i bëhet një proces i drejtë.

Kur bëhet fjalë për një politikan të këtyre përmasave, procesi duhet të bindë gjithëkënd që është i drejtë, i pavarur dhe që është i pastër në një farë mënyre.

Berisha nuk duhet gjykuar për atë që përfaqëson.

SPAK kërkon që ish-kryeministrit ti hiqet imuniteti i deputetit. Ka një gjë të shkruar tekstualisht, që ti hiqet imuniteti, prokurorët duhet të paraqesin prova.

Dhe SPAK krijon një spirale të tërë, vetëm për të mos dorëzuar prova para deputetëve.

Çfarë bën Gjykata Kushtetuese, i jepet për interpretim, një çështje e kërkuar nga një numër i madh deputetësh të opozitës. Duhet të thotë, a përbën shkelje të lirisë së deputetit, fakti që atij i kufizohet liria, i merret pasaporta, apo kjo është ‘ok’ dhe nuk është shkelje.

Gjykata Kushtetuese zbythet dhe nuk jep një përcaktim për këtë gjë.

Pastaj kërkohet që çështjen e arrestimit apo jo të Berishës, të mos e gjykojë një gjykatëse në konflikt interesi me Berishën. Gjykata e Posaçme e refuzon kërkesën, pavarësisht se këtë gjykatëse Berisha dikur si president e ka shkarkuar, pra ajo është në konflikt interesi.

Pra janë të gjithë ata elementë, bashkë me seancën e sotme parlamentare, që tregojnë se duket sikur politika dhe drejtësia janë bërë bashkë për të nëpërkëmbur rregullat se Berisha duhej goditur.

Dhe duhej goditur si kryetar i opozitës, dhe jo si njeri i dyshuar se kur ka qenë kryeministër ka ndihmuar dhëndërrin e tij’, tha Andi Bushati gjatë bisedës së tij në SYRI TV.

Login to post comments