Berisha: Reagimi i Ramës dëshmon tmerrin që ka nga opozita e vërtetë

Premte, 22 December 2023 12:20

Kryetari i PD, Sali Berisha tha gjatë fjalës së tij në mbledhjen e kryesisë së PD të zhvilluar mbrëmjen e djeshme, se 'ne nuk lëvizim nga parimet tona dhe nuk ngatërrojmë akte të shkëputura nga vlerat universale të partnerëve tanë euroatlantikë'.

FJALA E PLOTË 

Mirëmbrëma!

Përshëndes ju, të gjithë demokratet dhe demokratët kudo që ndodhen. 

Kjo mbledhje kryesie mblidhet në momentet më të jashtëzakonshme në historinë e forcës sonë politike. Momente kur regjimi i bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve, pasi e demaskuam dhe e demaskojmë çdo ditë për lidhjet e tij me krimin, për dhunimin në parlament dhe kudo të të drejtave të opozitës dhe të të drejtave të qytetarëve shqiptarë për vjedhjet e mëdha, shkretimin e Shqipërisë nga qytetarët shqiptarë, mendojnë se zgjidhja e këtij demaskimi është arrestimi i kryetarit të PD me të cilin Edi Rama dhe kushdo tjetër e ka të qartë se nuk mundet kurrë të bëjë pazare. Dhe me të cilin ai nuk përballon dot betejë.

E vërteta është se, ne si opozitë, jo për dëshirën tonë, por për ndërhyrjet dhe përpjekjet për të lënë Shqipërinë pa opozitë, faktikisht, kaluam një periudhë shumë të vështirë, por përsëri me gjithë vështirësitë e mëdha, me të gjithë forcn emadhe të korrupsionit transnacional, korrupsion i cili u përdor për shkatërrimin e opozitës shqiptare, kjo nuk ndodhi.

Dhe opozita erdhi duke u fuqizuar gjithnjë e më shumë. Opozita erdhi duke u bërë zëdhënëse e vërtetë e interesave të shqiptarëve, duke u bërë zëdhënëse e vërtetë e vlerave që duhet të ketë një shoqëri e lirë. Vlera që ne besojmë, vlera që ne kemi në program, vlera me të cilat ne e morëm Shqipërinë nga honet e mjerimit, rraskapitjes dhe mjerimit të plotë, e nxorrëm në një vend të respektuar anëtar të NATO-s dhe institucioneve tjera ndërkombëtare.

Ne nuk lëvizim nga parimet tona, nga programi ynë, nuk lëvizim nga orientimi ynë euroatlantik, nuk ngatërrojmë dhe nuk konfondojmë akte të shkëputura nga vlera universale të partnerëve tanë euroatlantikë të qytetarimit perëndimor.

Lidhja jonë me këto vlera është geniune, në kuptimin që e gjithë doktrina e identitetit tonë kombëtar është e ndërtuar mbi këto lera dhe ajo garanton orientimin apo vokacionin perëndimor të PD apo edhe të kombit shqiptar.

Natyrisht, reagimi i Edi Ramës dëshmon tmerrin që ai ka nga opozita e vërtetë. Edi Rama është në llojin e tij një hajdut dhe diktator. Në tërësi, është vështirë të ndash diktatorin nga hajduti dhe hajdutin nga diktatori, sepse diktatorit i duken të gjitha pronë e tij dhe ndihet i lirë të vjedhë, të shpërdorojë, të abuzojë mbi pasuritë e shqiptarëve, por problemi më themelor është sepse ai ka arritur t’u konfiskojë votën e lirë shqiptarëve dhe pikërisht me këtë mekanizëm ka vrarë pasivisht shpresën te qytetarët shqiptarë.

Ka shkaktuar largimin e tyre më të madh në histori nga vendi.

Këto të gjitha për ne janë motive beteje.

Ndaj dhe ne shpallëm betejë pa kthim.

Në asnjë rrethanë ne nuk mund të zmbrapsemi, ne nuk do zmbrapsemi. Por në kushte të reja të diktuara në mënyrë të shpejtë do të thosha nga regjimi, natyrisht kërkohet një ripërshtatje e shpejtë e jona në këto kushte. Kërkohet nga ne të bëjmë gjithçka që të jemi zëdhënës të atyre që guxojnë.

Edi Rama ka zhytur Shqipërinë, ç’është e vërteta, shoqërinë shqiptare në mbretërinë e frikës dhe frika është e njohur se përbën ndjenjën më qendrore në fiziologji të ndjenjave njerëzore.

Shpesh thonë se ai fiton vota. Kjo nuk më rikujton mua asgjë tjetër, veçse marsin e ’91 kur ne, zona më e varfër, më e mjeruar, zona që jetonte në uri kronike prej vitesh, nuk na votoi. Nuk na votoi se ajo ishte pajtuar me atë shkallë ekstreme mjerimi, jo se ajo kishte parë qoftë edhe favorin më të vogël nga diktatura. Përkundrazi, e kishte pësuar më rëndë se të gjithë të tjerët. Ata ushqeheshin realisht më keq se të burgosurit në burgjet e diktaturës.

Por më e fuqishme se sa ulërima e urisë, ishte frika tek ata. Ishte frika tek ata.

Ndaj dhe e kam theksuar dhe më parë, kjo frikë, e njohur si strategji, u ngulit me një program të caktuar dhe sot është mjaft e përhapur. Por nga ana tjetër, askush të mos mendojë se njerëzit janë të qetë, janë të kënaqur të jetojnë me frikë. Jo, çdo njeri dëshiron të çlirohet sa më parë prej saj. Asgjë nuk çliron qytetarin nga frika më shumë se shembulli personal i qytetarit, demokratit, demokrates, drejtuesit të PD.

Në këtë kontekst, duhet ta konceptojmë qëndresën tonë, betejën tonë pa kthim, para së gjithash si një betejë të atyre që guxojnë dhe ju garantoj se ata që guxojnë janë shumë herë më shumë nga ç’mund mendojmë ne, nga ç’mund mendojnë drejtuesit tanë.

Si mund t’i identifikojmë dhe t’i gjejmë këta ne? Thjesht, të bëhemi zëdhënës të kërkesave dhe sugjerimeve, të propozimeve të tyre. Ata kanë guximin dhe guximi u bën të mundur atyre të kenë projekte për betejë. U bën të mundur të angazhohen në betejë kundër regjimit. Kjo është rruga e vetme që ne të shkrijmë akullin e frikës, që ne të rritemi dhe të shndërrohemi siç jemi sot. Sot ne jemi shpresa e vetme për shqiptarët.

Por me një lëvizje të fuqishme në mbarë vendin, ju garantoj se nuk mbetemi forca e vetme e shpresës, por forca më e sigurt e fitores për shqiptarët. Kjo kërkon gjithashtu që secili nga ju, të dashur anëtare dhe anëtarë të kryesisë, të shumëfishojë përpjekjet tuaja, të mendojë çdo ditë se çfarë do t’i bëjmë sot armikut tonë në pushtet.

Ai, faktoi se mund të bëjë gjithçka dhe ne duhet të faktojmë se mund t’i bëjmë çdo gjë. Rruga është vetëm një: përballja, përballja, përballja me të.

Askush të mos mendojë se Edi Rama dhe regjimi i tij është i qetë. Përkundrazi, u them unë, ai jeton në terror dhe frikë të madhe. Frika dhe vetëm frika bën që ai të urdhërojë një zinxhir aktesh dhe veprimesh të cilat as Lukashenko i Bjellorusisë nuk do mund t’i realizonte.

Gjatë këtyre 2 apo 3 javëve u zhvillua një proces unik i veçantë në Shqipëri në të cilin Edi Rama urdëhroi institucionet e drejtësisë dhe parlamentin të kalojnë nga një shkelje e rëndë në një shkelje më të rëndë të Kushtetutës. Për të realizuar aktin e sotëm ai e realizonte pa asnjë lloj të themi pengese të pakapërcyeshme, sepse kishte kudo kontrollon dhe shumicën.

Por përsëri atij nuk i duhej rruga legale, se rruga legale mund t’i mbetej e këputur në mes. Për garanci dhe siguri, atij i duhej që në një rast të parë dhe kurrë nuk ka ndodhur në 32 vite, që një deputeti t’i hiqet e drejta e lëvizjes jashtë shteti me vendim gjykate, duke dhunuar nenin respektiv të Kushtetutës.

Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e parlamentit që kryetari i opozitës të mos pyetet ndonjëherë dhe të sajohet një piramidë mashtrimi dhe nuk pyetet për shkakun e vetëm sepse jo në një gjysmë ore, por në 20 minuta, rrafshon me dritën e të vërtetës atë piramidë.

Nuk ka ndodhur kurrë që të kërkohet heqja e imunitetit dhe arrestimi i një deputeti pa paraqitur në komision të parlamentit, në Komisionin e Mandateve, as edhe një provë, fakt apo dokument të vetëm. Thjesht vendimin e gjykatës, të Skapit dhe me radhë.

Do t’u thpsha se në këtë proces akti më i turpshëm që tejkalon çdo imagjinatë është vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese dëshmoi dje se ajo përbën seksionin më militant të PS. Vendimi i djeshëm i gjykatës, thashë edhe njëherë, tejkalon çdolloj imagjinate. A mund të imagjinohen gjykatës të cilën pasi iu rritën rrogat në 6 milionë iu verbohen sytë për të lexuar Kushtetutën.

Dy tri gjëra mund t’ju them.

Në vendimin e tyre mashtrojnë në mënyrën më të turpshme, dhunojnë ligj dhe logjikë njerëzore kur thonë se: grupi i 1/5 së deputetëve është entitet me fuqi të kufizuar në kërkesat para Gjykatës Ksuhtetuese. Dhe e entiteti Kuvend merr përparësi.

Për ta ditur qytetarët, neni 7 i Kushtetutës shprehet se sistemi i qeverisjes në Shqipëri ndërtohet nga pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Nuk i referohet parlamentit, thotë pushteti i parlamentit, nuk vë në bazë parlamentin me organet e tij drejtuese, por vë ligjvënësin, deputetin. Në pasqyrim të këtij neni, neni 134 që pasqyron se kush ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës pasi rrjeshton një seri subjektesh mbi 100 fjalë të tij, nuk ekziston fjala parlament. Në pikën C, i njeh këtë të drejtë një të pestës së deputetëve. Dhe këtë të drejtë ia njeh baraz me Presidentin e Republikës, me Kryeministrin e Shqipërisë dhe Avokatin e Popullit. Pra, kjo e drejtë është e pakufizuar. Nuk ia njeh këtë të drejtë kryetares së parlamentit apo kryetarit, i cili në hierarki është numri 2 i shtetit.

Nuk ia njeh kryesisë, nuk ia njeh komisioneve. Kurse gjykata mashtron, nxjerr entitet atë që nuk është subjekt ligjor për t’u paraqitur në gjykatë. Gjykatësit apo gjykatëset se çfarë janë, mashtrojnë në mënyrë të paimagjinueshme. Çfarë përfaqëson një e pesta e deputetëve? Për ata që kanë të qarta parimet më bazë universale të lirive në një shoqëri përfaqëson të drejtën e pakicës, përfaqëson respektin e pakicës. Nuk ia ka dhënë kryetares së Parlamentit, përveçse deputetit. Nuk ia ka dhënë organeve drejtuese të parlamentit, ia ka dhënë 1/5 së deputetëve, ç’ka nënkupton që ata janë opozitarë, por me kusht që të jenë 1/5, jo më pak.

Këtij përcaktimi të kristaltë kushtetues, gjykatësit i kundërvunë fantazinë e tyre të sëmurë militante të turpshme. E paimagjinueshme!

Po në këtë rrjedhë, duke shpërfytyruar veten e tyre, duke shkelmuar mbi veten dhe dinjitetin e tyre, thonë se 1/5 nuk legjitimohet me këtë kërkesë, sepse kjo kërkesë duhet të jetë e parlamentit dhe jo e deputetëve.

Me një fjalë, për këta deputetë që Kushtetuta iu njeh të drejtën e pakufizuar në kërkesën ndaj gjykatës, që gjykata gjer dje ua ka njohur dhe respektuar këtë të drejtë. Vetëm tre javë më parë, gjykata ka pranuar ankesën e tyre për protokollin e marrëveshjes Shqipëri-Itali, që në fund të fundit ishte marrëveshje mes dy qeverive.

Por sigurisht në qoftë se gjykata ka përjashtuar 1/5 e deputetëve si entitet me fuqi të pakufizuar, kjo 1/5, në emër të shtetit, në emër të pakicës që përfaqëson në atë shtet, por pakicës së respektuar të atij shteti, i ka të hapura dyert e gjykatës. Është e kotë.

U ndala pak më gjatë se ç’duhet në këtë, por po të kemi parasysh se ka përkufizime në të cilat gjykata konsiderohet garant i Kushtetutës, do të thotë se sot një seksion i PS në gjykatë, është garant i monizmit, është garant i vendosjes së një pushteti monist të përqendruar totalisht në duart e një njeriu.

Ne jemi të vetëdijshëm. Betejën pa kthim e shpallëm pas përfundimit të dokumentit të shkatërrimit të zgjedhjeve në Shqipëri, të vjedhjes së votës nga Edi Rama në Shqiëri. Dhe ajo ishte e domosdoshme. Premtimi ynë ndaj shqiptarëve, detyrimi ynë ndaj shqiptarëve është që të mos i mashtrojmë, përkundrazi,ë shtë që ata të votojnë të lirë.

Diktatura ka krijuar një propagandë të stërfuqishme. Si kurrë ndonjëherë më parë janë zgjuar tellallë të sigurimit të vjetër të shtetit që kalojnë nga një studio në një tjetër në mbrojtje të akteve diktatoriale. Lëpirës mjeranë që plaçkisin shqiptarët çdo ditë nëpërmjet firmës së Edi Ramës dhe ministrave të tij.

Por, e gjithë kjo propagandë nuk është e pakapërcyeshme. Kjo kërkon që ne të përdorim çdo mjet që kemi në dorë, dhe që faktikisht nuk e kemi përdorur siç duhet, dhe këto janë rrjetet sociale. Ato duhet të jenë ekranet tona televizive, ato duhet të jenë debatet tona. Ndaj dhe në këtë situatë ato bëhen më të rëndësishme, me rol më kritik se asnjëherë më parë.

Të nderuar anëtarë dhe anëtare të Kryesisë së PD, në kushtet dhe rrethanat kur armiku ynë disponon apo ka nën urdhër të gjitha institucionet e narkoshtetit, ka në disponim, apo kontrollon 80- 90 përqind të propagandës, ka në disponim apo kontrollon ekonominë në mënyrën më të pamëshirshme formale dhe informale, ky rend monist, ky sistem monist nuk ka në disponim qytetarët. I mungojnë qytetarët.

Ata janë të trembur, por kanë një urrejtje të pakufishme ndaj Edi Ramës. Kudo që shkoni, dëgjoni rëndomë se unë jam socialist, por nuk jam me Edi Ramën. Dëgjoni rëndomë njerëz që shprehin dhimbjen më të thellë për humbjen e identitetit të tyre politik. Dëgjoni rëndomë njerëz që kalojnë ditën në dhimbje dhe mjerim.

Pra, pakënaqësia ndaj Edi Ramës dhe regjimit të tij është shumë e madhe.

Ndaj dhe ne të mos besojmë pollet që i organizon ai vetë. Dhe mos harroni një gjë, duhet t’u rikujtoj, pikërisht në periudhën kur nuk na votuan, në vitin 1991, në prag të zgjedhjeve të dyta u bë një poll nga agjencia më prestigjioze e polleve në botë, Gallupi.

Si doli? Doli se PD ishte 25 pikë pas PS. Pse ua thashë këtë? Se këto janë pollet e frikës. Gallupi nuk gënjeu, nuk mbushi formularë, por njerëzit nga frika u përgjigjën në atë mënyrë. Kjo është historia e Edi Ramës sot, polleve që bëhen. Ju garantoj se në momentin e parë që ne do e vëmë para atë, do dalë në dritë mbështetja masive që ekziston për PD.

Por ne duhet të faktojmë se po e vëmë para. Në fakt, ne i kemi dhënë dhe i japim tonin jetës politike. Ne arritëm të asgjësojmë de facto parlamentin monist. Por arritje të kësaj natyre janë të domosdoshme në të gjithë aktivitetin.

Ky regjim është një kalbësirë, i cili në mënyrë absolute nuk ka të ardhme dhe nuk mund të qendrojë në këmbë në përballje me një opozitë të vendosur gjer në fitoren përfundimtare.

Login to post comments