Berisha: Skapi ngjason si dy pika uji me Sigurimin e djeshëm, Skapi është një organizatë e mirëfilltë kriminale

Tuesday, 26 December 2023 12:42

Lideri i opozitës, Sali Berisha, ka hequr një paalele midis Sigurimit të Shtetit të dikurshëm dhe SPAK-ut sot dhe e ka argumentuar pse-në në fjalimin që mbajti përpara të rinjve të FRPD-së sot në seli. 

"Për të kuptuar ngjashmërinë mes diktaturës së sotme dhe diktaturës së djeshme, - tha Berisha. -  se ju jeni fatlumë, asnjëri prej jush nuk e jetoi atë diktaturë dhe është fat i madh. Por problemi është se sot jemi prapë në diktaturë dhe kjo kërkon vetëdijen tuaj të plotë.

Përpara ne kishim Sigurimin e Shtetit, i cili fajësonte njerëz pa faj, me një qëllim të vetëm, që të ushtronte terror në shoqëri. Sot kemi Skapin.

Çfarë ishte Sigurimi? Sigurimi përbëhej nga kriminelë, nga torturues, nga vrasës, nga përdhunues. Përbëhej nga një vulg njerëzor ndaj dhe ata ishin të aftë të zbatonin çdo urdhër.
Por çfarë është Skapi sot? Ngjason si dy pika uji me Sigurimin e djeshëm. Skapi sot është një organizatë e mirëfilltë kriminale që rëndom paraqitet si një risi. Po pse them se është organizatë kriminale? Sepse aty janë rekrutuar prokurorë, përfaqësues të bandave më të rrezikshme të Shqipërisë.

Aty është prokurori që u tha shqiptarëve se Mehmet Greca, trafikanti që kishte mbushur makinën me fletë votimi dhe euro dhe karta identiteti në Elbasan, nuk kishte asgjë në makinë. Dhe ai u shpërblye nga bosi i tij i krimit, Taulant Balla dhe u soll në Skap.

Skapi është organizatë kriminale sepse vrasësi që vrau jashtë çdo lloj tradite njerëzore në gjumë të fejuarën e tij 15-vjecare, në vend që të dënohej me dënim përjetë, doli nga burgu sikur nuk ka kryer krim. Skapi tha: jo, këta nuk janë organizatë kriminale. E dërguan në Shkodër, ku shoku i tyre kishte marrë milionat dhe ata dolën të lirë.

Ose, ish-oficeri i Sigurimit të Shtetit, Arben Kraja qëndron në Skap. Ligji thotë nuk mund të jenë në prokurorinë e shtetit ata të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë ose oficerë të Sigurimit të Shtetit. Por ligji nuk ekziston për ta, ekziston vetëm vullneti i Edi Ramës për t’i përdorur si mercenarë.

Të njëjtën figurë kanë krijuar dhe po krijojnë te gjykatësit. Pra, Edi Rama ka vendosur një kontroll të plotë dhe total mbi të gjitha pushtetet.

Por ëndrra e tij është kjo. Një Shqipëri pa rini, një Shqipëri pa opozitë.

Në qoftë se një Shqipëri pa rini, po e realizon me largimin e të rinjve nga Shqipëria, Shqipërinë pa opozitë e realizoi duke blerë ish-kreun e opozitës.

Natyrisht shpirti opozitar nuk u ble dot nga Edi Rama dhe gjatë dy viteve dhe këtu duhet ta them, që drejtuesit tuaj kanë një meritë të veçantë se qenë më të parët që u rreshtuan në shpëtimin e PD-së. Ua them unë ju.

Por pasi e pa se i doli jashtë kontrollit, pasi e pa se ëndrra e tij po bëhej pluhur, ëndrra e tij për një Shqipëri pa opozitë, pasi e pa se kjo opozitë e vërtetë do e groposte siç e meriton, ai kaloi në veprime ekstreme ndaj saj. Në mohimin e të drejtave themelore të opozitës, pa të cilat ajo nuk është opozitë. Ajo është fasadë, ajo është një opozitë në letër, por kurrë një opozitë e vërtetë. I mohoi në parlament të drejtën e komisioneve parlamentare."

Login to post comments