Ish-Presidenti Ilir Meta, sot, më 27 janar, kur në botën mbarë shënohet Dita Ndërkombëtare Përkujtimore e Holokaustit dhe bëhen homazhe, përforcoi thirrjen për të dënuar antisemitizimin dhe mungesën e tolerancës, dhunimin e lirive dhe të drejtave të njeriut kudo ku ndodhin.
"Në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës nderojmë miliona jetë të pafajshme hebrenjsh të humbura gjatë mizorisë së Holokaustit, - shkroi Meta në Fb. - Krenar për popullin shqiptar dhe kodin tonë të nderit Besa që në periudhën më të errët të njerëzimit mbrojti mijëra hebrenj të larguar nga vendet e tjera, duke e kthyer Shqipërinë në të vetmin shtet në Europë ku numri i tyre ishte më i madh pas Luftës së Dytë Botërore se sa para saj.
Duke dënuar me forcë antisemitizmin, mungesën e tolerancës dhe bashkëjetesës, si dhe dhunimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, të angazhohemi që të tilla tragjedi, gjenocide dhe akte çnjerëzore të mos përsëriten kurrë më."
Ilir Meta e shoqëroi shënimin e tij me foto të viteve më parë, kur ai ka viziuar Muzeun "Yad Vashem" në Izrael dhe ka vendosur kurora në emër të Shqipërisë në nderim të viktimave të popullit hebre.