Shqipëria u vlerësua në vitin 2023 me një pikë më shumë se vitin e mëparshëm në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, duke shënuar 37 pikë dhe duke u radhitur në vendin e 98-të mes 180 vendeve, sipas organizatës Transparency International.
Të martën kjo organizatë publikoi Indeksin e përvitshëm të Perceptimit të Korrupsionit dhe raportin për gjendjen e korrupsionit në botë.
Transparency International përdor një sistem llogaritjeje të indeksit nga zero në 100 pikë, ku zero është niveli më i lartë i korrupsionit dhe 100 pikë do të thotë mungesë korrupsioni.
Në raport thuhet se Shqipëria po shënon përmirësim në drejtim të hetimit dhe ndjekjes penale të korrupsionit në nivel të lartë, duke iu referuar punës së SPAK-ut.
“Por përparimi i mëtejshëm në këtë drejtim varet nga zbatimi i mëtejshëm i legjislacionit të drejtësisë penale dhe sigurimi i mbikëqyrjes efektive ndaj degës ekzekutive”, thuhet në raport.
Transparency International thotë se vendimi për krijimin e një ministrie të re ngarkuar me luftën kundër korrupsionit shoqërohet me pritshmërinë për mekanizma efektivë të integritetit.
“Megjithatë, kjo nuk mund të arrihet nëse parlamenti nuk ka autonomi më të fortë dhe nëse organizatat e shoqërisë civile dhe mediat nuk mund të kryejnë rolin e tyre mbikëqyrës pa pengesa nga autoritetet”,thuhet më tej në raportin e Transparency International.
Në vitin 2022 Shqipëria ishte radhitur në vendin e 101. Që nga viti 2012, Shqipëria është përmirësuar me 4 pikë.
Rajoni i Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore ku bën pjesë Shqipëria ka rezultate shqetësuese me një mesatare prej 35 pikësh nga maksimumi prej 100 pikësh, i dyti me rezultatin më të dobët pas Afrikës Nën Sahariane.
Mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria radhitet më poshtë sesa Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ndërsa ka respektivisht një pikë më shumë se Serbia dhe dy më shumë se Bosnja.