Paradoksi/ Kushtetuesja gjen shkelje në ligjin për Skavicën, por e lë në fuqi

E mërkurë, 31 Janar 2024 13:05

Megjithëse Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se në ligjin për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës është shkelur e drejta për informim për gjendjen e mjedisit dhe mbrojtjen e tij, e garantuar nga Kushtetuta, ajo nuk e ka hedhur poshtë atë.

 

BIRN

Gjykata Kushtetuese njoftoi të martën më 30 janar vendimmarrjen lidhur me kërkesën e tre organizatave për shfuqizimin e ligjit “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë ‘Betchel International INC.”, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës” dhe të vendimit të qeverisë “Për miratimin e kontratës së fazës së parë ‘Kontratë për shërbime teknike – projekti hidroenergjetik i Skavicës' ndërmjet KESH sh.a. dhe Bechtel Limited”.

Në njoftim theksohet se në ligj është konstatuar shkelja e të drejtës për informim për gjendjen e mjedisit dhe mbrojtjen e tij, të garantuar nga neni 56 i Kushtetutës, megjithatë në këtë rast Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur të shfuqizojë ligjin apo rekomandojë ndryshime, por ka urdhëruar autoritetet publike për të riparuar shkeljen e konstatuar dhe për të garantuar të drejtën për informim gjatë fazës së parë të zbatimit të ligjit. 

Ndërkohë, gjykata ka çmuar se nuk ka juridiksion për të shqyrtuar vendimin e qeverisë duke konsideruar se nuk përbën akt me karakter normativ.

Shoqata “Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës”, “Komiteti Shqiptar i Helsinkit” dhe  shoqata “Për Mbrojtjen e Pronave dhe Mjedisit të Pellgut të Drinit të Zi”, i kërkuan Gjykatës Kushtetuese vitin e kaluar që të shfuqizojë si të papajtueshme me Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ligjin për hidrocentralin e Skavicës dhe të vendimit të qeverisë për miratimin e kontratës së fazës së parë të projektimit, me argumentin se shkelin disa ligje kombëtare dhe ndërkombëtare mbi të drejtën e konkurrencës së lirë, të drejtën ekonomike dhe të drejtës për informim.

Gjykata vlerëson se për arsye se ligji e rregullon projektin e Skavicës në dy faza dhe faza e dytë fillon vetëm nëse finalizohet e para, kërkuesit legjitimohen vetëm për pretendimin për cenimin e së drejtës së informimit për çështjet mjedisore.

“Gjykata vlerësoi se ligji nr. 38/2021 ka të bëjë dhe sjell ndikim, ndër të tjera, edhe në çështjet e mjedisit. Gjatë procesit gjyqësor nuk u provua se Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave, para miratimit të ligjit, të kenë zbatuar të drejtën e informimit për gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij, të garantuar nga neni 56 i Kushtetutës. Po kështu, këto subjekte nuk kanë kryer procese konsultative me publikun dhe nuk kanë garantuar pjesëmarrje efektive që në fazën e hershme të hartimit të projektligjit, ku të gjitha alternativat të ishin të hapura dhe komuniteti i zonës (me statusin e publikut të ndikuar) të mund të merrte pjesë sipas detyrimeve të Konventës së Aarhus-it”, citohet në njoftim.

Por, duke qenë se ligji ndodhet akoma në fazën e parë të zbatimit të tij, Gjykata Kushtetuese vlerëson se shkeljet e konstatuara para miratimit të ligjit mund të riparohen ende përmes ndërmarrjes së hapave konkretë për përfshirjen e publikut në informacion dhe vendimmarrje.

Në përfundim, pas konstatimit të shkeljes së të drejtës për informim për gjendjen e mjedisit dhe mbrojtjen e tij, gjykata ka urdhëruar autoritetet publike për të riparuar këtë shkelje të konstatuar, si dhe ka detyruar për marrjen parasysh në vijim të rezultateve të procesit të informimit për mbrojtjen e mjedisit, për aq sa është e mundur.

Login to post comments