"E gjithë shtyrja e seancës është për të vonuar (siç caktoi edhe datën pas 10 ditësh) për të vonuar gjykimin e kësaj kërkese, sepse i vetmi qëllim i kësaj gjykate dhe i politikës që fshihet pas saj është djegia e mandatit të deputetit të z. Berisha."
Avokati i liderit të opozitës, Genc Gjokutaj, deklaroi sot në përfundim të seancës së radhës në SPAK se me shtyrjen që iu bë sot gjykimit të kërkesës së tyre për lejimin e z. Sali Berisha në seancat parlamentare, u kuptua plotësisht qëllimi politik që po përmbush gjykata: djegia e mandatit të deputetit të liderit të opozitës.
“Ne kemi vijuar me ankimimin e rrëzimit, - tha Gjokutaj. - Sot ishte seanca për shqyrtimin e këtij ankimi me një paradoks. Sot është dekriptuar plotësisht se qëllimi politik po realizohet në mënyrë rigoroze nga kjo gjykatë. Pse?! Në kohën e marrjes së masave së sigurimit në tetor ndaj z. Berisha, masat ishin të pakomunikuara dhe ata i konsideronin të komunikuara dhe të ekzekutuara. Sot ndodh e kundërta.
Ndërkohë që fletëthirrjen e ka firmosur e bija e z. Berisha dhe ka një raport të Policisë që z. Berisha ka marrë dijeni, Gjykata nuk e konsideron këtë si të njoftuar dhe shtyn seancën. E gjithë shtyrja e seancës është për të vonuar, siç caktoi edhe datën pas dhjetë ditësh - për të vonuar gjykimin e kësaj kërkese, sepse i vetmi qëllim i kësaj gjykate dhe i politikës që fshihet pas saj është djegia e mandatit të deputetit të z. Berisha.
Ajo është shtyrë për në datën 8 shkurt, të shikojmë se ç’marifet tjetër do të nxjerrë gjykata.
Kjo gjykatë sot mori dhe kërkesën për përjashtim të gjyqtares Irena Gjoka, kërkesa e katërt që bëhet për përjashtimin e saj. Ajo nuk dëgjon. Sot ishte një qëndrim jo me dy standarde, por i shtatëfishtë. Ne do të vazhdojmë betejën sepse kjo gjykatë, që dje i quante vendimet e komunikuara, të pafirmosura, sot me firmë dhe me dijeni e konsideron të panjoftuar, zotin Berisha.
Pyetje: Z. Berisha, mbi çfarë baze argumentesh e kërkoni ju përjashtimin e gjyqtares, sepse disa nga argumentet e mëparshme janë rrëzuar nga gjykata?
Gjokutaj: Ne kemi mbledhur të gjitha shkeljet. Një nga shkeljet që ju s‘e dini është fakti se gjyqtarja Irena Gjoka ka dhënë vendimin e datës 30 dhjetor për zëvendësimin e masës së z. Berisha në arrest në shtëpi, vendim të cilin e ka dhënë pa u shprehur gjykata për kërkesën e përjashtimit. Kërkesa e përjashtimit ka mbërritur me postë.
Për shkak të vonesës që gjykata bëri për aktet që kërkuam, ne kemi depozituar një ditë më përpara në afat të fundit në postë dhe me kuponin e postës i kemi thënë gjykatës që kërkesa është duke ardhur. Gjykata nuk e konsideroi fare dhe ka dhënë vendimin. Dhe vendimi i datës 5 janar i kërkesës për përjashtim, pavarësisht se e rrëzon kërkesën për përjashtimin e Irena Gjokës, gjyqtarja në arsyetimin e saj ka konstatuar se ne kemi qenë brenda afatit ligjor dhe ajo gjykatë duhej të mos shprehej për themelin e vendimit sepse nuk qe gjykuar kërkesa e përjashtimit.
Hipotetikisht, nëse gjykata do të pranonte kërkesën tonë për përjashtim, atëherë vendimi i asaj gjykate është nul. Sepse kjo nuk është çështje interpretimi; të marrësh vendim në ndalim të ligjit, kjo nuk është shkelje. Kjo është vepër penale për një gjyqtar.