Berisha: Megjithatë skandali i shekullit është korruptimi nga Rama i McGonigalit

Premte, 02 February 2024 21:45

Pavarësisht akuzave të rënda të Arben Ahmetajt ndaj Edi Ramës dhe Erion Veliajt, kryetari i PD-së, Sali Berisha tha se, megjithatë skandali i shekullit është korruptimi nga Edi Rama i Charles McGonigal, kryezbuluesit të SHBA.

Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha: 

 

Pra, Arben Ahmetaj në intervistën e tij, nuk tha asgjë të re, por përsëriti në mënyrë të qartë të kristaltë ato që ne kemi paraqitur para jush dhe do paraqesim.

Të dashur qytetarë dhe qytetare, ne si shqiptarë në histori kemi pasur probleme serioze.

Kemi virtytet, por absolutisht edhe defektet tona, kemi virtytet pothuajse të lindura, siç kemi defektet pothuajse të lindura.

Por një gjë nuk kanë thënë kurrë për ne, askush, asnjë armik, asnjë pushtues, asnjë shkencëtar, asnjë studiues, nuk kanë thënë se shqiptarët janë budallenj. Jo, përkundrazi.

Në të gjithë shëmbëlltyrën psikologjike janë cilësuar si inteligjentë.

Ndaj dhe ju lutem, mos na fyeni inteligjencën sepse kjo drejtësi është pseudo-drejtësi, është turp-drejtësi, është drejtësi korrupsioni, është anti-drejtësi, është narko-drejtësi, është mafia-drejtësi!

Miqtë e mi, djegësat janë afera e shekullit.

Por ftoj shqiptarët për nderin dhe dinjitetin e tyre të mos harrojnë se më i rëndi i të gjithëve është skandali i shekullit, është korruptimi nga Edi Rama i Charles McGonigal, kryezbuluesit të SHBA.

Çfarë presim më? Drejtësia foli, ministria e Drejtësisë së SHBA, prokurori federal dërgoi në gjykatë akuzën se Edi Rama ka korruptuar McGonigalin për të vrarë në Shqipëri pluralizmin, për të shkatërruar në Shqipëri opozitën.

A ka turp më të madh se sa të kemi një kryeministër të tillë?

A ka turp më të madh se të kemi një të korruptuar të tillë ndërkombëtar që heq licenca dhe vë licenca kundrejt shpërblimeve marramendëse.

Pra, të gjitha këto ftojnë sot shqiptarët kudo që janë, në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë, të vijnë dhe të luftojnë për nderin shqiptar, për dinjitetin e shqiptarëve, të vijnë të luftojnë kundër kësaj mafie të rrezikshme për Shqipërinë, rajonin dhe Europën.

Të vijnë të luftojnë për rivendosjen e pluralizmit, rivendosjen e demokracisë, luftëtarë të lirisë, nder për ju që vazhdoni çdo natën betejën.

Mirënjohje të pakufishme.

Rrofshi ju, rroftë opozita, rroftë Shqipëria!

Login to post comments