Kryetari demokrat, Sali Berisha, u bëri thirrje qytetarëve mbrëmë që të bashkohen në protestën e sotme të opozitës para Kuvendit në orën 17:00.
FJALA E PLOTË
Qytetarë dhe qytetare, qëndrestarë, misionarë të vërtetë të guximit, lirisë dhe shpresës së shqiptarëve.
Të dashur dhe të nderuar artistë, anëtarë të Aleancës për mbrojtjen e njërit prej simboleve më të çmuara të kombit shqiptar, që me pasionin, dashurinë tuaj për teatrin, pasionin, dashurinë tuaj për artin dhe kulturën e këtij kombi, sakrifikuat në 7 vite në protestën më të gjatë, më qytetare, që Europa dhe bota ka njohur ndonjëherë.
Më shumë se kushdo tjetër, qytetarët e Tiranës dhe mbarë kombit u janë mirënjohës për betejën epike në mbrojtje të teatrit. Në mbrojtje të vlerave të kulturës sonë, të artit nga barbaria, nga kartelet e drogës.
Të dashur artiste dhe artistë!
Më shumë se kushdo tjetër ndaj jush janë borxhli, janë demokratet dhe demokratët e Tiranës, të cilët kurrë në asnjë rrethanë nuk duhet të lejonin dhe s’mund të lejonin asgjë tjetër përveç triumfit të kauzës tuaj.
E keni thënë në mënyrë të përsëritur dhe e thatë dhe sonte, se fati i teatrit ishte fati i demokracisë në Shqipëri. Se rrënimi i teatrit nga barbarë defakto dëshmoi për rrënimin madhor të vlerave në këtë shoqëri dhe u ndoq me shpejtësi me rrënimin e demokracisë, ashtu si muret e Teatrit Kombëtar.
Skena e tij, e gjithë qenia e tij u mposhtën nga droga, karteli i saj, Edi Rama, Erion Velaij. Atë fat pati dhe ka në Shqipëri, demokracia shqiptare.
Përpjekja, beteja epike e artistëve për teatrin, e punonjësve do të frymëzojë qytetarët e Tiranës dhe shqiptarët drejt rikthimit të teatrit në legjendën dhe epikën e tij, në legjendën dhe epikën e luftës, betejës së pamposhtur që këta burra e gra, artistë të mrekullueshëm, qytetarë të vërtetë të Tiranës dhe Shqipërisë zhvilluan në mbrojtje të teatrit.
Të dashur miq!
Siç u shemb teatri, njëra pas tjetër u shembën në Shqipëri shtyllat e rendit kushtetues, u shembën në Shqipëri, shtyllat e demokracisë.
Një opozitë që u dëshmua e paqenë në betejën për Teatrin, u dëshmua e paqenë në mbrojtjen e votës megjithëse kishte 700 mijë shqiptarë në mbështetje, bëri që e keqja e pandalshme të ngadhënjejë.
Të dashur miq!
Nuk ka asgjë më qesharake, më absurde se sa të pretendosh se pas këtyre barbarive Edi Rama do të rrëzohet me votën e lirë.
Se Edi Rama do të pranojë rotacionin.
Edi Rama me ata buldozerë që shembi teatrin, në atë frymë shembi parlamentin. Të hënën protestohet para parlamentit si në asnjë tjetër parlament në botë. 23 deputetë tuaj nuk hynë dot në sallën e parlamentit sepse i kanë përjashtuar Rama dhe Linda e tij sikur ta kishin parlamentin pronë private dhe jo tempull i demokracisë së qytetarëve.
Ndaj dhe nesër çdo qytetar, çdo qytetare, duhet të lejë çdo gjë, të bashkohet me deputetët e opozitës para parlamentit.
Parlamenti është i qytetarëve, nuk është i trafikantëve!
Parlamenti është i qytetarëve, nuk është i krimineleve!
Parlamenti është i qytetarëve, nuk është i hajdutëve dhe vjedhësve!
Të dashur miq!
Ish-numri dy për 9 vite i qeverisë shqiptare, tani në mërgim, lëshoi nga Zvicra aktakuza mbi Edi Ramën, Erion Veliajn si eksponentët më kryesorë të mafias në Shqipëri.
Si hajdutët më kryesorë në aferën e djegësave.
Ai deklaroi se nëse do të hetohej kjo aferë, shqiptarët do të llahtariseshin dhe se përfshirja është maksimalisht në nivelet më të larta.
Nëse keni ndjekur këto ditë ka qenë një zhvillim i jashtëzakonshëm. Ky zhvillim është se për herë të parë, me gjithë akuzat direkte për Edi Ramën, Erion Veliaj, Altin Dumani, Belinda Balluku, asnjë fjalë, asnjë rrokje nuk kanë shqipëruar ata të cilët menduan se, Arben Ahmetaj nuk ka gjë të re, u ngutën. E vërteta është se të gjitha ato që i ka thënë Arben Ahmetaj, i ka thënë PD në mënyrë të përjavshme.
Por mos harroni miqtë e mi se kësaj here, bomba shpërthej nga brenda.
Kësaj here, Edi Rama nuk guxoi të flasë, sepse Arben Ahmetaj i nxjerr të tjera. Kësaj here, Edi Rama nuk foli, ndonëse Arben Ahmetaj u tha shqiptarëve se kryesia që ai drejton, qeveria që ai drejton është një organizatë e mirëfilltë kriminale.
Se vetë Edi Rama është arkitekti famëzi i kanabizimit të Shqipërisë. Se ai është niveli maksimal që mbledh 17 firma në një orë në aferën e djegësave. Kurse Rama heshti dhe vetëm heshti, sepse Rama dëgjoi fjalën tjetër, po të hetohet, shqiptarët llahtarisen.
Miqtë e mi!
Deklaratat e Arben Ahmetajt, strukën në strofullën e tij, Neronin e Tiranës, Erion Veliajn. Ai është pronari tha, është pronari i vërtetë i djegësit. Keni dëgjuar ju të ketë shqipëruar një fjalë?
I nxori dhe ndërmjetësin me të cilin ka zhdukur 60 milionë. Keni dëgjuar të shqipërojë një fjalë. Por nga i gjithë establishmeti i narko shtetit, organizata kriminale që quhet qeveri, organizata tjetër kriminale që quhet bashki, asnjë nuk foli.
Por një njeri foli, dhe do të më lejoni pak ju lutem të ja lexoj në mënyrë tekstuale se si Bolino i Edi Ramës, akuzon sot Erion Veliaj: Se si Bolino pohon e zezë mbi të bardhë, se Erion Velaij është pronari i djegësit të Tiranës:
Do më lejoni të ua lexoj: Arben Ahmetaj, thotë ai, pa e pasur mendjen zbuloi mëkatën e tij, pra që është ai informatori politiko-informatik në skandalin e inceneratorëve dhe duke treguar urrejtjen e tij për Erion Veliajn, që e përjashtoi nga projekti i Tiranës.
Pra, Bolino i Ramës, thotë se Erion Veliaj, pronari i djegësit përjashtoi Arben Ahmetajn, dhe e vërteta është se, ky është i vetmi reagim gjer sot, pas 3 ditësh nga klani mafioz i vjedhjes së shekullit.
Miqtë e mi!
Asnjë fjalë, asnjë reagim nga binomi famëzi Dumani-Kraja, Kraja-Dumani.
Akuzat që lëshoi Arben Ahmetaj, nuk janë më të rënda se ato që kemi lëshuar ne ndaj tyre. Opozita prej shumë muajsh i ka konsideruar ata, shpallur, grup të strukturuar kriminal, organizatë të strukturuar kriminale.
Por përsëri ata që mund të kenë hezituar, mund të mos kenë pëlqyer këto etiketime, të cilat në mënyrë më absolute, kurrë nuk mund tu bëheshin, atyre që zbatonin ligjin, asnjëherë në asnjë rrethanë, por u bëheshin se ata janë bashkëpunëtorë monstruoz në krimet më të shëmtuara.
Arben Ahmetaj u tha shqiptarëve se ndërkohë që hetonte pllakat e banjos dhe laminatet e kuzhinës sime, Altin Dumani injoronte, nuk hetonte, amnistonte, vidhte së bashku me Erion Veliajn dhe Edi Ramën, 60 milionë euro të taksapaguesve. Arben Ahmetaj pohoi ato që kemi denoncuar, se këta janë një grup i strukturuar kriminal.
Të dashur miq!
Me modelin e hetimit të Arben Ahmetaj që zgjodhi Altin Dumani, ai dëshmoi se është autor kryesor i amnistimit të Edi Ramës, të Erion Veliajt.
Sepse ai për të mashtruar shqiptarët u hodhi kokën e turkut, duke mos hetuar procedurën e djegësave, por duke hetuar pllakat e banjos, laminatet dhe burimet e të ardhurave të Arben Ahmetajt.
Ndërkohë, edhe sot e kësaj dite ky prokuror kriminel nuk prek kontratën kriminale. Edhe sot e kësaj dite ky prokuror kriminel nuk anulon kontratën kriminale, sipas së cilës, përveç 110 milionë të zhdukura deri më tani, qytetarëve të Tiranës u merren çdo ditë 80 mijë euro për djegien e plehrave që nuk digjet asnjë kilogram.
Çfarë është ky? A nuk është ky bashkëhajdut njësoj si Erion Veliaj?! A nuk është ky puseta e gjirizit të korrupsionit qeveritar?
Miqtë e mi!
Kurrë të mos harrojmë se ka dy armë për të vrarë shpresën e një kombi. Njëra është rrëmbimi i votës, tjetra është rrëmbimi i drejtësisë.
Ndaj o sot, o kurrë, qytetarët shqiptarë të ngriheni kundër armikut kryesor të votës së shqiptarëve, Edi Rama. Të ngriheni kundër armiqve të ligjit dhe të drejtës suaj, Dumanë dhe kompani. Kjo betejë është vendimtare.
Edi Rama mendon se duke asgjësuar parlamentin, arrestuar kreun e opozitës, do të vendosë paqen e tij. Do të heshtë me dhunën e policisë dhe drejtësisë, çdo zë opozitar.
Prandaj o sot o kurrë, nesër para Parlamentit!
Parlamenti është i qytetarëve, nuk është i kriminelëve, nuk është i banditëve. Koha fton çdo qytetar të ngrihet o sot, o kurrë në mosbindje civile. Nuk mund të hyjë në zyrë Edi Rama, ky hajdut i ndëshkuar, i damkosur, i akuzuar nga drejtësia amerikane si njeriu që korruptoi kryezbuluesin e vendit udhëheqës të NATO-s.
Nuk duhet të hyjë në zyrë Edi Rama, ky armik i egër i opozitës, që me procese politike kërkon ta asgjësojë atë. Nuk mund të hyjë në zyrë Edi Rama, njeriu që kanabizoi Shqipërinë. Njeriu që vetën në aferën e djegësave ka vjedhur 200 milionë dhe priste të vidhte 1 miliardë. Nuk mund të hyjë në zyrë Edi Rama, njeriu që po grabit 1.4 milionë metër katrorë tokë në Portin e Durrësit me Alabarin e tij për Dubai City.
Në këmbë qytetarë! O sot, o kurrë në këtë betejë pa kthim, në mosbindje civile. O sot, o kurrë drejt fitores!
Rrofshi ju, rroftë Partia Demokratike, opozita shqiptare.
Nderim të pakufijshëm artistëve dhe të gjithë anëtarëve të lëvizjes për Teatrin. Lëvizja për Teatrin është lëvizje për kulturën, për identitetin, për simbolin më të arrirë të kombit tonë.
Faleminderit!
Fitore, fitore fitore!
Të hënën në ora 5, Shqipëria përpara parlamentit!