Në ditët e para të janarit pagesat e thesarit të shtetit hasin vonesa për shkak të planifikimeve të reja në fillim vit. Psh disa institucione buxhetore marrin pagat me vonesë dhe shpesh tenderët për shërbime jetike nuk kryhen në kohë.
Teksa shumë ente buxhetore ndeshen në vështirësi nga burokracitë e fillim vitit, kompania që zotëron koncesionin e inceneratorit të Tiranës, Integrated Energy BV, SPV e njohur tashmë për një skemë të pastër të korrupsionit nën hetim nga SPAK ka përfituar pagesa të rregullta në ditët e para të janarit.
Siç shihet nga të dhënat e “Open Data Albania” ku referohen transaksionet ditore të thesarit nga Ministria e Financave, në 10 ditët e para të janarit Integrated Energy BV, SPV ka përfituar 64,4 milionë lekë ose 613 mijë euro, te cilat janë detyrime të prapambetura të Bashkisë së Durrësit ndaj inceneratorit. Kjo shumë është sa 5 për qind e buxhetit vjetor që është planifikuar për inceneratorin e Tiranës këtë vit, një shumë totale prej 1,2 miliardë lekësh.
Siç shihet nga të dhënat e detajuara, pothuajse të gjitha pagesat janë dhënë nga bashkia e Durrësit e cila ka shlyer me mbi 600 mijë euro tarifat e prapambetura të vitit 2023 në ditët e para të janarit.
Një faturë e paguar me datën 9 janar ishte regjistruar në thesar me 28 dhjetor 2023 dhe kishte për qellim të shlyente detyrimet e shtatorit 2023 të Bashkisë së Durrësit ndaj inceneratorit.
Me datën 16 janar është paguar një fature prej 21,2 milionë lekë po nga Bashkia e Durrësit për mbetjet e depozituara në muajin nëntor 2023.
Me 23 janar është kryer një pagese prek 18,3 milionë lekësh po nga Bashkia e Durrësit për depozitimin e mbetjeve të dhjetorit 2023.
Inceneratori i Tiranës, një vepër që nuk ekziston dhe procesi është nën hetim dhe sekuestro nga SPAK, do të financohet nga taksat e shqiptarëve me 1,27 miliardë lekë (12 mln euro) këtë vit, me rritje gati 20% nga viti 2023, sipas parashikimeve në buxhetin 2024.
Të dhënat nga bilancet tregojnë se Integrated realizoi 9,9 miliardë lekë të ardhura gjatë periudhës 2017-2022, nga të cilat 24,7 miliardë leke (23,8 milionë euro ishin fitime).
Të dhënat nga pasqyrat financiare tregojnë se të ardhurat e integrated Energy B.V. S.P.V.” ishin shumë më të lata se, të dhënat nga thesari i Ministrisë së financave, për shkak se përveç fondeve për investimin e inceneratorit kompania ka përfituar pagesa nga bashkitë e Durrësit, Kavajës, Tiranës për administrimin e mbetjeve.
Durrësi çon 63% të buxhetit total për mbetjet
Bashkia Durrës përbën një rast unik se si mbi gjysmën e të ardhurave që ajo mbledh vetë e shpenzon vetëm për një zë, për mbrojtjen e mjedisit (kryesisht pastrimi mbeturinave). Në vitin 2022, të ardhurat e veta të Bashkisë (nga taksat e tarifat e taksat e ndara) ishin 1.53 miliardë lekë, me rënie 3% në krahasim me vitin e mëparshëm, sipas të dhënave nga Co-Plan.
Ndërsa vetëm për mbrojtjen e mjedisit u shpenzuan 954 milionë lekë, ose 63% e totalit të të ardhurave që mbledh gjithsej Bashkia. Shpenzimet për mbrojtjen e mjedisit të Bashkisë Durrës ishin 964 milionë lekë, ose 63% e të ardhurave të veta të Bashkisë së qytetit bregdetar.
Rritja e shpenzimeve për mbrojtjen e mjedisit erdhi pas mbylljes së depozitimit të Porto Romanos dhe dërgimit të mbetjeve në inceneratorin e Sharrës në Tiranë.
Bashkia e Durrësit, sipas burimeve të saj, gjeneron çdo ditë rreth 200 tonë mbetje, ose rreth 70 mijë tonë në vit.
Sipas kontratës, që qeveria ka me koncesionarin e plehrave në Sharrë, kosto e depozitimit të mbetjeve është 29.05 euro/ton për të gjithë kohëzgjatjen e koncesionit.
Projektbuxheti i bashkisë Durrës i vitit 2023 parashikon që edhe për periudhën 2023-2025, Bashkia do të shpenzojë 930-960 milionë lekë në vit për mbrojtjen e mjedisit./MONITOR