Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka publikuar dokumentin ku tregohet se si kryebashkiaku Erion Veliaj i ka kaluar fondet e arsimit për mega-aferën e inceneratorëve.
Blushi ka theksuar se Erion Veliaj ka hequr së fundmi rreth 6 milionë euro nga buxheti i Bashkisë për arsimin dhe emergjencat civile, për t’i kaluar tek inceneratori fantazmë dhe nën sekuestro i Tiranës.
DEKLARATA E PLOTE
Të nderuar qytetarë,
Sot faktojmë me dokument zyrtar, atë që kemi denoncuar më herët, se Erion Veliaj ka hequr së fundmi rreth 6 milion euro nga buxheti i Bashkisë për arsimin dhe emergjencat civile, për t’i kaluar tek inceneratori fantazmë dhe nën sekuestro i Tiranës.
E vendosur me shpatulla pas muri nga kërkesa zyrtare për transparencë dhe llogaridhënie e Partisë së Lirisë, Bashkia e Tiranës pohon se ka prekur fondet për çerdhet, për kopshtet, për shkollat dhe për përmbytjet për të vijuar pagesat për inceneratorin.
Në përgjigjen e saj zyrtare, Bashkia pohon me arrogancë se për të mbuluar pagesën e fondeve për inceneratorin janë hequr:
2.5 milionë euro nga buxheti për arsimin parashkollor
1.7 milion euro nga buxheti për arsimin e mesëm.
1.8 milion euro nga Fondi Rezervë.
Ky pohim kriminal, që duhet administratuar urgjentisht nga SPAK, është një tjetër provë se Erion Veliaj është pronari faktik i inceneratorit të Tiranës.
Është një tjetër provë se pse sot në Tiranë nuk ndërtohen shkolla dhe çerdhe të reja, pse vijon mësimi me dy turne, pse mungon ngrohja dhe kushtet më minimale të edukimit dhe mësimdhënies.
Është kjo arsyeja pse Tirana përmbyet pas çdo rrebeshi shiu dhe “thahet” për ujë të pijshëm në të katër stinët e vitit, pse nga qendra në periferi nuk ka ujë të pijshëm 24 orë dhe pse sistemi i ujësjellës-kanalizimeve është ende i amortizuar.
Për Erion Veliajn, pronarin faktik të inceneratorit të Tiranës, interesi i tij personal dhe vijimi i kësaj afere kriminale korruptive qartazi prevalon mbi interesin qytetar duke sfiduar hapur edhe organet e Drejtësisë së Re që bëjnë sikur nuk i shohin këto prova dhe fakte skandaloze.
Vendimi për të vazhduar vjedhjen dhe shpërdorimin e taksave për shkollat, çerdhet dhe përmbytjet rrëzon jo vetëm propagandën e gënjeshtërt për investime në arsim dhe emergjenca civile nga Bashkia e Tiranës por ky është poshtërimi i rradhës i Erion Veliajt ndaj SPAK-ut që në vend ta marrë një orë e më parë të pandehur, mbyll sytë duke lejuar vijimin e pagesave për inceneratorin.
Ndërkohë që Drejtësia e Re i ka bllokuar llogaritë bankare Arben Ahmetaj në arrati përse e lejon Bashkinë e Tiranës të paguajë për inceneratorin fantazëm?
Përse këto dy standarde kur gjithmonë e më shumë provohet se Erion Veliaj, jo vetëm e ideoi, i hapi udhën dhe është përfituesi direkt i kësaj afere, jo vetëm shkeli ligjin duke anashkaluar Këshillin Bashkiak por edhe i dha 15 ha tokë ndërtim pa leje inceneratorit, jo vetëm i zhyti banorët e Tiranës në borxh për 30 vite por edhe u heq atyre të drejtën bazike për të patur ujë të pijshëm dhe një sistem arsimor dinjitoz për fëmijët e tyre.
I bëjmë thirrje SPAK të administrojë urgjentisht edhe këtë shkresë të Bashkisë së Tiranës dhe të marrë të pandehur pronarin faktik të inceneratorit fantazëm, Erion Veliaj.
Partia e Lirisë është e vendosur të faktojë me prova dhe dokumenta, jo me propaganda dhe hamendje, aferat kriminale të “Rilindjes”.
Në dritën e këtyre provave, qytetarët presin prej kohësh që pandëshkueshmëria të marrë fund njëherë e përgjithmonë.
Drejtësia me regji qëndrore në Bashki dhe në Kryeministri është bashkëfajësi!