Pak kush e mban mend atë mesditë të 21 shkurtit 2022, kur kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako u desh të braktiste Komisionin hetimor parlamentar për skandalin e inceneratorëve. Në atë kohë, kur Edi Rama ende nuk i kishte ndaluar investigimet e deputetëve për aferat e qeverisjes së tij, me pretekstin se po i shtrëmbëronin fjalët, znj Sako u largua nga salla, pavarësisht thirrjeve të demokratëve se ajo do të procedohej penalisht për rrefuzim dëshmie.
Në fakt, telashi i vërtetë i kryebashkiakes së Durrësit, që atëhere ishte ende e re në detyrë, nuk lidhej me keqtrajtimin nga parlamentarët e opozitës. Arsyeja e vërtetë gjendej tek masa që i kishin imponuar përdhunshëm shefat e saj, për të depozituar plehrat e qytetit me një kosto shumë të lartë në landfillin e Tiranës, që asokohe e quanin ende incenerator.
Kjo ishte arsyeja e vërtetë që Emiriana Sako nuk përgjigjej dot dhe ajo lidhet me shifrat maramendase që dimë tani. Në bazë të të dhënave të bëra publike së fundi, Bashkia e Durrësit shpenzon më shumë sesa gjysmën e bixhetit total të saj për të ushqyer me para Integrated Energy BV, SPV. Edhe këtë fillim viti ajo ka hedhur miliona euro në buxhetin e ndërrmarrjes së sekuestruar me urdhër të SPAK.
Për të thënë plotësisht të vërtetën, Emiriana Sako nuk ka përgjegjësinë kryesore. Ajo e gjeti të shtruar rrugën për të depozituar plehërat e Durrësit në landfillin e kryeqytetit. Ajo e mori detyrën pas dorëheqjes së kryetares së zgjedhur Valbona Sako dhe u u ngarkua nga Edi Rama, si nënkryetare për të drejtuar këtë institucion në fillim të vitit 2020. Por që në korrik të vitit 2018, me urdhër këshilli Bashkiak i Durrësit kishte shpallur emergjencën mjedisore, (sipas modelit të Elbasanit) me justifikimin se nuk kishte ku depozitonte plehërat. Për disa kohe kjo dosje u la në heshtje. Derisa në janar 2020 Edi Rama kalon në Këshillin Kombëtar të Territorit, shndërrimin e vendit të hedhjes së mbeturinave të qytetit në Porto Romano, në një Eko Park.
Pra pikërisht kur Emiriana Sako vjen në detyrë Durrësi është praktikisht i detyruar ti “eksportojë” plehërat drejt Tiranës. Vendimet i ka marrë tjetërkush, por Sako është e detyruar ti zbatojë. Në këtë periudhë lajmet e Top Channel përmbyten nga “kronika kritike” për kazanët që po qelbin qytetin. Nën këtë presion politiko mediatik, ende pa asnjë marëdhënie kontraktuale, bashkia e Sakos fillon ti dërgojë mbetjet drejt landfillit të Integrated Energy BV, SPV. Kjo është një pikë që edhe sot kryebashkiakia aktuale nuk e shpjegon dot, si e ka bërë pa bazë ligjore. Vetëm më vonë, në qershor, pasi qyteti ishte lënë pa vend depozitimin e Porto Romanos, Këshilli Bashkiak i qytetit i jep miratimin Sakos për të negociuar me bosët e inceneratorëve për të shpënë mbetjet e qytetit të saj aty?
Por çfarë kontrate nënshkruan ajo, ndonëse pa inisiativën e saj dhe me një lëvizje që pothuajse ia patën detyruar? Ajo pranon që për 200 tonë mbetje që prodhon Durrësi në ditë të të paguajë një tarifë 29 euro për ton. Po sa kushton ajo për rreth 70 mijë tonë në vit? Afro 964 milionë lekë, ose 63% e të ardhurave të buxhetit të qytetit bregdetar. Dhe kështu bashkia e Emiriana Sakos përbën një rast unikal, atë të administratës së një qyteti që e shpenzon më shumë se 60 përqind e të ardhurave të tij për të hequr plehërat. Pra për ti dhënë lekë atij që disa vazhdojnë ta quajnë ende inceneratori i Tiranës.
Prandaj me të drejtë kur u gjend përpara komisionit hetimor Parlamentar, kryebashkiakia Sako i’u shmang hetimit duke lënë sallën. Sepse në fakt, ajo është zgjedhur nga qytetarët e Durrësit, por realisht punon për Integrated Energy BV, SPV.