'Edhe djalli citon librat e shenjtë për interes të tij'/ Si kaloi Rama nga 'haram' në 'hallall' për bixhozin

E mërkurë, 07 February 2024 18:24

Të gjithë e kujtojnë kohën kur Edi Rama bridhte studio më studio dhe trumpetonte me të madhe se po ndalojmë lojërat e fatit sepse i ndalojnë librat e shenjtë.

Dje, me nismë të vetë kryeministrit Edi Rama që e konsideronte ‘haram’ në fund të vitit 2018, Komisioni i Ekonomisë ka miratuar ndryshimet ligjore që i hap rrugën rihapjes së basteve sportive në Shqipëri. 

Duke cituar Kuranin, kreu i qeverisë, deklaronte në emisionin “Zonë e Lirë” arsyet e aksionit për mbylljen e lojërave të fatit.

“Nuk më ka tërhequr kurrë bixhozi. Nuk mund të hyj kurrë në një garë ku mas forcat e mia dhe sfidoj fatin. Është një sfidë që e ndalon Kurani. E thotë bukur. Nuk e kam bërë për këtë arsye, por e thotë, mos e sfido fatin e të nesërmes,”- thoshte Rama në atë kohë.

 

Mirëpo, siç thotë edhe një fjalë tjetër, “edhe djalli citon Biblën e Kuranin për interesa të vetat”, pikërisht këtë gjë ka bërë Edi Rama, kur i interesonte mbyllja për t’i marrë në dorë lojërat e fatit, i mbylli duke cituar librat e shenjtë, tani, që siç duket i ka vënë për vijë punët se kujt do t’ia japë, mos u çuditni të sajojë ndonjë libërër “të shenjtë”, ku lejohen lojërat e fatit dhe të fillojë ta citojë.

Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi të martën ndryshimet ligjore për rikthimin e basteve sportive online, 5 vite pasi ato u ndaluan me ligj, por lulëzuan në ilegalitet.

Propozimet fillestare të qeverisë për ndryshime në ligjin për “Lojërat e fatit” pësuan ndryshime gjatë 4 muajve diskutim në këtë komision dhe pas konsultave mes Kuvendit dhe ministrisë së Financave.

Ndryshimet u miratuan vetëm me votat e deputetëve të PS-së, por deputeti Erjon Braçe shfaqi rezerva për disa nga nenet dhe për mospërfshirjen e kategorive të personave që u ndalohet të luajnë.

Ai propozoi që të ndalohen të luajnë presidentët e federatave të çdolloj sporti dhe vetë lojtarët e sporteve. “Në të gjithë sportet të ndalohen drejtuesit dhe lojtarët”- tha ai duke shtuar se nëse nuk ndodh kjo, atëherë “komprometohet gara”.

Por kryetari i komisionit Eduart Shalsi sqaroi se nuk ishte arritur dot një formulim juridik nga grupi teknik i punës për kadegoritë që duhej të ndaloheshin. “Cënonte disa liri, mund të diskriminonim një kadegori tjetër”- tha ai duke shtuar se lista e atyre që duhej të ndaloheshin dilte shumë e gjatë dhe s’mund të futej në ligj.

Por, Braçe këmbënguli se, “nuk është diskriminim të ndalosh presidentin e FSHF të luajë baste, është detyrë”.

Neni përkatës përcakton ndalimin për të luajtur të gjitha llojet e lojërave të fatit vetëm për nëpunësit e Autoritetit Mbikëqyrës të Lojërave të Fatit (AMLF) dhe anëtarëve të Komisionit të Liçencave.

Pra, lojërat e fatit janë rikthyer sërish, i rikthen i njëjti kryeministër që i mbylli me potere dhe të njëjtët deputetë që i bënin temena kryeministrit në kohën kur ai citonte librat e shenjtë.

Login to post comments