"A e keni kërcënuar Ahmetajn në mbledhjen e Kryesisë?" ishte pyetja që iu drejtua sërish sot Kryeministrit Edi Rama nga gazetarja e SYRI TV edhe në përfundim të Asamblesë së PS.
Ndërkohë që ish-krahu i tij i djathtë e ka akuzuar publikisht Kryeministrin se e ka kërcënuar në mbledhjen e Kryesisë së PS-së, Rama nuk i është përgjigjur kësaj pyetjeje, duke konfirmuar kështu akuzat e Arben Ahmetajt se ai e kontrollon drejtësinë dhe bën 'koka turku' kë të dëshirojë duke urdhëruar SPAK-un.
Këtë gjë Rama e bëri edhe sot kur u pyet nga gazetarja Ambrozia Meta nëse e kishte kërcënuar apo jo Ahmetajn dhe Rama tha se drejtësia duhet të merret me të.
"Partia Socialiste e ka shumë të qartë pozicionin e vet, - tha Rama. - Ju mund të pyesni sa herë të doni, mund të komentoni çfarë të doni, është liria dhe e drejta juaj të bëni komente për çdo gjë, por është detyra jonë që drejtësisë t’i japim të gjitha mundësitë të bëjë punën e vet e pashqetësuar nga ndikimi i pushtetit ekzekutiv, madje, e pashqetësuar as nga komentet e atyre që përfaqësojnë Partinë Socialiste.”