Rama sulmon Veliajn: E ke bërë partinë si OJF

Diel, 11 February 2024 16:40

Lajmet e para që rrjedhin nga Asambleja me dyer të mbyllura e PS, flasin për kritika të forta të Kryeministrit ndaj kryebashkiakut të Tiranës. Shkak për goditjen e Erion Veliaj është bërë analiza e punës në qarkun e Tiranës i cili kryesohet nga Veliaj. Në këtë kuadër, Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, e ngarkuar me mbikqyrjen e Rogozhinës dhe Kavajës ka bërë një raport kritik për mbarëvajtjen e punëse dhe mosfunksionimin e organizatës në këto qytete.

Viktima e parë duket se ka qenë deputeti i zonës, Etien Xhafaj, i cili njihet si një nga mbështetësit e fortë të Veliajt. 

 

Një burim i Lapsi.al brenda mbledhjes, ka treguar se menjherë pas vërejtjeve të Ministres së Shëndetësisë, e cila dyshohet se nuk ka folur me kokën e saj, e ka rimarë fjalën Kryeministri që ka goditur Etien Xhafajn. Sikur të mos mjaftonte kjo, Rama i është drejtuar Veliajt me fjalët: “Ç’janë këto mbledhje kot që bën, je bërë si OJF” duke iu referuar organizimit të keq të punës.

Ashtu sikurse dihet, Kavaja dhe Rogozhina janë dy nga zonat që PS doli me keq në zgjedhjete  fundit lokale.

Por kjo batutë ndaj Lali Erit, vjen në momentin e tij më të keq në karrierën e tij politike, kur delfinit të Ramës ia kanë bërë benë, shumë nga figurat e larta të PS, përfshirë edhe Zv/kryeministren Balluku.

Të bindur se pushteti i tij i pamatë financiar dhe politik mund të tronditet nga hetimi i abuzimeve skandaloze të inceneratorit të Tiranës që e nxjerrin Veliajn gjithnjë e më shumë përgjegjës për paratë e avulluara, një pjesë e mirë e elefantëve socialistë kanë vënë bast për perëndimin e yllit të kryebashkiakut dhe shenja negative e Ramës kundër tij interpretohet si një shenjë se Rama po e shet atë për llogari të SPAK-ut, ashtu sikurse bëri me Ahmetajn, Bllakon apo Kokën.

Një burim i dytë brenda mbledhjes ,i kontaktuar nga Lapsi.al, i relativizoi pak këto fakte.  Me një SMS nga brenda mbledhjes ai i konsideroi debatet si ‘burokraci të rëndomta partie” pa ndonjë simbolikë në zhvendosjen e ekuilibrave politikë.

Pra është ende shpejt që të arrihet në konkluzione për një ndryshim kursi brenda binomit Rama - Veliaj, aq më tepër që dihet se shpesh Kryeministri argëtohet duke e zhvlerësuar Kryebashkiakun në publik, duke i thënë të lyejë shkallët apo të kapë lopën e fshatarit, por më pas nuk e zhvesh atë nga pushteti i madh që i ka dhuruar. 

Login to post comments