Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaroi sot mbështetjen për protestën kombëtare të thirrur më 20 shkurt 2024 nga Partia Demokratike, duke nënvizuar faktin se “Partia e Lirisë ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në mbështetje të të gjitha protestave qytetare, por edhe politike, në mbrojtje të demokracisë”. Meta ka vlerësuar po ashtu, zhvillimet e fundit të rëndësishme brenda partisë më të madhe të opozitës.
Ja si iu përgjigj Meta dy pyetjeve që iu drejtuan për këtë çështje sot gjatë konferencës së shtypit:
Pyetje: A keni ju një koment për rikthimin e deputetit Gazment Bardhi dhe të mbështetësve të tij, krah kryedemokratit Sali Berisha? Si e shikoni nga tani, aksionin opozitar?
Ilir Meta: Unë mendoj se çdo bashkim i sinqertë forcash, energjish, potencialesh të fjetura deri tani, patjetër që është shumë pozitiv, sepse nuk jemi në një situatë normale. Jemi praktikisht në një narko-diktaturë dhe duhet të ketë një vijë të qartë demarkacioni me narko-diktaturën. Kështu që çdo diferencë, çdo dallim, duhet lënë mënjanë në mënyrë që të arrihet një sinergji dhe një kohezion sa më përfshirës, jo vetëm brenda opozitës, por brenda gjithë shoqërisë, e cila po vuan nga kjo narko-diktaturë, vendimet e të cilës kanë sjellë këtë bilanc katastrofik të shpopullimit të vendit, të rritjes së varfërisë dhe të shpërthimit galopant të korrupsionit dhe padyshim, të rritjes së frikshme të rritjes së çmimeve dhe të inflacionit.
Pyetje: Partia Demokratike më 20 shkurt do të zhvillojë një protestë kombëtare me sloganin “O sot, o kurrë”. A do t’i bashkoheni ju?
Ilir Meta: Partia e Lirisë ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në mbështetje të të gjitha protestave qytetare, por edhe politike, në mbrojtje të demokracisë, në mbrojtje të pluralizmit politik, të cilat kërkojnë t’i japin zë të gjithë shqiptarëve të cilët po vuajnë pasojat e kësaj narko-diktature.