Mark Crawford, president nderi i Dhomës Amerikane të Tregtisë, ishte i ftuari i mbrëmjes i gazetares Armela Ferko në SYRI TV.
Ai komentoi vizitën e Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë me datë 15 shkurt. Crawford tha se kjo është një vizitë e pritshme dhe se ai do të falenderojë shqiptarët për çështjen e refugjatëve afganë.
“Gjithmonë jam pozitiv kur vjen dikush nga Uashingtoni këto. Sidomos kur është një vizitë e nivelit të lartë siç është sekretari Blinken. Normalisht kur qeveria e SHBA bën një marrëveshje me qeverinë shqiptare, për shembull për të marrë refugjatë nga Guantanamo, ka ardhur dikush nga Uashingtoni më pas. Erdhi Bushi, tani vjen Blinken. Sepse Shqipëria ka ndihmuar problemet e Amerikës në politikën e jashtme. Kështu që kjo vizitë është e pritshme dhe është pozitive.
Por prapë se prapë ne kemi disa ngjarje që po ndodhin në rajon, sidomos në lidhje me Rusinë, Serbinë, Republikën Srpska, kemi çështjen e Kosovës në veri, që nuk është e qetë. Kështu që kjo vizitë duhet të ishte bërë nëse nëse ne amerikanët do ishim më proaktivë me investimet, sidomos në fushën e energjisë, atëherë nuk do kishim një situatë të tillë që e shoqëron vizitën e Blinken,” tha ai.
Crawford tha se në raportin e kongresmenit demokrat, Raskin, përmendet që Shqipëria ka probleme të thella me korrupsionin.
“Është përmendur edhe problemi i McGonigal, edhe problemi i naftës. Pra, nëse jemi duke financuar luftën e Rusisë me naftën e tyre, atëherë ka një mospërputhje me interesat gjeopolitike të Amerikës. Atëherë ai mund të vijë këtu që të thotë faleminderit për ndihmën që keni dhënë për çështjen e Afganistanit. Unë jam kritik për administratën Biden për këtë çështje siç ndodhi, sepse nuk duhej të kishte ndodhur siç ndodhi,” tha ai.
I pyetur se cilat do jenë mesazhet e Blinken, ai tha: “Unë besoj që duhet të fillojmë me qeverinë amerikane. Duhet të jemi të qartë dhe konstantë. Erdhi Exxon këtu, iku Exxoni. Filluan investimet në hidro dhe ikën”.
“Ne amerikanët, sa i përket diplomacisë ekonomike, duhet të jemi më aktivë. Unë shpresoj që Blinken do të thotë se ne do jemi më të aktivizuar në Shqipëri dhe në rajon. Nëse janë aktivizuar amerikanët, besoj se do ketë më pak influencë rusët që donin të përziheshin këtu. Por ata duhet të përmendin se nëse ne ndërmarrim një hap pozitiv për rajonin, ne presim që rajoni të mos thotë diçka përpara nesh dhe të bëjë diçka tjetër në prapa skenë, për shembull duke shitur naftë ruse,” theksoi Crawford.