Amendamentet e propozuara kundër marrëveshjes Rama-Meloni shkojnë pa relator në Senat

E mërkurë, 14 February 2024 21:55

Mbërrin pa relator, me 154 amendamente të paanalizuar në Komisione, ligji i firmosur nga qeveria Meloni mbi ngritjen e dy qëndrave të emigrantëve në Shëngjin e Gjadër.

Ka nisur me debate të forta diskutimi i Ratifikimit të këtij Protokolli mes Italisë e Shqipërisë për bashkëpunim në fushën e emigracionit, firmosur më 6 nëntor 2023 në Romë mes kryeministrave Meloni-Rama. 

 

Dekreti ka mbërritur në sallën e Dhomës e Senatit pa relator pasi në Komisonin e përbashkët të Çështjeve të Jashtme, Kushtetuese e atë të Mbrojtjes i cili ka mbyllur punën vetëm pak minuta para nisjes së Asamblesë parlamentare, nuk është mundur të arrihet mazhoranca e mundshme për të votuar relatorin e tij.

 

Image

 
 

Janë 154 amendamente të prezantuara në komisionet e Senatit përmes të cilëve forcat opozitare, kërkojnë ndryshimin e neneve të këtij dekreti.

Me 64 vota pro, 81 kundër e 1 abstenim ndër 147 senatorë të pranishëm në sallë, u hodh poshtë porpozimi i 2 grupimeve politike "Partia Demokratike e Italia Demokratike Progresiste" , "Alleanza Verdi dhe e Majta", që kërkuan pezullimin e diskutimit të tij e dërgimin  në një gjykim Kushtetues, duke e konsideruar si një dekret që shkel Kushtetutën Italiane e normativën europiane e ndërkombëtare mbi emigracionin.

Lëvizja 5 Yje e cila ka prezantuar 28 amendamente shtesë, përmes senatores Alessandra Maiorino e konsideron këtë dekret, një akt arbitrar, ideologjik e propagandistik i qeverisë e cila nxiton ta çojë në sallën e Senatit, pa relatorë e pa u analizuar në komisione amendamentet e prezantuara nga forcat politike.

"Një dekret, tha ajo, që nuk ka afat kohor, por që kjo qeveri nxiton ta çojë për votë pasi objektivi i saj është fushata elektorale e zgjedhjeve europiane."

Senatori Graziano Delrio i Partisë Demokratike u shpreh se ky Protokoll "do krijojë koloni të burgosurish e do të sjell një diskriminim juridik për azilkërkuesit"./A.Kepi

Login to post comments