Meta: Në vend që paratë të shpenzohen për qytetarët, rilindja dyfishon patronazhistët në administratë

Diel, 03 Mars 2024 01:19

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta me një mesazh në Facebook, shkruan se rilindja në vend që të shpenzojë paratë për investime ndaj qytetarëve, i shpenzon ato duke shtuar patronazhistët në administratë.

Sipas Metës nga viti 2015 e këtej, qeveria ka shtuar me 87 për qind numrin e punësimeve në adminisratë, duke shtuar patronazhistët. 

 

Reagimi i kreut të PL-së, Ilir Meta:

Shqipëria është një nga vendet që shpenzon më shumë për pagat në administratën shtetërore krahasuar me vendet e rajonit.

Kur flasim për pagat, nuk kemi parasysh thjesht personelin që punon, që shërben, por kemi parasysh edhe armatën e patronazhistëve që janë shtuar, ndërsa popullsia është pakësuar ndjeshëm.

Të dhënat faktojnë një abuzim të qartë të pushtetit vendor të ‘Rilindjes’ me mbifryrjen e administratës.

Nga 19.625 punonjës në qeverisjen vendore në vitin 2015 përpara Reformës Territoriale, numri i tyre arriti në 36.663 në vitin 2022 ose një rritje me rreth 87%.

Në vend që paratë të shpenzoheshin për më shumë shërbime dhe investime për qytetarët, ‘Rilindja’ po i shpërdoron ato për punësime parazite dhe shpërblime për patronazhistët e saj.

Login to post comments