Berisha: Pa qeveri teknike, s’ka rotacion pushteti. I them Ramës, dorëhiqu sa nuk është vonë

Diel, 03 Mars 2024 01:20

Gjatë fjalës në tubimin qytetar, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha i ka bërë thirrje Edi Ramës, që të japë dorëheqjen sa nuk është vonë.

Sipas Berishës, pa qeveri teknike nuk ka rotacion pushteti në Shqipëri. 

 

Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:

Të dashur miq. 

Shqipëria sot duhet të kishte rrogat dhe pensionet më të larta në rajon.

Çdo vit, sipas KLSH-së, vidhen 130 përqind e fondit të pagave të vendit.

Vidhen mbi 90 miliardë lekë.

Kurrë ndonjëherë Shqipëria nuk ka pasur një qeveri të tillë.

Ju e morët vesh se në muajin janar, 31 ditët e janarit, asnjë qindarkë nuk u investua nga buxheti i shtetit në Shqipëri.

Pra në janar, paratë tuaja, taksat tuaja, nuk u përdorën, nuk u investuan për asnjë shërbim tuaj. Për asnjë rrugë, për asnjë shkollë, për asnjë vend pune, për asgjë.

Kjo ndodh kur nuk ke qeveri, ose kur ke qeveri që vjedh edhe duke fjetur.

Kjo është qeveria.

Nga mëngjesi gjer në darkë shpërndajnë mashtrime nga më ordineret, të turpshme, fshehin krime.

Shqipëria sot është vendi më i pasigurt në Europë dhe në botë. Çfarë marrin qytearët? Mashtrimet e Taulant Ballës dhe Edi Ramës për të cilët s’po ndodh asgjë.

Ndaj miqtë e mi, sot më shumë se kurrë, jeni të ftuar të ngrihemi në betejë pa kthim, më mosbindje civile për qeverinë teknike.

Pa qeveri teknike, zgjedhje të lira nuk ka.

Pa qeveri teknike, rotacion pushteti në Shqipëri nuk ka.

Pa qeveri teknike, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, Shqipëria mbetet një vend i ndëshkuar, një vend që braktiset nga shqiptarët.

Ndaj dhe ftoj shqiptarët, ftoj çdo shqiptar të frymëzohet nga ju, të ndjekë shembullin tuaj, të vazhdojmë betejën tonë, të mbjellim shpresë dhe besim në të katër anët e vendit.

Asgjë nuk na ndan ne nga fitorja jonë.

Asgjë nuk na ndan ne nga realizimi i qëllimeve tona.

Ne do fitojmë!

Ndaj dhe edhe njëherë, mirënjohjen më të pakufishme.

Edhe njëherë, Edi Ramës, jep dorëheqjen sa nuk është vonë.

Largohu se forcë në botë nuk mund të pengojë shqiptarët pa rikthyer votën e lirë, pa shpëtuar Shqipërinë nga narkoshteti, kthetrat e këtyre hajdutëve që s’i ka pasur kurrë në histori Shqipëria as Europa.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Login to post comments