Nga Agim Nesho:
Gjatë takimeve të tij në Shkodër, zoti Rama premtoi që do ta bëjë Shkodrën ‘‘Great Again”, duke rikthyer në ambientin Shqiptar moton e Presidentit Trump, që do ta bëjë Amerikën sërish të madhe (Great Again).
Parulla është shumë e bukur dhe shumë frymëzuese për lidera që duan të bëjnë dicka për vendin e tyre dhe kërkojnë votën nga opinioni publik. Por për zotin Rama, që ka mbi 20 vjet në pushtet, kjo parullë duket jo vetëm jo realiste, por edhe cinike në kushtet e Shqipërisë dhe regjimit që ka instaluar në qeverisjen e vendit. Ai ka pasur shansin të ndryshonte Shqipërinë që në vitin 2013, kur mori pushtetin, por e ktheu Shqipërinë në një çiflik të tij personal, ku shteti është i kapur, demokracia në koma cerebrale, ku mëse 1 milion shqiptarë kanë lënë vendin e tyre si të pashpresë, kur politika bashkëpunon me krimin e organizuar dhe pasuritë publike të vendit gëzojnë xhepat e pushtetarëve dhe oligarkëve. Edhe sikur Rama të përpiqet vërtetë të bëjë dicka për Shqipërinë (gjë që është e pabesueshme), shteti putinesk që ka instaluar me korrupsionin galopant dhe klientelizmin e shfrenuar, bashkëpunimin me krimin e organizuar dhe me Shqipërinë si Kolumbia e Europës, e ka të pamundur të jetë një figurë tranformuese për vendin.
Po pse zoti Rama kohët e fundit përpiqet të përdorë shprehje dhe lavdërime për Presidentin Trump? Si kameleon politik dhe në funksion të pushtetit të tij personal, ai është i gatshëm të përshtatet ndaj çdo alternative dhe qeverisjeje konservatore, që mund ta rrezikojë sado pak. Aventurier ‘par excelence’, ai ishte i pari dhe i vetmi që për t’ju bërë qejfin demokratëve amerikanë e quajti Presidentin Trump ‘turpi i civilizimit’.
Pas marrjes së pushtetit nga Trump në 2016, ai u shtri barkas dhe u zvarrit me lobistët e tij për të normalizuar marrëdhëniet. Ai ishte i pari që vizitoi Arabinë Saudite për të prishur embargon ndaj Princit të Kurorës i akuzuar nga Perëndimi për vrasjen e gazetarit të Washington Post J. Khashoggi, vetëm se ky kishte marrëdhënie të mira me Presidentin Trump. Me ardhjen e demokratëve në Shtëpinë e Bardhë, Rama përdori influencën e familjes Soros si mburojë paprekshmërie për regjimin e tij të korruptuar. Një rikthimi të mundshëm të Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë Rama i trembet shumë. Jo se ai nuk ka marrë masat që pjesë të pasurive të Shqipërisë të vihen në dispozicion dhe tu serviren atyre që mund të influencojnë në vendimmarje në administratën e ardhshme, por se dy miqtë e tij, Alex Soros dhe McGonigal, janë armiqtë personalë të Presidentit Trump, për të cilët ky i fundit është shprehur hapur. Për më tepër që persekutimi politik i liderit të opozitës Shqiptare, Sali Berisha, për të cilin Rama dhe miqtë e tij janë aktorë, duket se është tepër i ngjashëm me cështjen Trump në SHBA. Pavarësisht se është i kujdesshëm për të mos bërë gabimet e para, ai po punon për tu bërë sa më shpejt pjesëtar i grupit të konservatorëve dhe duke bashkëpunuar ngushtë me autokratët e Lindjes së Mesme, favorizuar pa kushte Melonin në projekte kundër interesave të Shqipërisë, duke zgjatur miqësinë me Vucic, Orban, dhe mbetur gjithnje një vasal i bindur i Presidentit Erdogan, etj. Aq i garantuar është ai nga lobistët e tij të gjithëllojshëm dhe ‘lubi’ në shpenzime, sa Rama nuk ka frikë të lavdërojë Presidentin Trump përpara Sekretarit të Shtetit Blinken, administrata e të cilit e shikon në pozicione tepër të errëta ardhjen e Trump në pushtet.
Veprimet dhe retorika e Ramës nuk është një sjellje diplomatike apo zgjuarsi për tu përshtatur. Ajo është thjesht një kameleonizëm politik i një autokrati të pashpresë, që kërkon pushtetin ta mbajë me cdo kusht. Sado të ndryshojë ngjyrë Rama, mbetet një figurë e errët që opinioni publik gjithmonë e më shumë e quan një satrap që ka kapur vendin. Kur je në këto pozita, as zoti nuk të ndihmon dot. Populli vendos për fatin e tij.