Tedi Blushi: Balluku gllabëroi miliona euro me Evis Berberin e ARRSH-së

E Enjte, 14 Mars 2024 19:26

Sekretarit të Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, në një deklaratë për media, ka reaguar në lidhje me arrestimin e kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi nën akuzën për korrupsion.

Blushi shprehet se së bashku me ministren Belinda Balluku, Berberi ka ‘qethur’ milionë euro në 2 km rrugë të aksit të shembur Korçë-Ersekë.

 

Ndër të tjera ai shkruan se qeveria i ka borxh secilit pensionist në zonat urbane mesatarisht në 7,489 lekë/muaj ose rreth 90,000 lekë në vit dhe në zonat rurale i ka borxh secilit pensionist 3,238 lekë/muaj ose rreth 39,000 lekë në vit për shkak të mos indeksimit të plotë mbi bazën e inflacionit të artikujve ushqimore dhe rritjes së munguar të pensionit nga rritja ekonomike. 

 

Reagimi i sekretarit te Pergjithshem te PL-se, Tedi Blushi:

Arrestimi i sotëm i Drejtorit të Autoritetit të “Rrugëve të florinjta”, Evis Berberi me akuzën e korrupsionit, si dhe faktimi në raportin më të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit të grabitjes dhe shpërdorimit të rreth 6 milion euro nga drejtuesit e Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare janë dëshmia më e freskët se Qeveria e Edi Ramës është zhytyr pa kthim në zhvatjen e pandalshme të taksave të shqiptarëve.

Korrupsioni i shfrenuar dhe skizofrenik është përhapur në të gjitha institucionet.

Është kjo arsyeja pse sot shqiptarët festojnë edhe më të varfër se një vit më parë, pse ndihma ekonomike, pagat dhe pensionet janë shumë më të ulëta se sa në Kosovë, pse çmimet e ushqimeve, barnave dhe të energjisë janë shumë herë më të larta se në rajon, sepse i vetmi qëllim madhor i Qeverisë është grabitja pa pushim e shqiptarëve.

Me Edi Ramën kryeministër Shqipëria vetëm zhytet në korrupsion, duke u renditur e para në kontinent dhe e dyta në botë për ryshfet pas Zambias, ndërkohë që Kosova përmirësohet me 20 vende vetëm në dy vite.

Vetëm vlera e grabitjes më të fundit të bandës së “rilindasve” që drejtojnë sot KESH-in është barabartë me masën e pensionit mesatar të rreth 23 mijë pensionistëve në qytet apo të rreth 42 mijë pensionistëve në fshat.

Ndërkohë që vlera e dy kilometrave të florinjta të rrugës së shembur Korçë-Ersekë që ka “qethur”  Belinda Balluku me Berberin e ARRSH-së të arrestuar sot për korrupsion janë të barabarta me masën e pensionit mesatar të rreth 40 mijë pensionistëve në qytet apo të rreth 72 mijë pensionistëve në fshat.

Mjaftonin vetëm këto miliona euro të “avulluara” vetëm si pasojë e korrupsionit, aferave dhe keqmenaxhimit për të ndryshuar jetën e dhjetëra mijëra pensionistëve në mbarë vendin, që mezi shtyjnë muajin për të blerë ushqimet, ilaçet dhe për të paguar faturat e energjisë elektrike.

Pensionistët shqiptarë janë sot shtresa më e vjedhur, më goditur, më e varfër, më e diskriminuar dhe më e pambështetur!

Ndërkohë që vetëm drejtorëve të arrestuar të Edi Ramës, pa llogaritur atë vetë dhe ministrat e tij, u zbulohen pasuri përrallore dhe miliona euro në llogaritë bankare, pensionistët shqiptarë në pjesën dërrmuese marrin pensione shumë më të ulëta se kufiri i varfërisë i përcaktuar nga Banka Boterore në 6.85 USD në ditë.

Për një pensionist në qytet pensioni i pleqërisë është 605 lekë në ditë, ndërsa pensioni i pleqërisë në zonat rurale është 360 lekë në ditë ose sa gjysma e nivelit të varfërisë.

Qeveria e “Rilindjes” i ka borxh secilit pensionist në zonat urbane mesatarisht në 7,489 lekë/muaj ose rreth 90,000 lekë në vit dhe në zonat rurale i ka borxh secilit pensionist 3,238 lekë/muaj ose rreth 39,000 lekë në vit për shkak të mos indeksimit të plotë mbi bazën e inflacionit të artikujve ushqimore dhe rritjes së munguar të pensionit nga rritja ekonomike.

Në këtë situatë kaq kritike për shëndetin dhe jetën e pensionistëve, Partia e Lirisë dhe grupi i saj i ekspertëve të saj ekonomikë dhe ligjorë, garantojnë rreth 700 mijë pensionistë në mbarë vendin se nesër në pushtet vetëm duke ndalur korrupsionin e shfrenuar dhe skizofrenik të “Rilindjes” do të lëvrohen nga shteti të gjitha fondet e domosdoshme për të ndryshuar rrënjësisht jetën e tyre, me pensione, shërbime dhe trajtim dinjitoz.

Do të mjaftonin që 3,3 miliard euro në vit apo 13.2 miliard euro në 1 mandat 4-vjeçar, të cilat nuk mblidhen dhe administrohen, por vidhen dhe shpërdorohen qëllimisht nga Edi Rama dhe Qeveria e “Rilindjes”, të mblidhen dhe të përdoren për rritjen e pagave dhe pensioneve, për ndihma ekonomike, subvencione për fermerët, për investime dhe shërbime dinjitoze sidomos ndaj më të pamundurve, për të ndryshuar rrënjësisht të ardhmen e shqiptarëve. Ju faleminderit!

Login to post comments