Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur për Marrëveshjen e Ohrit të arritur një vit më parë mes Kosovës dhe Serbisë.
Duke iu përgjigjur gazetarëve në pyetjet rreth kritikave të BE-së se si Kosova ashtu edhe Serbia kanë stagnuar në zbatimin e kësaj marrëveshje, Osmani u shpreh se “mendoj që mjafton të lexohet marrëveshja dhe aneksi i Ohrit dhe të shikohen veprimet e palëve në teren për të ardhur tek një përfundim komplet objektiv”.
“Serbia ka shkelur me dhjetëra herë këtë marrëveshje që qartë i kërkon të mos shkel integritetin territorial të Kosovës, që ta njeh subjektivitetin ndërkombëtar, mos të votoj kundër Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, mos të përdorë dhunë në relacionet shtetërore e shumë e shumë të tjera”, ka thënë Osmani.
Presidentja u shpreh se është tejet e qartë se cila është pala që i shkel marrëveshjet e veta.
“Ajo që është dashur të ndodhte në këtë periudhë dhe që nuk ka ndodhur që do ta lehtësonte zbatimin e plotë dhe të pa kushtëzuar të kësaj marrëveshje, është mungesa e një plani të zbatimit që ende po hartohet në Bruksel. Unë si Presidente e Kosovës kam qenë kundër një plani që më është prezantuar nga ndërmjetësi sepse ka paraparë që shumica e përfitimeve që ka Serbia nga ky plan të jenë në fillim të zbatimit kurse ato të Kosovës të vijnë në fund, pra nuk ka pasur balancë”, tha Osmani.
Presidentja tha tutje se ajo çfarë kërkon është trajtim i barabartë i të dyja palëve.
“Kërkoj të ketë trajtim të barabartë të palëve, dhe që Kosova e Serbia të zbatojnë në mënyrë paralele obligimet e tyre, e jo që njëra palë ti ketë përfitimet në fillim e pastaj për Kosovën të mendohet krejt në fund”, tha Osmani.
Ajo këto komente i bëri gjatë një vizite në Komunën e Lipjanit, ku është pritur nga kryetari i kësaj komune, Imri Ahmeti.