Privatët marrin pronat e shqiptarëve, kurse paratë e taksapaguesve do të shkojnë për të paguar kostot e tjera.
Këtë e ka pranuar vetë kryeministri Edi Rama pasi doli nga një mbledhje në selinë e PS.
Rama e pranoi fillimisht se porti i ri i Durrësit do bëhet me paratë e shqiptarëve, pasi vetë ka falur prona publike me një vlerë prej 4 miliardë euro në portin ekzistues.
Bëhet fjalë për të paktën një investim prej 400 milionë eurosh në Porto Romano, me taksat e shqiptarëve.
“Sot jemi në kushtet kur shqiptarët janë pjesë e investimit në Portin e Durrësit, që përmes shtetit që është aksioner, nuk është bërë asnjë falje sepse porti ka qenë është dhe mbetet i Shqipërisë dhe i shqiptarëve.
Investimi ynë në portin e ri që do të jetë një aset, do të thotë që kemi zgjedhur mes alternativeve që është legjitime dhe e ndjekin shumë vende”, tha Rama.
Por paratë e shqiptarëve duket se do të shkojnë edhe në një tjetër investim privat. Bëhet fjalë për projektin në ishullin e Sazanit, të propozuar nga dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner.
“Ne nuk zgjedhim personat, por në bazë të legjislacionit shqiptar, i referohemi ofertave dhe propozimeve që na bëhen.
Transformimi i Sazanit në një xhevahir të kurorës së artë të turizmit mesdhetar është ambicie e kahershme. Për hir së vërtetës e kanë pasur dhe qeveritë dhe paraardhësit e mi, por nuk është bërë ende realitet.
Është një ofertë fantastike me potencial të jashtëzakonshëm ku do të negociohet dhe pjesëmarrja e shtetit shqiptar në këtë investim,” tha Rama.