Por tashmë që propaganda është fashitur, po kuptohet gjithnjë e më qartë se qëllimi i saj ishte fshehja e negociatave që në të vërtetë u kryen në errësirë dhe në shpërfillje të interesit publik. Pasojë e një kontrate të negociuar në errësirë, përmes kontakteve të kryeministrit Rama me biznesmenin arab, është edhe vendimi që merr sot parlamenti për t’u marrë 390 milion euro nga taksat e shqiptarëve, për portin e ri të Durrësit që do të ndërtohet në Porto Romano.
Si gënjeu qeveria për kostot e portit të ri
390 milion eurot për ndërtimin e portit të ri të Durrësit në Porto Romano janë para që u merren shqiptarëve si pasojë direkte e ndërtimeve që do të bëjë biznesmenti arab Mohamet Alabar. Marina e jahteve që do të ndërtojë kompania e tij gjendet pikërisht në zonën ku është porti i vjetër.
Nga projekti i Alabarit lindi edhe nevoja për ndërtimin e portit të ri. Por vendimi për ta financuar portin e ri nga taksat e shqiptarëve, ishte mohuar më parë nga kryeministri Rama. Qeveria premtoi se porti i ri do të ndërtohej përmes Partneritetit Publik Privat, pra do të paguhej nga një kompani private. Varianti i dytë ishte se porti i ri do të paguhej nga të ardhurat e vetë Autoritetit Portual. Në fund, u fol për një kredi, por edhe kjo nuk ndodhi.
Këtë të enjte, Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku harroi premtimet që kishte bërë. Sipas saj, ishte demagogji të mendoje se porti i ri i Durrësit nuk do të ndërtohej nga paratë e shqiptarëve.
“Sot pyesni pse po bëhet me paratë e buxhetit të shtetit dhe unë nuk besoj që ju e keni më të vërtetë këtë pyetje, është thjesht një demagogji momentale, të cilën po përdorni pasi ju keni dëgjuar shumë mirë prej dy vjetësh që ajo zonë nuk do të jetë vetëm një zonë detare tregtare, por do të jetë edhe një zonë militare e cila është dizenjuar tashmë dhe ka një koordinimin dhe ne e kemi njoftuar këtë publikisht pasi kemi bërë prezantimin në selinë qendrore të NATO-s para një viti” tha Balluku.
Ndërkohë më poshtë, keni një video të publikuar pak kohë më parë nga Gazment Bardhi që ka përmbledhur gënjeshtrat e ministres për paratë që duheshin për portin e ri.
Falja e truallit dhe e taksave për Alabar
Është i konfirmuar fakti se kompania private që do të investojë në Durrës, “Eagle Hills” nuk do të paguajë taksë infrastrukture dhe as nuk do të bëjë pagesën për fondin e strehimit social, siç parashikonte ligji. Me këtë “bujari” qeveria llogaritet se i dhuron kompanisë 150 milionë euro (7% e shumës së parashikuar që do të arkëtohet vetëm nga shitja e apartamenteve).
Përveç kësaj, pasi i fal një sipërfaqe rreth 1 milion metër katrorë në Durrës, fitimet e shtetit shqiptar llogariten të jenë rreth 280 milion euro, ndërkohë që projekti do të gjenerojë një shumë gati 10 herë më të madhe, që është mbi 3 miliard euro.
Shifrat e fitimit nga ndërtimi i mijëra apartamenteve në Durrës me çmime relativisht të larta për Shqipërinë, janë stratosferike. Nëse llogaritet fakti se kompania financon vetëm 160 milion euro (80 me kredi) dhe se pjesa tjetër prej 2 miliard eurosh do të gjenerohet nga kreditë, kuptohet se avantazhet e ofruara për kompaninë arabe nuk ishin pak.
Sharjet e Ramës kur i kërkuan llogari për favoret që i dha Alabar
Opozita u tërhoq nga hetimi i aferës së Portit të Durrësit, si pjesë e marrëveshjes për komisionet hetimore dhe për reformën zgjedhore. Por kur socialistët e kaluan miratimin e kontratës me procedurë të përshpejtuar në fund të vitit 2022, Rama shpërtheu në sharje dhe në ofendime, duke premtuar se shqiptarët nuk do të paguanin asnjë cent për këtë projekt.
“Duhet të jetë sepse kështu mendojmë ne që duhet të jetë”, tha ai në një fjalim në parlament, duke marrë përsipër negociimin e kontratës, Pas kësaj shpërtheu me një batare sharjesh e ofendimesh për ata që kishte përballë. “Ju jeni ca të mbaruar ca të pafytyrë” iu drejtua Rama atyre duke i quajtur si njerëz pa fe dhe pa atdhe, pa din e pa iman. Kulmin e ofendimit e arriti ndaj deputetit Dash Sula, të cilit i tha se as nuk e kupton se pse është ulur në atë karrige, duke e etiketuar si “gjel deti Peqini”.
Të dhënat nga plani i biznesit
• “Marina & Jahtet e Durrësit” pritet të gjenerojë 3.2 miliardë euro për 20 vite
• Albanian Seaports Development Company (ASDC) është kompania me të cilën përfaqësohet shteti shqiptar
• ASDC ka 33% të aksioneve
• ASDC pritet të arkëtojë rreth 280 milion euro në 20 vjet
• Fitimi i të gjithë projektit pritet të jetë 854 milionë euro
• Shteti ka falur 812 mijë metra katrorë truall në Durrës
• Sipërfaqja bruto e ndërtimit do jetë 1.36 milionë metra katror
• 93% e sipërfaqes do të jenë apartamente dhe zyra
• 3.5% do të jenë hotele dhe sipërfaqe tregtare.
• Lartësia e ndërtimit, fillon nga G+2 dhe mund të shkojë deri në G+18 për ndërtimin e Landmark Building
• Do ndërtohen gati 13 mijë apartamente (4 mijë në fazën e parë dhe rreth 8600 në fazën e dytë)
• Hotelet do të kenë më shumë se 850 dhoma
• Eagle Hills Real Estate Development, shoqëria e investitorit nga Dubai
• Kjo shoqëri kontrollohet 100% nga North East Real Estate Holdings Limited, kompani offshore
• Nshmi Development L.L.C, kompania që i bashkohet konsorciumit
• Projekti parashikon 80 mijë m2 hapësira të gjelbra, deri në 700 m gjatësi plazhi dhe deri në 280 vende për jahte.