Berisha uron Sulltan Novruzin: Bektashizmi dhe atdhetaria në Shqipëri kanë qenë një dhe të pandarë

Premte, 22 Mars 2024 21:28

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, ka uruar besimtarët bektashinj për Sulltan Novruzin.

Berisha tha se, teqetë kanë qenë qendra të shqiptarizmës.

 
 

Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:

Të dashur qëndrestarë dhe qëndrestare, misionarë të kauzës së drejtë, të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, guximtarë të pamposhtur të vendosur për një betejë pa kthim gjer në përmbysjen e diktaturës së bazuar në aleancën e pushtetit me krimin, vjedhjen e qytetarëve shqiptarë dhe drogën.

Duke u përshëndetur ju përzemërsisht, përshëndetur oratorët e mrekullueshëm të këtij parlamenti të shkëlqyer të fjalës së lirë, në emër tuaj dhe të PD, u përcjell sot urimet më të përzemërta në këtë ditë të shenjtë, besimtarëve bektashinj shqiptarë.

I uroj ata në këtë ditë të bekuar, jo vetëm për bektashinjtë, por për të gjithë besimtarët e Zotit.

Miqtë e mi, bektashizmi dhe atdhetaria në Shqipëri kanë qenë një dhe të pandarë.

Teqet e bektashinjve shqiptarë ishin folezat e mësonjëtorëve të para të gjuhës shqipe, së bashku me kishat dhe institucionet e tjera.

Teqet e bektashinjve shqiptarë ishin streha e luftëtarëve të lirisë dhe atdhetarisë.

Frashërlinjtë, bektashinj dhe rilindas të pavdekshëm, hartuan doktrinën e shqiptarësisë si doktrinë perëndimore të kombit.

Bektashinjtë shqiptarë patën fatin të kryesojnë bektashizmin në botë.

Ndaj dhe i përshëndes ata ku janë, udhëheqësit e tyre kudo, në Shqipëri dhe mbarë botën.

Login to post comments