Eno Sulejmani, i cili u kap mbrëmjen e së enjtes, pas një operacioni të antidrogës, teksa në makinë iu gjet 1 kg kokainë, është një personazh i njohur në rrethin politik, veçanërisht atë rilindas.
Sulejmani shfaqet në foto e mjedise me personazhe të rëndësishme të Rilindjes. Një foto e mëposhtme tregon një moment kur Sulejmani ndodhet me Erion Veliajn, kryebashkiakun e Tiranës, që troket gotat ndoshta në një event, ku qartazi ai shfaqet si protagonist.
Sulejmani ka drejtuar shoqatën e transportit publik dhe në jo pak raste është shfaqur në tryeza diskutimesh me rilindasit e Ramës.
Por në foton e mëposhtme ai është në një mjedis festiv, miqësor me kryebashkiakun Veliaj. Tashmë priten ato dhjetra justifikime të Erionit të Bashkisë ku natyrisht do të thotë se Sulejmani i arrestuar nga kokaina ishte një nga ato të rinjtë që Veliaj i ka mbledhur, ose organizatorët e takimit, ia kanë çuar, ndoshta për ta ndihmuar në fushatat e tij.
Eno Sulejmani ishte bashkë me dy të rinj të tjerë në makinë dhe kishin në plan të shkëmbenin drogën mbrëmjen e 21 marsit në rrugën “Mihal Duri” në Tiranë, por plani nuk u shkoi ashtu siç duhej.
Antidroga e Tiranës ka ndërhyrë pas informacioneve se një makinë, tip "Volksëagen Tiguan" me ngjyrë të bardhë, po transportonte drogë.
Shoferi i mjetit, Sulejmani, ka tentuar të shtypte me makinë tre agjentët e antidrogës, teksa ata u afruan për t'i arrestuar. Burime bëjnë me dije se në këtë moment njëri prej efektivëve ka qëlluar më kushtet e vetëmbrojtjes në mënyrë të pavullnetshme.
Vetëm një plumb ka qitur nga arma e tij e shërbimit dhe plumbi ka depërtuar në pjesën e dorezës së derës së anës së shoferit, duke e kapur Sulejmanin në kofshë. Ai është dërguar më pas në spitalin e Traumës për të marrë ndihmë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Në makinë ndodheshin edhe Shkëlqim Ostreni, 26 vjeç, dhe Igli Begaj, 21 vjeç. Kreu i Shoqatës së Transportit Ndërqytetës, Eno Sulejmani dhe dy pasagjerët janë arrestuar.