Byroja kombëtare e hetimit në bashkëpunim me policinë kanë mësyrë në bashkinë e Elbasanit.
Sipas burimeve për mediat, bëhet me dije se hetimi i një tenderi në bashkinë e Elbasanit, ka sjellë sekuestrimin nga BKH të aparateve të telefonit, ndaj dy punonjësve të këtij institucioni që dyshohet se janë implikuar në veprimtari kriminale në paracaktimin e tenderave përmes korrupsionit.
Ndërhyrja e BKH është bërë ditën e djeshme, ku mësohet se fillimisht kanë shkuar në ambientet e bashkisë që drejtohet nga Gledian Llatja, duke sekuestruar një telefon tek një nga punonjësit që ka si funksion prokurimet publike në këtë bashki.
Një punonjësi tjetër, agjentët e BKH-së, i kanë dalë në rrugë dhe e kanë ndaluar, duke i komunikuar vendimin për sekuestrimin e aparatit të telefonit. Pas përpilimit të proces-verbalit të sekuestrimit të aparatit telefonik, punonjësi i bashkisë është lënë i lirë.
Punonjësi i bashkisë nuk ka shfaqur rezistencë, por këto veprime lënë për të kuptuar se në SPAK, tashmë është duke u hetuar për një skemë nepotizmi me përcaktimin e tenderave publikë në bashkinë Elbasan, të njëjtë me atë që ndodhi në bashkinë e Tiranës, ku u arrestuan disa drejtorë të këtij institucioni.
Nuk dihet me saktësi se për çfarë procedure tenderuese bëhet fjalë, por tashmë është fakt që ky hetim ka vënë në shënjestër zyrtarë të bashkisë Elbasan.