“Lidhur me këtë manovër dhe gënjeshtër të radhës, unë them si nuk i mjaftojnë 11 vjet këtij njeriu për të bërë reformat e premtuara prej 11 vjetësh?! – ngriti pyetjen Meta para gazetarëve. - Këtij që premtoi të realizonte legalizimin që në mandatin e parë dhe e di nënë Liza, që e shikoni ju çdo ditë në protesta para bashkisë dhe mijëra e mijëra qytetarë në Tiranë se si e mbajti ky premtimin që flaku shqiptarët e ndershëm dhe sakrificat që bënë ata dhe fëmijët e tyre në emigracion në mes të rrugës.
Ju e dini reformën e madhe që do të bënte ky, të ujësjellësit që premtoi, që në një mandat do të zgjidhte punën e ujit në të gjithë Shqipërinë!!! Tani më ka ngelur mua që të kacavirem e të hipi atje te depozitat që të fillojnë të mendojnë një zgjidhje ose t’i lyejnë ato depozitat që të mos ngjajë Tirana aq e shëmtuar, se ujit këta nuk i bëjnë dot derman, edhe pse premtuan “ujë Korçe si cilësi”, por “me çmim Bathoreje”, thanë ata. E dinë të gjithë qytetarët e Tiranës sesa shtrenjtë e paguajnë ujin, më keq se frëngu pulën dhe shumë zona të Tiranës e ende nuk kanë ujë, por depozita ama ka në çdo pallat e çdo familje.
Ky nuk la premtim pa bërë e reformë pa bërë, po në vend që të bënte reforma, bëri vetëm “Rama-forma”, pra gjithçkaje i dha formën e vet, përfshirë këtu edhe reformën në drejtësi që e ktheu në një Rama-form; edhe reformës në administratë, që e ktheu në një Rama-form.
A nuk ishte ky që premtoi me rastin e reformës administrativo-territoriale që do të ulej numri i bashkive dhe komunave dhe u ul në mënyrë drastike nga gati 400 në 61, se do të ulej numri i administratës, me qëllim që këto fonde të investoheshin në shërbime për komunitetet?!
Ku jemi sot?! Është dyfishuar numri i administratës në pushtetin vendor. Jo vetëm kaq. Është gati dyfishuar numri i administratës publike në tërësi ndërkohë që Shqipëria në këto 11 vjet është shkretuar. Gati 1/3 e qytetarëve janë larguar dhe këta kanë tmerr të publikojnë edhe të dhënat më të fundit të censusit sepse kanë dhe problemin se s’u dalin llogaritë me votat dhe pjesëmarrjen në votimet e fundit. Kështu që nuk e di se për çfarë shteti bëhet fjalë!”